MENU
klinika

Piktori i shpirtit

Cili është nobelisti i heshtur i Kinës?

04.01.2021 - 11:55

      Pavarësisht se u kurorëzua me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2000, apo vlerësimet e shumta jashtë vendit, emigranti kinez Gao Xingjian nuk pati vëmendjen e duhur në vendlindje, në kontrast me pritjen që iu bë bashkatdhetarit të tij Mo Yan, pasi ky i fundit fitoi çmimin e lakmuar të letërsisë./Konica.al

Gao Xingjian është shkrimtari i parë në gjuhën kineze i kurorëzuar me çmimin “Nobel” për letërsi. Viktimë e revolucionit kulturor në Kinë, ky disident i gjeneratës së Tiananmenit, refugjat politik në Francë prej vitit 1988 dhe i natyralizuar francez prej vitit 1998, romancier dhe dramaturg me një stil modern dhe melodik, problemet me atdheun e tij i zgjidh në “Mali i shpirtit” dhe “Libri i një njeriu të vetëm”. Njeri jo vetëm i penës, por edhe i penelit, ai njihet botërisht për pikturat në kanavacë të errët me bojë kineze. “Ky çmim më garanton një pavarësi, por nuk do të kontribuojë në njohjen e punës sime në Kinë. – u shpreh Gao Xingjian. – Censura rëndon ende fort mbi intelektualët kinezë”. Në Pekin, heshtja e mediave zyrtare jep masën e pasigurisë së pushtetit dhe intelektualëve.

Gao Xingjian lindi më 4 janar 1940 në Ganzhou (provinca Jiangxi) në Kinën Lindore, sot shtetas francez. Prozator, piktor, përkthyes, dramaturg, regjisor, kritik dhe artist, Xingjian u rrit pas pushtimit japonez, i ati një zyrtar banke, kurse e ëma një aktore amatore, e cila stimuloi interesin e të riut Gao në teatër dhe shkrim. Mori arsimin bazë në shkollat ​​e Republikës Popullore dhe u diplomua për frëngjisht në 1962 në Departamentin e Gjuhëve të Huaja në Pekin. Gjatë Revolucionit Kulturor (1966-1976), ai u dërgua në kampin e riedukimit, ku u detyrua të digjte një valixhe plot me dorëshkrime. Deri në vitin 1979, nuk mundi të botonte asgjë nga krijimtaria e tij apo të udhëtonte jashtë vendit, në Francë dhe Itali. Gjatë periudhës 1980-1987, ai botoi tregime të shkurtra, ese dhe drama në revistat letrare në Kinë, si dhe katër libra: “Esetë e para mbi teknikat e romanit modern / Një diskutim paraprak i artit të letërsisë moderne” (1981), i cili ngjalli një polemikë të fortë mbi “modernizmin”, rrëfimin “Pëllumbi i quajtur Sqepkuq” (1985), “Pjesë të zgjedhura” (1985) dhe “Në kërkim të një forme moderne të përfaqësimit dramatik” (1987). Disa nga dramat eksperimentale dhe pioniere, të frymëzuara pjesërisht nga Breht, Artod dhe Beketi, u vunë në skenë në Teatrin e Artit Popullor në Pekin: debutimi teatror me “Sinjali i alarmit” (1982) qe një sukses i stuhishëm, kurse drama e absurdit, që vendosi reputacionin me “Stacioni i autobuzit” (1983), u dënua gjatë fushatës kundër “ndotjes intelektuale” (përshkruar nga një anëtar i shquar i partisë si shkrimi më i dëmshëm që nga themelimi i Republikës Popullore); “Njeriu i egër” (1985) gjithashtu i dha shkas nxitjes së polemikave të brendshme dhe vëmendjes ndërkombëtare. Një pjesë e mirë e veprave të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme, ndërsa disa nga dramat e tij po vihen në skenë në pjesë të ndryshme të botës.

I njohur botërisht si nobelist në letërsi, Gao Xingjian është gjithashtu piktor me ekspozita në të katër anët e botës. Për më tepër, artit të pikturës ai i kushton pjesën më të madhe të veprimtarisë artistike. I janë kushtuar rregullisht ekspozita të mëdha në Francë, Spanjë, Belgjikë, Suedi, Gjermani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara, Tajvan… Kjo vepër nxjerr në pah pasurinë magjepsëse të veprës piktoreske të Gao Xingjian, e cila shfrytëzon mundësitë e pafundme të punës me bojë kineze. Në telajot kuptohet qartazi larmia e shtigjeve që kryqëzohen: trashëgimia e kulturës kineze, estetika e modernitetit perëndimor, praktika e pikturës eksperimentale dhe një ndjeshmëri të jashtëzakonshme. Jehonat që gjen krijimtaria në tekstet letrare të Gao Xingjianit zbulojnë koherencën e saj, njëherazi e thjeshtë dhe komplekse, e pazëvendësueshme për çdo skematizim, duke iu ofruar tërësisht përvojës vizuale të shikuesit. Gao Xingjian ka pasur rreth tridhjetë ekspozita ndërkombëtare, po ashtu siguron edhe ilustrimet e kopertinës së librave të vet.

Është vlerësuar me çmimet: “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe Letrave” (1992); me çmimin e Komunitetit Francez të Belgjikës (1994) (për “Somnambuli”), me çmimin e Vitit të Ri Kinez 1997 (për “Mali i shpirtit”).

Gao Xingjian u laureua me çmimin “Nobel” për letërsi në vitin 2000, me motivacionin: “për një vepër me vlefshmëri universale, njohuri të hidhura dhe mprehtësi gjuhësore, i cili hapi shtigje të reja për romanin dhe dramën kineze”./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit