MENU
klinika

"Nëna dhe fëmija" - Teatri Online

Marrëdhënie e munguar, apo incest?!

11.03.2021 - 17:33

       … Nëna (Ema Andrea) qëndron e ulur në karrige, me shikimin nga i biri (Matia Llupa), i cili, pas 20 vitesh, ka ardhur për ta takuar. Distanca që kanë dy personazhet, vërehet që në fillim. Djali ka ardhur për ta takuar nënën, të cilën e ka lënë nën kujdesin e gjyshes e pastaj të babit. I zhytur në mendime në mesin e të cilave edhe pyetja – “ndoshta do ishte më mirë sikur të mos kisha lindur fare?..”

Nëna flet për shkresa, duke dashur ta bindë të birin se ka arritur diçka në jetë, duke i treguar se nuk mund të jetonte një jetë ku s’do kishte asgjë përveç titullit ‘nënë’, gjersa tregon se çfarë mendon për gratë dhe zbërthen jetën e saj.

Ka shumë tension brenda këtyre dy karaktereve, duke filluar nga një dëshirë për të fjetur në gjoksin e nënës, një mundësi që djali ishte fryt i një shtatzënie të padëshiruar, apo dëshira e saj për të qëndruar dhe pirë një gotë verë…

“Nëna dhe fëmija” u shfaq në netët e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu On”, që po zhvillohet online.  Në role, janë aktorët Ema Andrea dhe Matia Llupa.

Në faqen e Teatrit Kombëtar shkruhet, se, shfaqja “Nëna dhe fëmija” trajton njerëz që vuajnë nga izolimi total, vetmia dhe vështirësitë në komunikim. Në materialin e publikuar nga teatri, për shfaqjen e lartpërmendur, thuhet se personazhet e Fosse-së, janë të ngecur në mendimet e tyre dhe fjalët e tyre janë monologë, që ndonjëherë kthehen në bashkëbisedim.

“Ata janë të burgosurit e përjetshëm, të cilët ngarkojnë veten dhe të tjerët. Por, ata nuk janë krijesa indiferente, por janë plot shqetësim shpirtëror, e cila mund të quhet aftësi parandjenje. Karakteret të Fosses janë të ngecur në mendimet e veta dhe prandaj fjalët të shprehura në fakt janë monologë, të cilët ndonjëherë shkasin dhe bëhen komunikim. Atmosfera e sikletshme e tregon sekretin, i cili është i mbytur në të kaluarën dhe çdo komunikim është pak nostalgjik, zbulon ose mbetet i shtypur në egon e karakterit. Por në atë ndjesi melankolike dhe boshllëku as nëna, as fëmija ekzistencialisht nuk gjejnë qetësinë dhe heshtjen e dëshiruar, nuk janë në gjendje të bien në paqe me demonët (shpirtrat) personalë, të cilët i përndjekin”, thuhet në material.

Vepra e autorit Jon Fosse, vjen me regji nga Dino Mustafiç.

Skenograf Klod Dedja, kostumografe Berina Kokona dhe kompozitor Ilir Bajri. As/regjisore Melissa Becovic dhe koreograf Gjergj Prevazi. Dramaturge Zelkja Udovicic Plestina.

Jon Fosse është një nga shkrimtarët bashkohorë norvegjezë, nga më të përkthyerit e të interpretuarit. Kritikët e kanë cilësuar si një nga autorët më inteligjente të dramës dhe letërsisë bashkohore.

Festivalit Mbarëkombëtar “Moisiu On”, po zhvillohet i organizuar nga Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me përcjelljen e shfaqjeve çdo mbrëmje, prej orës 19:00, livestream në Facebook-un e Teatrit Kombëtar dhe të teatrove pjesëmarrëse.

Nata finale dhe ndarja e çmimeve, pritet të mbahet në 15 mars.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN