MENU
klinika

Real Madrid-Barcelona

Shifrat, të veçantat dhe deklaratat për “El Clasico”

09.04.2021 - 16:04

Fundjava do të jetë e zjarrtë për futbollin Europian. Sfida më me interes luhet në Spanjë në atë që cilësohet edhe si El Classico. Real Madrid dhe Barcelona do sfidojnë njëra-tjetrën në ‘Alfredo di Stefano’ me synimin e vetëm 3 pikët.

Duel që vjen në moment të mirë për të dy skuadrat, të cilat janë në garë për titull këtë sezon të La Liga. Real i Zinedine Zidane nuk humbet prej 12 sfidash dhe gjendet i treti, me 2 pikë më pak se katalanasit.

Në krahun tjetër, Barcelona numëron 9 duele pa humbje në të gjithë kompeticionet dhe ndaj Realit dëshiron fitoren për t’u afruar e Atleticon e Madridit. Real Madrid fitoi takimin e fazës së parë 3-1.

Përballja e së shtunës në mbrëmje do jetë i 279 në historinë e dy skuadrave. Barcelona ka dominuar ndaj rivalit historik. Katalanasit kanë fituar 115 sfida, kundrejt 101 ku ka triumfuar Real Madrid, ndërsa 62 janë mbyllur pa fitues.

Raphael Varane, Sergio Ramos, Dani Carvajal dhe Eden Hazard do të jenë katër mungesat e mëdha të Real Madridit për “El Clasico”. Derisa Ramos është i dëmtuar dhe Varane i izoluar për shkak të koronavirus, Hazard ka së paku 10 ditë që po stërvitet me ekipin.

U raportua se belgu mund të jetë në gjendje të mirë për t’u ftuar më në fund dhe t’i ketë disa minuta në pjesën e dytë, por Zinedine Zidane ka përsëritur disa herë se s’do të rrezikojë me 30-vjeçarin. Kështu, ai ka mbetur zyrtarisht jashtë edhe për këtë ndeshje.

Në krahun tjetër, Gerard Pique dhe Sergi Roberto kanë lënë prapa shqetësimet. Ata janë ftuar nga Ronald Koeman për ndeshjen e së shtunës kundër Real Madridit.

Gjyqtari Jesús Gil Manzano do të ndajë drejtësinë në “El Clasico”. Deri sot, zyrtarisht për sfidën në mes të Real Madridit dhe Barcelonës ishte caktuar, Mateu Lahoz. Por, Lahoz ka probleme muskulore dhe LaLiga e ka zëvendësuar sot atë me Jesús Gil Manzano.

Për Lionel Messin është një gjyqtar shumë i njohur pasi Manzano është i vetmi që e ka ndëshkuar atë me karton të kuq gjithë karrierën e tij në Spanjë. Kjo ndodhi këtë vit në finale të Kupës së Mbretit, kundër Athletic Bilbaos, ku Barça humbi 2-3. Sfida në mes të Realit dhe Barcelonës do të zhvillohet të shtunën nga ora 21:00

Para kësaj sfide, trajneri Zidane u shpreh: “Unë nuk dua që kjo të jetë ndeshja e fundit e Mesit kundër Realit. Më e mira do të ishte të qëndronte te Barcelona. Është  mirë për La Liga-n nëse ai do të qëndronte. Ne e dimë se çfarë lojtar është Mesi.

Ne do të luajmë kundër Barcelonës. Është e vërtetë që Barcelona mburret me Mesin, por dhe lojtarët e tjerë janë shumë të mirë. Ne do të përpiqemi të ndalojmë pikat e tyre të forta, sepse ka shumë. Shpresojmë se nuk do të jetë ‘El Clasico’ e fundit për Sergio Ramos dhe ai të qëndrojë këtu‘’.

Ndërsa Ronald Koeman deklaroi: “Kemi arritur rezultate të mira kohët e fundit, ekipi është i sigurt. Real Madrid është përmirësuar gjithashtu gjatë sezonit. Ne po luftojmë për maksimumin, që do të thotë titulli në La Liga. Për këtë, veçanërisht ndeshja e nesërme është e rëndësishme. Rezultati nuk do të jetë vendimtar, sepse pas klasikes së nesërme ka ende mjaft ndeshje.

Sigurisht, ekipi që fiton do të ketë një moral të rëndësishëm për të vazhduar përpara. Piqué dhe Sergi Roberto? Janë dy lojtarë të rëndësishëm, jo vetëm për shkak të cilësisë së tyre. Ata janë mirë fizikisht, shumë të entuziasmuar, duan ta ndihmojnë ekipin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rekordi mund të thyhet nga Hansi Flick

Trajnerët që fituan më shumë në 50 ndeshjet e para

Situata në kampin bavarez

Hansi Flick largohet nga Bayern Munchen?