MENU
klinika

Diferenca të frikshme

Anglia vlen mbi 1 miliardë euro, Kombëtarja jonë 82 mln

27.03.2021 - 14:53

Vlerat e futbollistëve ndryshojnë nga viti në vit, po ashtu edhe skuadrat luhaten nga blerjet apo largimet. Mirëpo edhe vlerat e ekipeve kombëtare ndryshojnë. Disa futbollistë mund të vlerësohen në kuota prej 100 milionë euro, referuar tregut të transferimeve.

Shifrat që “komandojnë” disa nga këto yje janë vërtet marramendëse dhe gjithashtu tregojnë cilësinë individuale brenda secilës skuadër kombëtare. Kombëtarja shqiptare vlen 82 milionë euro dhe renditet e 44-ta në botë sa i përket vlerës së futbollistëve kuqezinj.

Një vit më parë Shqipëria renditej në vendin e 56-të, por me ardhjen e Kumbullës, një lojtar që vlen 30 milionë euro, ka rritur ndjeshëm vlerën e Kombëtares shqiptare. Shqipëria lë pas vendet e Ballkanit, është më e kushtueshme se Greqia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Rumania dhe Bullgaria. Vetëm Kroacia dhe Serbia janë më lart.

Vendi i parë mbahet nga Anglia, që vlen 1 miliardë e 290 milionë euro. Kjo falë futbollistëve si Harry Kane apo Sterling. Dikur ishte Brazili që mbizotëronte, por tashmë ka rrëshkitur në vendin e katërt. Në vendin e dytë është Franca, me 1 miliardë e 240 milionë euro.

Franca nuk ka lojtarin më të vlefshëm, Mbappé  kushton 180 milionë euro, por Anglia ka kombëtaren më të shtrenjtë në kontinent. 25 lojtarët, që Gareth Southgate ka grumbulluar për tri ndeshjet kualikuese të Kupës së Botës 2022, sipas faqes së specializuar të internetit “Transfermarkt”, kushtojnë më shumë se 1.070 milionë euro.

Një ekip, gjithashtu i blinduar në të gjitha repartet, që konsiderohet një nga favoritët kryesorë për të fituar Kampionatin Europian këtë verë, sigurisht edhe Kupën e Botës vitin e ardhshëm. Nisur nga mosha dhe talenti, ndër emrat më të vlefshëm të “Tre Luanëve” janë Harry Kane (120 milionë euro), Sterling (100 milionë) dhe Rashford (85 milionë).

Fjala vjen, Jadon Sancho (100 milionë euro) nuk ka qenë në gjendje të grumbullohet kësaj here për shkak të dëmtimit dhe Alexander-Arnold (100 milionë) është lënë jashtë me vendim teknik.

Yje në sulm dhe mesfushë, ku Foden (70 milionë euro), Mount (60 milionë), Saka (60 milionë) dhe Ries (60 milionë) kombinojnë cilësinë e provuar në skuadrat e tyre. Mosha e të katërve është vetëm 21 vjeç.  Nuk mund të harrojmë edhe mesfushorin e Dortmundit, Bellingham, i cili në moshën vetëm 17 vjeç vlerësohet tashmë 35 milionë euro.

Kombëtaret e tjera bien poshtë 1 miliardëshit, me Gjermaninë në vendin e tretë që kushton 872 milionë euro. Argjentina, edhe pse në gjirin e vet ka Lionel Messin, renditet e fundit ndër 10 kombëtaret më të kushtueshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN