MENU
klinika

Formula 1

Çfarë duhet të bëjë Verstappen për të mposhtur Hamilton

18.05.2021 - 13:51

Katërmbëdhjetë pikë e ndajnë Max Verstappen nga Leëis Hamilton në renditjen e kampionatit botëror të këtij vitit në Formula 1. Hendeku mund të zgjerohet në pasditen e së dielës, nëse piloti i Red Bull nuk arrin të kthehet triumfues në edicionin e 78-të i Çmimit të Madh të Monte Carlos.

Një pistë ku Red Bull nuk ka fituar asnjëherë, edhe kur për skuderinë austriake garonin Weber dhe Vettel, me këtë të fundit që u shpall dy herë kampion bote. Pra, historia nuk e ndihmon në këtë rast Verstappen, që maksimumi që ka bërë në Monaco, është vendi i dytë në vitin 2018.

Po çfarë duhet të bëjë Verstappen që të mposhtë Hamilton dhe dominimin e Mercedes. Fare e thjeshtë: të dalë i pari në garat për pole-position dhe skuderia të zgjedhë një strategji efikase në pit stop, që mos humbë asnjë sekondë.

Dihet që pista e Montecarlos është më e vështira për të parakaluar. Ka vetëm një pjesë ku parakalimi mund të ndodhë, pjesa e tunelit, por diferencat e vogla në shpejtësi mes Mercedes dhe Red Bull thuajse e bëjnë të pamundur. Pastaj është menaxhimi i mirë i makinës. Gara e radhës është e shquar për aksidente dhe duhet gjakftohtësi.

Monte Carlo rikthehet pas një viti mungesë për shkak të pandemisë, madje do të ketë edhe tifozë. Plot 7500 bileta janë prerë për eventin e fundjavës, pa llogaritur personat në dritaret e shtëpive dhe ata që e ndjekin nga jahtet.