“Poeti Europian i Lirisë 2022” që organizohet në Gdansk, Poloni, ka njërin prej katër kandidatëve të listës së shkurtër, poeten shqiptare Luljeta Lleshanaku./Konica.al
Në përbërje të jurisë do të jetë edhe nobelistja polake, Olga Tokarczuk.
Çmimi synon të nderojë dhe të promovojë fenomenet në poezi, që trajtojnë një nga temat më thelbësore për lexuesin bashkohor – lirinë – dhe njëkohësisht, karakterizohen nga vlera të jashtëzakonshme artistike.
Çmimi mund t’i jepet vetëm një shkrimtari së gjalli, nga Europa.
Poezitë e Lleshanakut, nga shqipja në polonisht mbajnë emrin e përkthyeses së mirënjohur, Dorota Horodynska.
Rezultatet e konkursit do të shpallen në pranverën e vitit 2022, gjatë Festivalit të Poetit Europian të Lirisë, organizuar në Gdańsk. Laureati i Çmimit Poeti Europian i Lirisë do të shpërblehet me statujën e triumfit, si dhe një shpërblim prej 100,000 zlloti polake. Përkthyesi i poetit fitues sakaq, do të ketë gjithashtu statujëzën dhe një shpërblim prej 20,000 zlloti polake.
Juria e çmimit
Juria e Çmimit të Poetit Europian të Lirisë, do të përbëhet nga: Krzysztof Czyżewski (kryetari i jurisë), Paweł Huelle, Zbigniew Mikołejko, Stanisław Rosiek, Anda Rottenberg, Beata Stasińska dhe Olga Tokarczuk, me sekretar Andrzej S. Jagodziński.
***
Luljeta Lleshanaku – Katër fjalë
Eskimezët kanë katër fjalë të ndryshme për “dëborën”:
të renë, të shkelurën, të thinjurën, të mbledhurën në togje.
Ata janë në gjendje të dallojnë nuancat e së bardhës,
hiçit, asgjësë, të sotmes pa fund,
që vetëm një sy i lirë ia del.
Andej nga unë vij, përdorën katër fjalë të ndryshme për mbrëmjen;
çuditërisht ajo që rri më mirë, është fjalë e huaj
që rimon me “jargavan”,
e sjellë nga pushtuesit dhe jo nga tregtarët e erëzave.
Andej nga vij unë kanë vetëm një fjalë të vetme për “mërzinë”,
si edhe për “ujin”, që merr formën e enës që mban:
secili fatin e vet, secili mërzinë e vet.
Grekët kanë katër fjalë të ndryshme për “dashurinë”,
si katër kunjat e një tende, që të jep patjetër një copë vend në këtë botë,
në mos sot, nesër.
Ndërsa në vendin nga unë vij, sipas antropologëve,
deri para një shekulli nuk ezkistonte asnjë fjalë e vetme për “dashurinë”
por vetëm një dyshim i zgjuar-naiv që
“duhet të ekzistojë patjetër diçka e fortë, apo jo”,
por përgjigjet pret t’i vijnë vetëm në ëndrra.