MENU
klinika

Mesatare e ulët e pikëve

Milan në rënie, vend i 6-të për 2021-n

05.03.2021 - 14:53

Milani në vitin 2020 bëri një paraqitje mbresëlënëse dhe u duk sikur po shkonte i qetë titullit kampion këtë sezon, por situata në 2021 ka ndryshuar totalisht. Kuqezinjtë nuk janë më në krye, ndërsa Inter është shkëputur.

Tani “Djalli” duhet të tregohet paksa më i zgjuar: të vendosë të mos shohë më nga “qielli”, por të nisë më mirë të shohë pas shpatullave, duke qenë se vetëm në javën e fundit, me përjashtim të Napolit, Juventusi dhe Atalanta u kanë marrë edhe dy pikë të tjera kuqezinjve.

Nëse sheh edhe kalendarin që e pret deri në fund të muajit mars, përpara pauzës së kombëtareve, sfidat janë ndër ata delikatët dhe të rrezikshmit, si Verona, United, Napoli, sërish Manchester dhe më pas Fiorentina.

Nëse llogarisim rezultatet e vitit 2021, Ibra me shokë janë vetëm të gjashtët në renditje, e thënë ndryshe me 1.72 pikë për ndeshje (19 pikë në 11 takime në Serinë A). Kjo kuotë e Milanit është e barabartë me atë të Napolit, ndërsa skuadra që komandon renditjen e vitit 2021 është Atalanta me 2.36 pikë për ndeshje, e ndjekur nga Interi me 2.3, Juvja me 2.27, Lazio me 2.2 dhe Roma me 1.8.

Siç tregojnë numrat e sezoneve të fundit, për t’u kualifikuar në Champions, nevojitet një mesatare prej 2 pikësh për ndeshje. Milani në vitin 2021 është në rënie, nuk është as në normën minimale të mesatares së pikëve.

Nëse zgjerojmë edhe më shumë horizontin për të studiuar udhëtimin e bërë nga kuqezinjtë, duke futur në mes edhe daljet në Ligën e Europës, bilanci flet për 7 fitore, 3 barazime dhe 5 humbje, në 15 ndeshje në këtë vit.

Më i dobëti nga të gjithë është muaji shkurt, në të cilin janë regjistruar vetëm 2 fitore në 6 ndeshje dhe në Ligën e Europës, u kualifikuan për në 1/ 8-at me dy barazime. Madje, pas fitores 4-0 ndaj Crotones më 7 shkurt, e vetmja ndeshje në të cilën Milani ka bërë gol me aksion është ndaj Romës dhe mban firmën e Rebiç. Pjesa tjetër e golave ka ardhur me penallti dhe autogol.

Gjithsesi, në të gjithë këta numra jo për t’u mburrur, ka edhe një sinjal pozitiv që solli ndeshja me Udinesen. Fundja, goli në minutën e 97- të tregon se ky Milan kërkon të besojë deri në fund dhe për të arritur objektiva të rëndësishëm, të luftosh deri në sekondën e fundit nuk është diçka e vogël.