MENU
klinika

"Çatia e botës"

Pushtimi i Everestit: ëndrra që lindi 100 vjet më parë!

18.05.2021 - 13:00

         Më 18 maj 1921, u nis ekspedita e parë për të pushtuar Everestin. Megjithatë, maja më e lartë e botës u arrit vetëm 32 vjet më vonë. Një shekull më parë, do niste aventura e Everestit: mali më i lartë i botës: 8,848 metër mbi nivelin e detit./Konica.al

Më 18 maj 1921, katër alpinistë: (Harold Raeburn, Alexander Kellas, George Mallory dhe Guy Bullock) dhe katër shkencëtarë (natyralisti dhe mjeku Sandy Wollaston, gjeologu Alexander Heron dhe hartografët Henry Morshead dhe Edward Wheeler), të udhëhequr nga shefi i ekspeditës, koloneli Charles Howard-Bury, lanë Darjeeling, për atë që do të hynte në histori si ekspedita e parë për të tentuar pushtimin e Everestit. Shoqëruesit kishin rreth dyzet sherpas (banorë të Nepalit ose Tibetit), të punësuar për njohjet shekullore të atyre maleve dhe të destinuar të bëheshin bashkë-protagonistë shpesh lënë në harresë.

Ekspedita, e organizuar nga “Royal Geographical Society” dhe “Klubi Alpin Britanik” i mbledhur në Komitetin e Malit Everest, kishte kërkuar muaj përgatitje teknike, por jo vetëm: në të vërtetë, thelbësore qe puna diplomatike që kulmoi në dhjetor 1920, me lejen për të kaluar territorin e Tibetit, dhënë nga Dalai Lama. Marshimi drejt Everestit u zhvillua normalisht, por pas 5,000 metrash, Alexander Kellas, në vështirësi që ditët e para, u shemb dhe vdiq, mbase nga ataku kardiak. Ishte 6 qershor 1921. Nuk mund të ndaleshin: George Mallory, alpinisti i destinuar ta lidhte fatin e tij me Everestin dhe shoku i tij Guy Bullock, mundën pas disa përpjekjesh, të arrinin në 7 000 metrat e Colle verior. Ishin era dhe temperatura, arsyet që e detyruan ekspeditën të kthehej nga kishte ardhur. Everesti kishte fituar, por ishte zbuluar rruga drejt majës./Konica.al

Respiratori i parë

Pas iniciativës së parë, sfida për të pushtuar Everestin nuk u ndal dhe më 1922, filloi një ekspeditë e dytë, me një risi të madhe: George Finch, fizikant australian dhe alpinist i aftë, kishte zhvilluar “aparatin e parë respirator në histori”, apo një çantë shpine me katër cilindra çeliku fiksuar në anët. Nuk do të ndihmonte për të arritur majën e Everestit, por ishte thelbësore në thyerjen e rekordit të ri, në lartësinë: 8,326 metra. Dy vjet më vonë, qe anglezi Edward Norton që arriti 8,580 metra, gjatë ekspeditës së tretë të madhe. Nisma e fundit, gjithashtu hyri në histori për zhdukjen e George Mallory-t (i vetmi që ishte gjithmonë i pranishëm, në ‘21, ‘22 dhe ‘24) dhe Andrew Irvine-t: ishin parë për herë të fundit në 8 qershor 1924, para se të humbnin njëherë e përgjithmonë gjurmët, mbështjellë nga një stuhi dëbore.

Pas tragjedisë së vitit 1924 pati një ngadalësim. Ekspeditat u rralluan, po njëherazi ishte e nevojshme përfundimi i Luftës së Dytë Botërore që gara të rifillonte, e favorizuar edhe nga hapja e kufijve nepalezë, por jo vetëm. Falë teknologjisë së eksperimentuar në luftë, pajisjet e alpinistëve ishin bërë më teknike. Shtresat e pulovrave të leshta dhe xhaketave prej stofi të viteve 1930 u zëvendësuan me xhaketa termike me pupla, ndërsa litarët e kërpit ia lanë vendin najlonit.

Në çatinë e botës

Rezultatet nuk vonuan të vinin: në 1952 alpinisti zviceran Raymond Lambert dhe sherpa nepalez, Tenzing Norgay, vunë rekord të ri, duke arritur kuotën 8,600 m. Viti pasues qe ai i pushtimit. Në orën 11:30 të mëngjesit, më 29 maj 1953, vetë Tenzing Norgay dhe Edmund Hillary, një bletar neozelandez, që prej vitesh praktikonte alpinizëm thuajse me kohë të plotë, arritën në majën e Everestit. Pikërisht atëherë, kur Hillary shkrepi fotografinë më të famshme në historinë e alpinizmit, atë me Tenzing që ngrinte lart në shenjë fitoreje një sëpatë akulli, pas së cilës ishin lidhur flamujt e Mbretërisë së Bashkuar (ekspedita ishte britanike), të Nepalit, të Indisë dhe Kombeve të Bashkuara. Në atë çast, Hillary zbriti disa hapa deri në kreshtën verilindore: shpresonte të gjente gjurmë të lëna në 1924-ën, nga Mallory dhe Irvine, mbase edhe trupat e tyre, por nuk gjeti gjë./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bonita Norris: Për pak ngriva e gjitha

Ëndërrimtarja kokëfortë e Everestit

“Ngeli” e jetoi gjithnjë e dhunuar në Vlorë

Historia e çuditshme e familjes austro-hungareze


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit