Komisioni Evropian propozoi një paketë të re masash për kufizimin e udhëtimeve, me qëllim frenimin e përhapjes së një lloji të ri të koronavirusit.
Propozimi përmban koordinim shtesë në dy fusha, ku shtetet anëtare janë pajtuar tashmë që të punojnë së bashku. Këtu bëjnë pjesë përditësimi i kodit të ngjyrave për vendet me rrezik, si dhe masa më të rrepta për udhëtarët që vijnë nga vende me rrezik më të lartë.
Me ngjyrën e re “e kuqe e errët” do të shënohen zonat që janë më së shumti të prekura nga koronavirusi.
“Kjo [ngjyrë] pasqyron një nivel të lartë infeksionesh, që pjesërisht lidhen me një variant të ri të koronavirusit”, tha për gazetarët Didier Reynders, komisionar i BE-së për Drejtësinë.
Gjithashtu, me masat e reja të Komisionit Evropian “shkurajohen fuqishëm të gjitha udhëtimet e parëndësishme”, ndërsa për udhëtimet e rëndësishme duhet të zbatohen masa shtesë.
“Testimi do të jetë i detyrueshëm për të gjithë udhëtarët që hyjnë në BE, përfshirë edhe ata që janë në të ashtuquajturat udhëtime të rëndësishme. Testi PCR për hyrje në BE nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë”, tha komisionerja për Punë të Brendshme, Ylva Johanson.
Ajo tha se rregullat shtesë, përfshirë vetizolimin, karantinën dhe monitorimin e kontakteve deri në 14 ditë, duhet të zbatohen për udhëtarët që vijnë nga vendet e treta, ku qarkullimi i llojit të ri të virusit është i dukshëm.
Zona e kuqe e errët, ku regjistrohen infeksione nga lloji i ri i koronavirusit, do të azhurnohet çdo javë në hartën epidemiologjike të BE-së nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Komisioni Evropian po ashtu propozon që të shmanget udhëtimi në këto zona, por thotë se nëse udhëtimet janë të domosdoshme, do të kërkohet testi para nisjes në zonën e kuqe të errët dhe karantina pas kthimit – me përjashtim të njerëzve që punojnë në ato zona.
Një variant i ri i koronavirusit që është shfaqur në disa vende të BE-së, është detektuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar. Ky variant është thënë se përhapet më shpejt./REL