MENU
klinika

'Pa SHBA nuk ka dialog"

Përfshirja direkte e SHBA është jetike për dialogun

29.05.2021 - 12:51

Partitë opozitare në vend janë duke kërkuar përfshirjen e ShBA-së në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë kërkesë ata ia paraqitën edhe kryeministrit Kurti, në takimet që i zhvilluan me kryeministrin ditë më parë. Përfshirjen e SHBA-së në dialog po e shohin të domosdoshme edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend. Profesori universitar Blerim Latifi, analisti Fitim Salihu dhe Donika Emini nga “Civikos”, për Express flasin për rolin që duhet ta ketë SHBA në këtë proces.

Gazeta Express

Kryeministri Albin Kurti u kërkoi opozitarëve takim për të biseduar rreth procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. E ata, Kurtit nuk i shkuan duarbosh në konak. Sikurse lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ashtu edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kryeministrit i shkuan me proppzime. Kërkesa e përbashkët e të dyve ishte edhe përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), në dialogun Kosovë-Serbi.

E përfshirja e ShBA-së në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë po shihet si domosdoshmëri edhe nga njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Profesori universitar, Blerim Latifi ka thënë për Express, se përfshirja e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, do të ndikonte fuqishëm në dinamikën e procesit. Sipas tij, problemi i vetëm është dëshira e tyre për tu përfshirë në këtë proces.

“Sigurisht që përfshirja e ShBA-ve në procesin e dialogut Kosovë- Serbi do të ndikonte fuqishëm në dinamiken e këtij dialogu, kjo as që diskutohet, por problemi është se a duan ShBA-të ta marrin përsipër një rol aktiv në dialog. Kjo është diçka që nuk varet nga dëshirat tona. Me gjase administrata e Biden do të vazhdoj kursin e Obames, i cili ia pat lënë në dorë Bashkimit Evropian gjithë dinamiken e dialogut. Nëse veç ndodhë kjo, shpresat për një marrëveshje të afërt midis Kosovës e Serbisë, mbesin të zbehtë”, ka thënë Latifi për Express.

Në anën tjetër, analisti Fitim Salihu ka thënë që pa përfshirjen e ShBA-së në proces, Kosova nuk ka garanci për t’i përfunduar negociatat me Serbinë. Madje Salihu theksoi se ai nuk i beson dialogut që udhëhiqet nga ndërmjetësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak.

“Mendoj që pa involvimin e ShBA-së, Kosova nuk ka garante stabile për t’i përfunduar negociatat me Serbinë. BE-ja është dëshmuar e paaftë që t’i bëjë presion Serbisë për ta njohur Kosovën. Për më tepër që, duke mos ia liberalizuar as vizat Kosovës, BE-ja e ka humbur kredibilitetin për ta facilituar e vetme këtë proces. Unë personalisht nuk i besoj një dialogu që e ndërmjetëson Mirosllavi me hartat e Millosheviqit prapa shpine”, ka thënë analisti për Express.

Në ndërkohë, Donika Emini nga organizata “Civikos”, tha për Express, se përfshirja e ShBA-së në dialog është e domosdoshme për t’i dhënë fuqi procesit.

“Duhet të përfshihen normalisht. Përfshirja e ShBA-së në dialog vjen ose krahas asaj të BE-së ose me një rol siç ka ndodhur me ish-ambasadorin Grenell. Ka shumë gjasë që të ketë një emisar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përfshirja e tyre është e domosdoshme për t’i dhënë procesit një fuqi politike të cilën për momentin BE-ja nuk e ka, kur e dimë që disa shtete përfshirë edhe Gjermania janë në vit elektoral. Përfshirja e ShBA-së është e domosdoshme por në fakt edhe vet ShBA-në në rastin e Kosovës e kanë përmendur njohjen reciproke. Kjo deklaratë nuk ka ardhur fuqishëm nga vendet e BE-së apo nga BE-ja, siç ka ardhur nga Biden në dy letrat e tij”, ka thënë Emini.

Kryeministri, Albin Kurti, të mërkurën ka zhvilluar takim me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ku ky i fundit i ka kërkuar përfshirjen e ShBA-së në dialog.

“Pjesëmarrja e ShBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të ShBA-së në dialog nuk mund të ketë dialog. Kjo është e padiskutueshme dhe është pjesë e dokumentit që ia kemi dorëzuar kryeministrit”, ka thënë ai.

Përfshirje të ShBA-së në dialog, të martën ka kërkuar edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Konsiderojmë se është tepër me rëndësi që Republika e Kosovës ta bëjë të qartë se adresa kryesore për Kosovën për sa i përket dialogut, është Ëashingtoni zyrtar dhe se cfarëdo synimi për rrëshqitje të dialogut në nivel teknik është kthim prapa”, tha Haradinaj dje pas takimit me kryeministrin Kurti./GazetaExpress/