MENU
klinika

Letërsia mirëfilli

Dostojevski: pa kohë, në kohë!

08.02.2021 - 19:27

       Do të bëhen 200 vjet nga lindja (11 nëntor) dhe 140 nga vdekja (9 shkurt), por shkrimtari rus nuk ka reshtur kurrë së qeni bashkohor. Për nga mënyra si ka rrëmuar në nëntokën e shpirtrave tanë, për si ka rrëfyer krime të tmerrshme (pedofili, feminicid), deri për atë sesi ka imagjinuar një epidemi aziatike.

I plaçkitur nga politikanë dhe opinionistë, shpesh i cituar në mënyrë të ekzagjeruar nga gazetarë e romancierë, i marrë në dorë me bezdi nga studentë të zemëruar, i konsideruar «impenjues» nga lexues durimi i të cilëve nuk shkon përtej 200 faqeve, Fedor Dostojevski mbetet një prej shtyllave të kulturës. Dyqind vjet nga lindja (11 nëntor) dhe 140 nga vdekja (9 shkurt) e tij, nuk ka humbur as edhe një gram aktualitet: muaj pas muaji pasojnë përkthime të reja, sapo ka dalë një edicion i ri i epistolarit masiv të tij, për këtë vit janë njoftuar mbledhje dhe festime kudo.

Bashkohës i Tolstojit e Turgenievit, spikat prej të gjithëve prej kthjelltësisë, butësisë, energjisë me të cilën investigon veset, frikën e sigurinë, në zvetënimet tona. Përpara Frojdit, që diplomohet pikërisht vitin e vdekjes së shkrimtarit, i hedh rrënjët në ndërgjegjen tona dhe i vë në lëvizje. Flet për ne, na flet ne. Pak ka ndryshuar në këtë një shekull e gjysmë. Thotë për ne gjëra që i dimë, që nuk i dimë apo që nuk duam t’i dimë. Te Raskolnikovi dhe Rogozhini, te Stravogini dhe tek Ivan Karamazovi ka një pjesë tonën, e pranojmë apo jo. Jo vetëm, por flet për gjëra tonat: terrorizëm, drejtësi, feminicid, pedofili, llahtarin e burgjeve, për peshën e fjalëve të thëna pa u menduar që dikush mund t’i vërë në praktikë. Të mos e humbasim një rast unik për t’u njohur më mirë: ta lexojmë, ta rilexojmë.

Kujt i shërben burgu?

Le ta fillojmë nga romani “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” i vitit 1861 (një tjetër përvjetor). Në 1849, në moshën 28-vjeçare, tashmë shkrimtar i famshëm, Dostojevski arrestohet, gjykohet dhe dënohet me vdekje. Pse? Bashkë me vëllain, ai frekuenton një rreth të padëmshëm intelektualësh që mblidhen për të diskutuar për autokracinë dhe represionin, për censurën dhe prapambetjen. Një spiun i denoncon: një çerdhe revolucionarësh të mundshëm. Pak muaj më parë, më 1848, Evropa është përfshirë nga një valë revolucionare. Car Nikolla I vendos që të përdorë grusht të hekurt, i dërgon të gjithë përpara skuadrës së pushkatimit, por në momentin e fundit i fal: jo pushkatim, por punë të detyruar. Për katër vite me radhë Dostojevski përfundon në kështjellën e Omskit midis kriminelësh të rëndomtë, vrasësish e banditësh duke thyer gurë, transportuar pllaka. Një ferr i përrëfyer. Del dhe rrëfen.

“Shënime nga shtëpia e të vdekurve” është një libër kundër drejtësisë. Kundër drejtësisë që deklarohet e paanshme, por që e tillë, nuk është (thuajse) kurrë. Se, në bashkëpunim me pushtetin shtetëror, rras në burgje të frikshme për dekada të tëra qenie njerëzore fajtore, nganjëherë, vetëm se kanë kontestuar struktura opresive. Është një libër kundër burgut dhe ndalimit sido dhe kudoqoftë. Burgu korrupton, shkatërron, degjeneron atë që është ende e paprishur, ekzalton atë që tashmë është zvetënuar, konsolidon vendosmërinë ndaj së keqes e mijëra delinkuentëve. Por edhe është një roman për lirinë. Për atë që e ka humbur, mbetet një e mirë e pazëvendësueshme, ëndërra e çdo ore, qëllimi i çdo gjesti, objektivi i çdo mendimi. Mbi të gjitha është një libër lidhur me dinjitetin njerëzor. Duhet respektuar dhe burgu nuk e bën. Një roman që, bashkë me “Ishullin Sakhalin” e Anton Çehovit, duhet lexuar nga të gjithë përgjegjësit e burgjeve.

