Maqedonia e Veriut ka marrë të dielën vaksinat e para kundër Covid 19, dhuratë nga Serbia.
Bëhet fjalë për 4,680 doza të vaksinës të kompanisë Pfizer/BioNtech nga rreth 8 mijë që i janë premtuar nga autoritetet serbe.Dërgesa duhej të arrinte të hënën por u shty për shkaqe teknike pasi duhej harmonizuar dokumentacioni teknik me kërkesat e kompanisë amerikane. Vetë kryeministri Zoran Zaev ishte i pranishëm në pikën kufitare të Tabanovcit për të pritur vaksinat.
“Kjo vjen si rezultat i miqësisë dhe mbështetjes së ndërsjellë midis dy vendeve tona, si dhe mirëkuptimit të situatës në të cilën ndodhet e gjithë bota”, tha Zaev.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se shpreson që këto vaksina do të shpëtojnë jetë njerëzish ndërsa shprehu besimin se dy vendet do të arrijnë me sukses të përballen me pandeminë.
“Një mik i vërtetë është ai që ju ndihmon kur jeni në telashe. Shpresoj që vaksinat të jenë në dispozicion të mjekëve të që janë në radhët e para të përballjes me pandeminë”, shtoi Vuçiç.
Edhe Bullgaria i kishte premtuar Maqedonisë së Veriut donacion prej rreth 5 mijë vaksinave por ato nuk kanë mundur ende të arrijnë për shkak të pengesave teknike, kryesisht mos aprovimit nga kompania Pfizer. Maqedonia e Veriut është në pritje edhe të 200 mijë vaksinave nga Kina për çka edhe është nënshkruar marrëveshje me prodhuesin kinez “Sinofarm”. Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe tha se autoritetet shëndetësore kanë bërë gati edhe planin operativ që parasheh vaksinimin e 2,500 qytetarëve në ditë, prej tyre nga 880 nëpër 7 poliklinikat e kryeqytetit dhe afër 500 të tjera në pikat e Qendrës Klinike.