MENU
klinika

Dëmshpërblen klubi grek

“Shqiponja” nderon Bathën, fiton në gjyq 240 mijë euro

11.05.2021 - 15:30

Idriz Batha ka dalë i fituar nga përballja në CAS me klubin grek të AEL Larisës. E gjithë historia nisi në vitin 2018, ku palët gjetën marrëveshjen për transferimin e futbollistit teksa mesfushori nënshkroi edhe kontratën.

Mirëpo, paranojat e grekëve filluan në momentin kur panë në profilin e Bathës një foto me simbolin e shqiponjës. Një simbolikë që u interpretua sikur bëhej fjalë për Shqipërinë e Madhe dhe në këtë formë vendosën të prishnin në mënyrë të njëanshme kontratën.

Mirëpo, lojtari i Tiranës filloi proçesin kundër klubit grek dhe së fundmi ka fituar të drejtën e tij për t’u dëmshpërblyer me plot 214.000 euro. Kësaj shumë i shtohet edhe 5% interes nga viti 2018 dhe totali që do të përfitojë Batha është plot 240.000 euro.

Kjo shumë duhet të kalojë në llogaritë e mesfushorit brenda 45 ditëve, në të kundërt AEL Larisa rrezikon bllokimin e merkatos për tre sesione. Në këtë formë, grekët e paguajtën shtrenjtë vendimin për të prishur kontratën vetëm prej një fotoje në rrjetet sociale.