MENU
klinika

Hamilton tek Aston Martin në 2022?

Plani anglez, 140 mijë tifozë në Silverstone

26.02.2021 - 13:03

Sistemi i vaksinimit të popullsisë në Britaninë e Madhe po ecën mirë, ndaj organizatorët e Çmimit të Madh të Anglisë në Formula 1 po mendojnë që gara e 18 korrikut të zhvillohet me tifozë. Dhe jo pjesërisht me tifozë, por tribunat të mbushen me kapacitet të plotë, me 140 mijë spektatorë.

Drejtori i pistës Stuart Pringle tha se afati i fundit që do të vendoset është 21 qershori, pra një muaj para garës. Për fat, në Formula 1, vendet e tifozëve janë të shtrira në një hapësirë të madhe dhe jo të përqendruara në një vend, si në futboll apo tenis. Është një ambient i hapur, ku ka shumë hyrje e dalje.

Pra, gjithçka mund të ndodhë nëse situata me vaksinimin do të ecën mirë. Vitin e kaluar u zhvilluan dy gara radhazi në Silverstone pa tifozë dhe ishte mënyra më e keqe për të festuar 70-vjetorin e një prej pistave më të famshme. Duket se anglezët po i paraprijnë që këtë vit të jetë ndryshe.

Ndërkohë, Lewis Hamilton rinovoi me një vit kontratën me Mercedes, por çfarë do të ndodhë pas një viti? Sipas mediave britanike, 7 herë kampioni i botës mund të vazhdojë karrierën e tij në Formula 1, këtë herë duke garuar me makinën Aston Martin.

Rregullat e reja që do të aplikohen nga viti i ardhshëm favorizojnë të gjitha makinat dhe pilotit britanik nuk i mungon përvoja për të bërë diferencën në pistë. Skuadra e Aston Martin nuk e ka fshehur asnjëherë interesimin ndaj Hamilton, me shpresën për ta marrë në skuadër, ashtu sikurse bënë me Sebastian Vettel. Piloti gjerman, 4 herë kampion bote në Formula 1, la Ferrarin, për të vijuar karrierën me makinën e Aston Martin, ku do të debutojë këtë sezon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN