MENU
klinika

Ndeshjet e para për 1/8 e Champions

Tripleta e Mbappe “fshin” Messin, Liverpool s’fal

16.02.2021 - 22:54

PSG dhuroi spektakël në “Camp Nou”, duke fituar 4-1 ndaj Barcelonës. Një hakmarrje për humbjen 6-1 disa vite më parë. Kylian Mbappe i ka rrëmbyer skenën Messit, duke shënuar tre gola.

Pas 27 minutash lojë, Barcelona zhbllokoi ndeshjen. Një penallti e fituar nga De Jong ka ndezur gjakrat. Holandezi është penguar duke vrapuar drejt topit të krosuar nga krahu i majtë, teksa arbitri pasi ka pritur dhe silent check nga VAR, ka akorduar penallti. Lionel Messi nuk ka gabuar nga pika e bardhë.

Megjithatë, pas vetëm 5 minutash Mbappe ka rikthyer barazpeshën në Camp Nou. 22 vjeç dhe 2 muaj, Kylian Mbappé tashmë ka shënuar të paktën një gol në Paris, Mynih, Dortmund, Moskë, Shën Petersburg, Torino, Manchester, Liverpool, Madrid dhe Barcelona! Mbyllet 1-1 pjesa e parë.

PSG ka përmbysur gjithçka me Kylian Mbappe në 65’. Sulmuesi francez ka realizuar golin e dytë të mbrëmjes pas një aksioni të bukur dhe pas asistit të Florenzit, që edhe pse është devijuar nga Pique, ka mbërritur te këmbët e sulmuesit që nuk ka falur.

Por, PSG nuk u mjaftua me golin e 2-1 dhe Kean realizoi edhe golin e 3-1. Makth total dhe eklips për katalanasit. Nuk do të mbaronte këtë revanshi parizien, pasi në 85’ Mbappe shënon golin e katërt. Ndeshja e kthimit, me këtë Barcelonë, nuk ka enigma.

Në ndeshjen tjetër, Liverpool ka treguar petkun në Champions. Pavarësisht humbjeve radhazi në Premier League, Të Kuqtë fituan 2-0 ndaj Leipzig, ndeshje që u zhvillua në Budapest. Profesori Klopp i jep leksion nxënësit Nagelsman.

Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 53-të. Ishte Mohamed Salah që ka kaluar në avantazh ekipin e tij. Egjiptiani ka marrë një “asist” të artë nga mesfushori i gjermanëve Sabitzer dhe nuk ka falur. 5 minuta më mbrapa ka ardhur edhe goli i dytë i anglezëve, i realizuar nga Mane. Me 2-0 Liverpool shkon i qetë në kthim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN