MENU
klinika

"Blasfemues i çmendur!"

Emil Cioran, filozofi i dëshpërimit

15.01.2021 - 15:51

      Për disa Emil Ciorani ishte një nga filozofët më armiqësor të kohës, një Niçe i shekullit XX, veçse disi më i zymtë dhe me një sens më të mirë humori. Shumë, sidomos në rininë e tij, mendonin se ishte një i çmendur i rrezikshëm. Ca të tjerë mendonin se ishte thjesht një i ri magjepsës i papërgjegjshëm, që nuk paraqiste rrezik për të tjerët, mbase vetëm për veten. Kur libri i i tij mbi misticizmin shkoi në shtypshkronjë, botuesi, një njeri i mirë, me frikën nga Zoti, kur kuptoi se përmbajtja ishte blasfemi, refuzoi ta prekte librin; botuesi lau duart për këtë çështje dhe autorit iu desh ta botonte blasfeminë diku tjetër, me shpenzimet e veta./Konica.al

Shumë prej aforizmave të Emil Cioranit të lënë pa fjalë. Ato i përçon një qëndrim zhgënjimi, por ku mbizotëron edhe humori i hollë. Filozofi na fton në reflektim me një qasje kundërrymë. Realizmi i papërpunuar dhe gjithçka tjetër përveç pesimizmit të fshehur, janë si një dush me ujë të ftohtë për ndërgjegjen. Filozofi rumun të prekte në plagë, duke u përballuar haptazi me aspektet që ai i konsideronte të denja për reflektim. Qëllimi i këtij filozofi nuk ishte të gëzonte të tjerët, qëllimi i tij ishte të provokonte. I pëlqente të shkonte kundërrymës, pasi ishte njëherazi një mënyrë për të denoncuar banalitetet dhe mospërputhjet e botës ku ai duhej të jetonte. Në aforizmat e Emil Cioranit ekziston një zhgënjim i thellë, që përfundon duke sfiduar modelet e jetës light (e lehtë) ose tepër romantike.

“Nuk janë të këqijat e dhunshme ato që na shenjojnë, por të këqijat e heshtura, këmbëngulëse, të tolerueshme, që janë pjesë e rutinës sonë të përditshme dhe na dëmtojnë me të njëjtën ndërgjegjshmëri me të cilën na dëmton koha”.

Emil Cioran

“Të fundit të cilëve ua falim pabesinë, janë ato që i kemi zhgënjyer”.

Një frazë me ironi urtie dhe mendje të shëndoshë, një pohim therës dhe i thellë. Kur nuk je në lartësinë e pritshmërive të partnerit, jemi ne ata që gabojmë, kësisoj pabesia bëhet një mënyrë për të miratuar këtë defekt. Ja përse një tradhti e tillë është e vështirë të falet: kjo do të thotë të pranosh zhgënjimin fillestar. Një plagë narciziste që dhemb deri në asht.

“Atë që di në të gjashtëdhjetat, e dija po aq mirë në të njëzetat. Dyzet vjet punë e lodhshme e stërzgjatur verifikimi”.

Humori është i pranishëm në shumë reflektime të Emil Cioranit, një humor i zi, sarkastik. Në të vërtetë, mund të ketë të drejtë, pasi në jetë shumë të vërteta janë të hamendësuara që në fazë të hershme.

“Misioni im është të vras ​​kohën dhe misioni i saj është të më vrasë kur t’i vijë radha. Aty mes vrasësve ndihet si në shtëpinë e vet”.

Cioran nuk e shqetësonte fakti i të kundërshtuarit të jetës gjasme të suksesshme, produktive. Madje, nuk u orvat të fshihte zhgënjimin e thellë që i dha ekzistenca, përkundrazi gërmonte thellë në plagë. Vdekja dhe vetëvrasja janë të pranishme në shumë nga veprat e tij. Ai këmbëngul, se ekzistenca nuk ka kuptim tjetër përveç asaj të humbjes, si diçka që nuk na duhet.

Pjesa dërrmuese e shoqërisë është e bindur se gjëja më e rëndësishme është të bësh, të bësh dhe përsëri të bësh. Të rrish në vendnumëro dhe të qenit joproduktiv shihet thuajse si blasfemi. Gjithsesi, sa më të mbingarkuar të jemi, aq më të shqetësuar ndjehemi, derisa na pushton ankthi.

“Ne mund të jemi krenarë për atë që kemi bërë, por duhet të jemi shumë më tepër për ato që nuk kemi bërë. Kjo formë e krenarisë na shtyn drejt trillimit”.

Postulati i tij është i arsyeshëm, pasi edhe të mos bësh ka pasoja. Dhe në një botë maniake, të automatizuar, kjo mund të jetë pozitive./Konica.al

“Kush revoltohet, kush ngrihet? Rrallëherë skllavi, por pothuajse gjithmonë shtypësi i shndërruar skllav”.

Ciorani ndiente njëfarë përçmimi për pushtetarët. Si një ikonoklast që ishte, ai kurrë nuk u dha rëndësi heroizmave ose zbulimeve të mëdha të atyre që luftuan në emër të një kauze ideologjike. I vinte në të njëjtin nivel rebelin dhe shtypësin, duke sugjeruar se ata janë bërë nga i njëjta thelb. Skllavi, si i tillë, gjithmonë i bindet.

“Është e thellë, është e vërtetë vetëm ajo që fshehim. Prej nga fuqia e ndjenjave të ndyra”.

Emil Ciorani nuk i shihte njerëzit si një specie superiore ose të pajisur me karakteristika të paharrueshme, përkundrazi nuk i shpëtoi mundësia të nënvizonte mënyrën e paturpshme në të cilën qeniet njerëzore jetojnë dhe popullojnë tokën. Me fjalë të tjera, qenia njerëzore fsheh ndjenjat e saj të papërfillshme, rrjedhimisht kur i lë të lira ato shfaqen me një forcë më të madhe.

“Vuajtja është një mënyrë për të qëndruar aktiv pa vepruar”.

Edhe pse Cioran nuk ishte i lumtur, megjithëse shprehte rëndom pakënaqësinë, ai nuk ishte një person “i vuajtur”. Në vend që të provonte dhimbjen e të jetuarit ose dhimbjen në saje të përvojave, ai nxori në dritë mospërputhjen me anë të ironisë, duke përvetësuar një stil që vlerësohet, sepse është i pazakonshëm. Ai që vuan jeton në mes të stuhisë, pasiv, pa zbatuar asnjë strategji për ta fashitur.

Janë të shumta aforizmat e Cioranit, të cilat, pavarësisht tonit pesimist të autorit për realitetin, janë një stimul domethënës për reflektim. Puna e tij është etiketuar si filozofi pesimiste depërtuese, pasi vuri në qendër të studimeve çështje si vuajtja, shkatërrimi dhe nihilizmi. Filozofi me prejardhje rumune, por që jetoi dhe veproi në Francë, Emil Cioran lindi më 1911 në Rumani. Në vitin 1937, arriti në Paris, ku e kaloi tërë jetën në një dhomë të vogël, i rrethuar me libra. Refuzonte çmimet për letërsi, shmangte intervistat në televizione dhe çoi një jetë prej vetmitari./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ja si e torturuan dhe e vranë pa mëshirë 20-vjeçaren

‘Dua një republikë demokratike si e Nolit’