MENU
klinika

Presidenti i FSHF

Duka nga Kukësi: Mezi presim të inagurojmë stadiumin!

07.05.2021 - 14:11

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, zhvilloi ditën e sotme një vizitë në Kukës ku inspektoi punimet në stadiumin e ri të këtij qyteti, i cili është një investim 50% i FSHF-së dhe 50% nga Qeveria shqiptare.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ishte i shoqëruar në këtë vizitë nga kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici dhe nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj.

Presidenti Duka pa nga afër ecurinë e punimeve, ndërkohë që duhet theksuar se stadiumi ka marrë formë dhe brenda pak muajsh pritet të jetë gati. Stadiumi i ri i Kukësit do të plotësojë të gjitha kriteret që duhen për të pritur edhe ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare.

Në prononcimin e tij gjatë inspektimit, Presidenti Duka foli për problematikat që janë shkaktuar nga pandemia Covid-19, por u shpreh shumë optimist për përfundimin në një kohë të shpejtë të këtij impianti të ri modern.

“Stadiumi nuk është në ritmet që kemi pritur por asgjë nuk është në ritmet që kishim menduar të gjithë para pandemisë. Kemi kaluar një kohë të pazakontë, që ka qenë pandemia dhe krahasimisht me periudhën dhe me kohën jam i surprizuar me nivelin e punimeve sepse mendova se pandemia do ta kishte penguar më shumë.

Nuk ka penguar vetëm kompaninë, ka penguar çdo gjë, në jetët tona, jo vetëm shqiptare por në të gjithë globin. Na ka penguar edhe neve, në pikëpamjen financiare kemi pasur vështirësi për ta financuar kompaninë dhe për të vazhduar me ritme akoma më të shpejta.

Kemi pasur objektiv për ta mbaruar më shpejt, por gjithsesi tashmë kemi një objektiv të ri, duke u përshtatur me situatën e re që në shtator ta inagurojmë stadiumin dhe të zhvillojmë ndeshje me ekipin e Kukësit në këtë stadium”.

Gjithashtu, presidenti Duka theksoi se ka pasur një ndryshim të planit të stadiumit, ku bashkë me kryetarin e Bashkisë së Kukësit, kanë rëndë dakord që në projekt të futet edhe ndërtimi i ambienteve të stërvitjes për ekipin si dhe ambientet përpara stadiumit.

“Kjo pjesë e Kukësit, sportdashësit dhe komuniteti sportiv, është me fat që Safet Gjicin, i cili është presidenti klubit dhe kryetar Bashkie, dhe që në rastin konkret mendon akoma edhe më shumë për futbollin, pasi kuptohet që Bashkia ka një mijë e një probleme, ka prioritete, mbase edhe më të rëndësishme se sporti, por duke e pasur nga radhët tona kryetarin e Bashkisë, vëmendja është akoma më e madhe.

Bashkë me kryetarin kemi futur në projekt rindërtimin e të gjithë zonës edhe të ambienteve të stërvitjes për ekipin. Do të ndërtojmë një infrastrukturë të plotë, një projekt zhvillimi për futbollin në Kukës dhe jo vetëm një stadium për të bërë gara.

Gjithashtu, edhe me ambientet përpara, parkimin, me të gjitha gjërat, jo vetëm ato që kemi pasur si objektiv, por mendoj se është përtej ëndrrave tona më të mira ky stadium”.

Sa i përket çështjes së rikthimit të tifozëve në stadium, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u shpreh se kjo është një çështje që i përket strukturave të shëndetësisë, ku edhe i falënderoi për ndihmën e dhënë gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Dëshira e çdo futbollisti, e çdo njeriu që merret me sport është të ketë spektatorë në stadium, jo thjesht për të marrë mbështetjen e tij, jo thjesht për të ndihmuar financat e tij, por për të ndikuar në jetën shoqërore të vendit.

Por duke pasur parasysh se shëndeti është mbi të gjitha, ne nuk mund të insistojmë që ne duhet të kemi tifozë. Janë ata që vendosin rregullat dhe protokollet dhe që përgjigjen për ruajtjen e shëndetit tonë.

Edhe njëherë e përsëris, ne tentojmë një ditë e më parë të kemi tifozë, ndërsa specialistët, mjekët që gjej edhe njëherë rastin t’i falënderoj për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë në këtë periudhë të vështirë, duhet që edhe ata të bëjnë detyrën e tyre.

Siç jemi edhe të informuar ditët e fundit, grafiku i infektimit ka rënë, jemi më pak nën kanosjen e virusit, gjithashtu, vaksinimi po vazhdon dhe të paktën të urojmë dhe të shpresojmë që në shtator të jemi me kapacitete të plota në stadiume dhe në çdo aktivitet të jetës sonë”, – përfundoi Presidenti Duka.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, falenderoi Presidentin e FSHF-së për praninë e tij në stadium ndërsa u shpreh se stadiumi do të jetë i gatshëm të presë jo vetëm ekipin e Kukësit por edhe ekipet Kombëtare të moshave.