Shpikja e nëntokës

Tri vite më pas (1864) vjen “Kujtime nga nëntoka”. Çfarë është nëntoka? Është ndërthurja e pulsioneve tona të fshehta, që të gjithë mësojmë t’i mbajmë nën kontroll, të vulosura mirë në ndërgjegjen tonë. Rrezik ta lësh të lulëzojë, pasi jeta jonë sociale, e organizuar, harmonike, e urtë, do të shkatërrohej. Kurse protagonisti i Dostojevski e bën. Debuton kështu: «Jam një njeri i sëmurë; Jam njeri i keq. Njeri i shpifur». Një njeri i gllabëruar nga mëritë, shqetësime, frustrime, pakënaqësi, agresivitet. Derdh gjithçka mbi të tjerët dhe krijon rreth vetes boshllëkun. Një njeri që shikon brenda dhe thotë: kështu jam, nëse të tjerët më pranojnë, mirë; përndryshe, amin.

Në “Kujtima nga nëntoka” kemi ankthin e vetmisë, dëshpërimin e një vetëdijeje të deformuar që nuk di të krijojë raporte të shëndosha me fqinjin. Tash e prapa të gjithë personazhet e romaneve kryesore të tij do të kenë një nëntokë: dikush i depërton për t’u ngulur në një moçal të shkretë inercie, kurse dikush tjetër arrin të rigjenerohet, duke i pranuar kufizimet e veta, duke ju hapur të tjerëve dhe, në ndonjë rast, fesë.

Përgjegjësia e veprimeve individuale

“Krim dhe ndëshkim” gjendet jehona e fuqishme e viteve të punës së detyruar. Një vrasës që kryen një krim perfekt: Raskolnikovi vret fajdexheshën e moshuar, të motrën dhe në mënyrë të pabesueshme arrin të mos lërë gjurmë. Domethënë mund t’ia hedhë paq. Ama ka përballë një gjykatës të një lloji të ri, Porfirin: sipas tij jo gjithmonë mekanizmat institucionalë janë në gjendje të arrijnë tek e vërteta e krimit. Kështu vëzhgon, reflekton, heton në botën e brendshme e fajtorit të supozuar, rrëmon në nëntokën e tij dhe arrin në konkluzionin: fajtori është ai, por drejtësia pa prova nuk mund të bëjë asgjë. Raskolnikovi duhet të ketë kurajën, ndershmërinë që të marrë mbi vete përgjegjësinë e aktit të kryer. Çdo zgjidhje tjetër – dhe Porfiri ja thotë – nuk do të kishte kuptim: jo arratia (megjithatë Raskolnikovi do të mbante brenda peshën e krimit), jo vetëvrasja (akt i turpshëm, i padenjë për Raskolnikovin). Kështu që nuk ka gjë tjetër veçse të marrë përsipër pasojat e asaj që ka bërë: një gjest vetëdijësimi. Të rrëfejë, të pranojë dënimin, ndëshkimin.

Vuajtja, thotë Porfiri, është një gjë e mirë, «do t’ju çojë drejtpërsëdrejti në breg dhe do t’ju ringrejë në këmbë… kini zemër të madhe, mos kini frikë… për njëfarë kohe askush nuk do t’ju shohë, por më pas do të bëheni diell dhe të gjithë do t’ju shohin…». Përkrah Raskolnikovit ndodhet Sonja, prostituta e mirë që beson tek Ungjilli, tek ringjallja e Lazarit, tek rigjenerimi, që niset bashkë me të në punën e detyruar, e sigurtë se herët apo vonë do ta çojë drejt fesë. Romani do të përfundojë me një makth të Raskolnikovit. Një epidemi e padëgjuar me prejardhje aziatike shkatërron njerëzimin me mijëra të vdekur. «Gjithçka dhe të gjithë vdisnin. Shpëtimin në të gjithë botën mund ta arrinin vetëm disa njerëz: qenë të pastërtit, të zgjedhurit, të paracaktuar që të nisnin një racë të re dhe një jetë të re, të rinovonin dhe pastronin Tokën». Edhe me këtë makth Dostojevski na është afër. E dëgjojmë të thuhet shumë shpesh gjatë këtyre ditëve.

