MENU
klinika

Synimi kryesor: Qëndrimi i Messit

Zgjidhet president i Barçës, Laporta menjëherë në sulm

08.03.2021 - 13:14

Joan Laporta u zgjodh president i Barcelonës dhe menjëherë ka nisur punën për ringritjen e klubit blaugrana. Siç mësohet, Pini Zahavi dhe Fali Ramadani, agjentët e David Alaba, ishin në Barcelonë javën e kaluar dhe u takuan me Joan Laporta, për të diskutuar mundësinë që ai të luajë me Barçën nga sezoni i ardhshëm.

Laporta iu kërkoi agjentëve të prisnin, që ai të zgjidhej president, për t’i bërë një propozim zyrtar lojtarit austriak, i cili, për shkak të shkathtësisë së tij, do të ishte vendimtar për skuadrën e Barçës.

Alaba mund të luajë në pozitat e qendrës së majtë, ku Blaugrana-t kanë shfaqur kaq shumë probleme në të kaluarën e afërt; gjithashtu edhe si mbrojtës i majtë, ku mund të “mbulonte shpinën” e Jordi Alba në ato ndeshje më fizike, në të cilat ky i fundit vuan në Europë.

Laporta e di se nuk do të jetë e lehtë për të kontraktuar Alaba, sepse ka marrë propozime të fuqishme, të tilla si Real Madrid, ndërsa lojtari kërkon një pagë të lartë. Megjithatë, ai e di se ka formula për ta bindur austriakun.

Objektivi i presidentit të ri është të joshë agjentët dhe lojtarin, për të cilin ka referencat më të mira në nivel sportiv dhe personal. Por një nga synimet kryesore është të mbajë Lionel Messin në ekip. E kush nuk do të donte pastaj të luante me yllin argjentinas.