MENU
klinika

Katundi kalabrez

Shqip në Santa Sofia d’Epiro

24.05.2021 - 18:33

       Katundi arbëresh Shën Sofia (Ital: Santa Sofia d’Epiro), me mbi 2500 banorë në provincën e Kozencës në Kalabri është një vend plot shije, stil e bukuri. Arbëreshët e këtushëm në masë ruajnë traditat nga etërit shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet dhe traditat tipike.

Sot kur shumica e fshatrave arbëreshe në Italinë e Jugut edhe më tej gjenden në një lloj mbylljeje, sa i përket aktiviteteve kulturore, e sidomos manifestimet tradicionale arbëreshe, një mbyllje e tillë është e vështirë sidomos për këtë qytezë arbëreshe, ku gjatë periudhës së mëhershme kishte një aktivitet të gjallë kulturo-artistik e sportiv. Krahas mbishkrimi në gjuhën italiane e shqipe, hasëm një vajzë që shëtiste me shqipen dy krenare në çantat e krahut me mbishkrimin “Shqiponja”, sipas emrit të grupit të këtushëm të këngëve dhe valleve. Është ky grupi artistik që pata rast ta njoh për dy-tri vite ta shoh në manifestimin tradicional në “Festën e Valleve” në Çifti/ Qivita, ku grupi “Shqiponja i Shën Sofisë thuaja se ishte kurora e kësaj ngjarje të madhe kulturore arbëreshe.

Nga një shkrim i Dr. Bexhet Asanit, me banim në Amerikë (një adhurues i madh i arbëreshëve), mësojmë se: Grupi popullor “Shqiponjat” lindi në komunitetin arbëresh të Shën Sofis së Epirit në pranverën e vitit 1994 dhe u bë një shoqatë 10 vjet më vonë. Qëllimi i grupit të valleve dhe këngëve arbëreshe “Shqiponjat” është ruajtja dhe përhapja e trashëgimisë artistike, historike dhe kulturore e arbëreshëve në përgjithësi dhe të arbëresheve të Shën Sofisë në veçanti…” Mësojmë gjithashtu se ky grup artistik synon edhe përmes prezantimeve e koncerteve, të : “mbajnë të gjallë adetet, zakonet, veshjen, muzikën, vallet, këngët, fenë dhe trashëgiminë tradicionale kulturore kombëtare arbëreshe, e cila është unike në thelb, pa marrë parasysh nuancat që dallojnë nga fshati në fshat, apo nga qyteti në qytet, në krahinat e Kalabrisë dhe të Siçilisë”…

Përndryshe, veshja në kulturën arbëreshe, luan rol të veçantë e sidomos këtu në Shën Sofia, ku edhe janë edhe stolitë më të veçanta gjatë manifestimeve kulturore artistike, aq më parë që çdo katund arbëresh ka stilin e vet në bërjen e rrobave tradicionale, thuajse tërësisht me dorë. E veçanta tjetër është se popullsia e varfër, ata që mbërritën në Kalabri nga Shqipëria, megjithatë varfëri nuk hoqën dorë nga bukuria dhe mbretëria e rrobave të tyre. Kjo më së miri dëshmohet edhe përmes muzeut shumë të pasur me kostume arbëreshe në katundin e Shën Sofisë.

Muzeu i Kostumit në Shën Sofia apo Santa Sofje d’Epiro është ngritur në Palazzo Bugliari, një ndërtim i mesit të shekullit XIX, i njohur më mirë si Kultura Palazzo della dhe ku është edhe selia e Bibliotekës Komunale. Pra vet veshja, në kulturën arbëreshe, është një nga manifestimet më kulturore artistike. Dihet se çdo qendër arbëreshe ka stilin e vet në bërjen e rrobave të saj tradicionale tërësisht me dorë: duke parë të gjitha së bashku, matrica e zakonshme njihet qartë, por në të njëjtën kohë identifikohen veçantitë e secilës veshje. Megjithëse popullsia e varfër, ata që mbërritën në Kalabri nga Shqipëria nuk heqin dorë nga bukuria dhe mbretëria e rrobave të tyre.

Përmes muzeut me veshje kombëtare përmes manekineve, mund të vëzhgoni historinë e një populli nga një këndvështrim sigurisht i pazakontë, por shumë tërheqës; ekspozita në fakt, përfshinë veshje të përditshme, kostume festive, gjysmëfestive, për dasmë, apo zi.

Vendasit arbëresh, përfshi edhe këta të Shën Sofisë mësojmë se si ende ruajnë me dashuri traditat e sjella nga baballarët shqiptarë, siç janë gjuha antike, riti bizantin, zakonet, zakonet dhe traditat tipike.

Gjatë vizitës së këtij lokaliteti arbëresh, ia vlen të vizitoni muzeun, si dhe bibliotekën e këtushme. Teksti e fotot: Rexhep Rifati.