Feminicidi

“Idioti” (1868) përfundon me një feminicid. Dostojevski i shqyrton mekanizmat me një kthejlltësi të habitshme. Bukuroshja Nastasja Filipovna përdhunohet kur ishte adoleshente nga tutori, Tocki, i cili për vite të tëra e ka si dashnoren e tij, më pas vendos që të martohet me të, por në shoqërinë e mirë dashnoret nuk merren gra. Kështu vendos që tía japë sekretarit të tij, duke i caktuar një prikë të konsiderueshme. Rogozhini, njeri posesiv, i vrullshëm, pasionant, i dashuruar pas saj, e merr përsipër, ia dyfishon prikën dhe e merr me vete, duke ulëritur «Është e imja!».

Nastasja e lë veten të blihet, por nuk i mjaftojnë 100 mijë rubla për ta bërë të dashurojë Rogozhinin: është një grua e trazuar, enigmatike, e pakapshme. Plaga e vjetër nuk i është mbyllur: dhuna e pësuar e bën nevojtare për mirëkuptim, butësi, sidomos respekt dhe Rogozhini e dëshiron, por nuk e respekton. Atëhere Nastasja e gjen atë që kërkon tek princi Mishkin, idioti, njeri delikat, i mirë, i vëmendshëm, i brishtë, i pambrojtur, epileptik, totalisht i privuar nga erosi. Tek ai Nastasja ndjehet e kuptuar, e pranuar në dobësinë e saj, por jo e dëshiruar si grua. Rogozhini e shtyp me pasionin e tij të papërmbajtshëm, por e kupton se nuk i mjafton që e ka blerë. Nastasja është fizikisht me të, por në thelb është tjetërkund, i ikën. Ka vetëm një mënyrë për ta pasur përgjithmonë: ta vrasë. Dhe e vret. Në një prej skenave më emocionuese të romanit, thërret princin që të ruajë kufomën.
Tani nuk ka më konflikt. Kalojnë sëbashku një natë përkrah kufomës: pas ruajtjes së heshtur, zhyten të dy në çmenduri. Të dy të mundur. Bukuria do ta shpëtojë botën? Nastasja është shumë e bukur, por nuk mjafton. Për Dostojevskin bukuria e vërtetë është përsosmëria shpirtërore, është një vlerë absolutë që ndihmon të harrohet “uni”, të mundet egoizmi. Bukuria është e pranishme jo vetëm tek gruaja, por në të gjitha manifestimet e qenies, edhe tek natyra. Askush, as <em>Idioti </em>nuk është i gatshëm ta kapë: jo shumë poseduesi Rogozhin, as shumë abstrakti Mishkin. Rruga për ta arritur është e vështirë.

Dështimi i djajve

“Djajtë”: (1871) një denoncim i mrekullueshëm inkoherence, sipërfaqësie politike, diletantizmi kriminal i gruptheve të caktuara subversive, qëllimi vetëm i të cilëve është të krijojë kaos, çrregullim. Në qendër një grusht terroristësh që organizojnë një vrasje për të destabilizuar shoqërinë, marrë pushtetin. Vrasin pa asnjë objektiv real, dështojnë, ja mbathin, shpërndahen. Dostojevski jeton vitet e nihilizmit triumfues, e terrorizmit brutal që kulmon me vrasjen e Car Aleksandrit të II në vitin 1881: sheh me sytë e tij së gjaku i viktimave nuk shërben përveçse në forcimin e reagimit, shtrëngimit të radhëve të pushtetit, nxitjen tek njerëzit e thjeshtë të panikut, pasigurisë, refuzimit. Dy janë krerët e grushtit të terroristëve: Verkovesnki, një zuzar që jeton me intriga, gënjeshtra, përdor njerëzit për lojërat e tij, projekton një totalitarizëm ku kultura nuk ka vend, dhe Stavrogini, ambig, enigmatik, narcizist, i paaftë të marrë përgjegjësi mbi vete, indiferent ndaj burrave e grave, pedofil (tregoni përdhunimit të një fëmije censurohet dhe do të botohet vetëm në vitin 1926). Komploti i tyre është i tymshëm, kredoja e tyre e errët: i pari shmanget kur policia arreston anëtarët e tjerë, i dyti vret veten duke lënë një letër ku deklaron: «Prej meje nuk ka dalë përveçse mohim, pa kurrfarë force. Gjithçka tek unë ka qenë meskine, e flashkët». Djajtë janë ata. Dostojevski apelon parabolën e evangjelistit Lukë, le një shpresë në fund: të dalë nga trupi i njeriut rus, të hyrë në grigjën e derrave, djajtë në fund do të mbyten dhe njeriu do të jetë i lirë. Një roman kompleks, nokturn (thuajse gjithmonë personazhet veprojnë natën), i dhunshëm (në asnjë roman tjetër nuk ka kaq shumë të vdekur), por i pasur me sugjerime për ditët tona.

