MENU
klinika

Tenis

Eliminohet Nadal, një nga ndeshjet më të dobëta

17.04.2021 - 11:38

Pas eliminimit të Novak Djokovic dhe të Alexander Zverez, përkatësisht numri 1 dhe 6 në botë, edhe tenisti spanjoll Rafael Nadal është eliminuar nga turneu Masters i Monte Carlos.

Në raundin çerekfinal ai u mund 2-1 (6-2, 4-6, 6-2) nga rusi Andrey Rublev. Një humbje e papritur e “mbretit” të fushave me dhè, që nuk dha atë që pritej në këtë ndeshje, ndoshta një nga sfidat e tij më të dobëta në këtë sipërfaqe.

Një lojë e mirë e Rublev, që befasoi të gjithë me paraqitjen e tij në fushë, duke e merituar kualikimin për në gjysmëfinale, ku do të luajë ndaj norvegjezit Casper Ruud.

Ndoshta Nadal, tashmë 35 vjeç, nuk ka më atë freskinë e zakonshme në fushë edhe pse ky ishte vetëm turneu i parë për të në fushat me dhè. Kështu ai humb mundësinë të marrë vendin e dytë në renditjen botërore, që mbahet nga rusi Medvedev, që për fatin e keq, doli pozitiv dhe mbetet në karantinë.