MENU
klinika

Serie A, Java 32

Napoli me “5 yje”, Hysaj dhuron një asist

22.04.2021 - 21:46

Gara për një vend në Champions për sezonin e ardhshëm nga Serie A po bëhet e fortë në fund. Por duket se Milan, Atalanta, Juventus dhe Napoli do të diskutojnë 3 vendet pas Interit kryesues.

Kjo pasi Napoli fitoi thellë në shtëpi 5-2 ndaj Lazios, një rival direct, plus që Roma u ndal pak më herët nga Atalanta. Të kaltrit tregojnë se nuk janë dorëzuar, me Elseid Hysajn që si titullar bëhet protagonist me një assist.

Sfida nisi perfekte për vendasit që në 11 minutat e para, pasi Insigne dhe Politano shënuan, duke çuar ndeshjen në rezultatin 2-0. Edhe pse nisi vrullshëm, pjesa e parë u mbyll 2-0, ndërsa fraksioni i dytë do të sillte një lumë golash, ose më saktë supergolash.

E nisi Insigne, i cili pas një aksioni me Elseid Hysajn, shënoi një supergol me një goditje perfekte në trekëndësh. Pas italianit, ishte Mertens, i cili shënoi një tjetër eurogol me një goditje të fortë, që la pa asnjë shans portierin Reina.

Lazio u rifut në lojë me një gol të Immobiles, që u pasua nga një ekzekutim perfekt i goditjes së dënimit nga Milinkovic-Savic. Për t’i dhënë fund dhe një herë ndeshjes mendoi Osimhen, i cili erdhi nga stoli dhe vulosi gjithçka në 5-2.