MENU
klinika

Përfiton 32 mln € në sezon

Simeone pranë historisë me Atletico Madrid

19.01.2021 - 17:52

Atlético Madrid i ka ofruar trajnerit Diego Simeone rinovimin e kontratës deri në vitin 2024. Kontrata aktuale e argjentinasit skadon më 30 qershor 2022. Por drejtuesit kanë besim te tekniku aktual, sidomos pas paraqitjes së skuadrës këtë sezon në La Liga, teksa kryeson bindshëm.

Pas eliminimit nga Kupa e Mbretit që në raundin e dytë nga një skuadër modeste, pati një lëkundje të Simeones, teksa i gatshëm të pranonte vendimin e klubit edhe për shkarkim, por tashmë gjërat kanë ndryshuar totalisht. Drejtuesit e Atletico Madrid  e konsiderojnë Diego Pablo Simeone garantuesin kryesor të stabilitetit.

Negociatat për kontratën e re do të vazhdojnë në javët e ardhshme me Natalia Simeone, motrën e trajnerit, që është menaxherja e Diegos.  Në parim, Simeone do të vazhdojë me të gjithë stafin e tij aktual.

Në nivelin ekonomik nuk do të ketë probleme, duke pasur parasysh që Atlético e ka bërë Simeonen trajnerin më të paguar në botë, pasi ai merr 32 milionë euro bruto në sezon.

Përveç kësaj, megjithëse nuk është zbuluar publikisht, Diego është i vetëdijshëm për situatën aktuale për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19 dhe vitin e parë do të pranojë ulje të pagës. Simeone është në krye të Atlético Madrid prej 9 vitesh dhe nëse ai nënshkruan kontratën e tij të re dhe e përmbush atë plotësisht, do të shkonte në 13 sezone radhazi, duke bërë historinë si trajner i bardhekuqve.

Vetëm një javë më parë, Instituti i statistikave të futbollit e shpalli Simeonen trajnerin më të mirë të dekadës, duke lënë pas emra si Pep Guardiola dhe Jose Mourinho. Në kohët e sotme vështirë të gjesh një trajner kaq jetëgjatë në ligat kryesore evropiane. I fundmi në Evropë ishte Alex Ferguson, i tërhequr nga trajningu në vitin 2013.