Inkuizitori demoniak

Janë dy mësimet e mëdha e “Vëllezërve Karamazov” (1880): kishat, të gjitha kishat, jo vetëm katolike (por këtu për atë flet) e kanë deformuar mësimin e Krishtit, e kanë ngurtësuar në dogma, thënie, duke i hequr atë liri madhështore që e bën njeriun përgjegjës të zgjedhjeve të veta. Inkuizitori i Madh ia thotë qartazi Krishtit të rikthyer në Tokë: Largohu, nuk hyn më në punë, ne kemi vendosur atë që është e mirë dhe atë që është e keqe dhe njeriu na është mirënjohës pse kemi zgjedhur për të. Tejet e lodhshme liria: njeriu preferon të delegojë, të bindet. Krishti e fal Madalenën, Kisha dënon prostitutën (dhe Dostojevski e bën një prostitutë, personazhin më shpirtëror të “Krim dhe ndëshkim”. Inkuizitori rrëfen: unë jam me Të (djallin), jo me ty dhe njeriu më preferon mua që i them si të sillet, duke i hequr çdo përgjegjësi.

Në zymtësi figura e prelatit të vjetër që na rrëmon prej më shumë se një shekulli: deri në çfarë pike sot jemi vërtet të lirë në sjelljet tona, në zgjedhjet tona? Mësimi tjetër i madh është i lidhur me personazhin e Ivan Karamazovit: është mësuesi i keq që e përdor fjalën pa i kuptuar dhunën që fsheh. Cinik, ateist, rebel, predikon «gjithçka është e lejuar», amoralitetin total, por kur e kupton që atvrasja, ndaj së cilës besohet krejtësisht i huaj, është në fakt fruti i teorive të tij, të dëgjuara nga kush e vë në praktikë, nuk duron dhe çmendet.

Actor Yul Brynner (bottom L) being shown document by unident. w. actress Claire Bloom (top R) in scene fr. film The Brothers Karamazov based on novel by Dostoevsky. (Photo by John Bryson/The LIFE Images Collection via Getty Images/Getty Images)

Jeta si roman

Nuk qe e lehtë, jeta e Dostojevskit. Botimi i fundit i epistolarit e përshkruan qysh nga fillimi: edhe ai, një roman i vërtetë. Debutimin e vrullshëm me “Njerëz të varfër” në vitin 1846, i përshëndetur si kryevepër e vërtetë, e pason zhgënjimi relativ i provës së dytë, “Sozia”, i konsideruar si tejet i deformuar (kjo temë, do të rikthehet në të gjithë prodhimin e tij, deri te “Karamazovët”, ku Ivani konfrontohet në një haluçinacion me djallin, sozia i bezdisshëm e tij). Pastaj një seri tregimesh, midis të cilëve “Net të bardha” dhe më së fundmi arrestimi. Letra për vëllain Mikhail përpara nisjes, në zinxhirë drejt kalasë së Omsk dhe ajo pas katër vitesh heshtjeje (në punën e detyruar ishte e ndaluar çdo lloj korrespondence) janë dëshmi emocionuese të forcës së karakterit, e qetësisë, e energjisë së brendshme të shkrimtarit.

Pak vite qetësi relative, më pas në 1864 i vdes i vëllai me të cilin punonte në revistën «Epoka»: i detyruar që ta mbyllë, plot borxhe, arratiset jashtë vendit për të shmangur arrestimin. Për katër vite jeton në mjerim falë huave të miqve dhe paradhënieve të votuesve shpesh jo bujarë, duke punuar si i çartur për romane që dilnin me pjesë nëpër revista. Kthehet në Moskë më 1871, por shëndetin e ka të dobët, krizat e shpeshta të epilepsisë nga e cila vuan qysh i ri, ankthi i dorëzimeve gjithnjë e më urgjente ja bëjnë të vështira vitet e fundit. Vetëm triumfi i Karamazovëve dhe ovacionet për diskutimin e mbajtur në nderim të Aleksandr Pushkinit më 1880, i japin një ngushëllim ekstrem.

 

La Lettura
Përktheu: Armin Tirana

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen