MENU
klinika

Serie A, Java 33

Lazio “leksion” Milanit, kuqezinjtë zbresin të pestët

26.04.2021 - 21:43

Surpriza në zonën Champions në Serie A. Lazio fiton në shtëpi bindshëm 3-0 ndaj Milanit dhe hap totalisht llogaritë për një vend në Ligën e Kampioneve, ndërsa Inter mund të shpallet kampion në fundjavë.

Lazio ka marrë avantazhin brenda 78 sekondash. Autor i golit ka qenë Joaquin Correa, me argjentinasin që ka tundur rrjetën pas një kundërsulmi të shpejtë. Sulmuesi ka shmangur portierin Donnarumma dhe më pas ka çuar topin në rrjetë me portën bosh.

Në fundin e pjesës së parë Lazio shënon golin e dytë me Lazzarin, por anulohet për jashtë loje. Lazio ka shënuar golin e dytë në fillimin e pjesës së dytë, por që ka shkaktuar shumë polemika.

Correa ka mposhtur përsëri Donnarummën, por nisja e aksionit është një faull ndaj Calhanoglu, e shkaktuar nga Lucas Leiva. Gjyqtari Orsato pa episodin në VAR, por çuditërisht konsideroi gjithçka të rregullt, edhe pse pamjet thonë krejtësisht të kundërtën.

Për të ardhur në minutën e 87-të, kur Immobile shënon golin e tretë dhe të nokautit. Mbyllet 3-0, Lazio shkon në kuotën e 61 pikëve, 5 larg zonës Champions, por bardhekaltrit kanë një ndeshje më pak.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN