MENU
klinika

Zbulohet formati i ri televiziv

Alfio Rrotani rikthehet në ekran

30.06.2021 - 11:12

Alfio Rrotani për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e ekranit me emisione të ndryshme gatimi. Fillimisht ai u bë i njohur pas fitores në emisionin “Masterchef Albania” dhe më vonë mori vetë nën drejtim programe televizive. Së bashku me Indritin, një tjetër shef kuzhine, ai drejtoi emisionin “Sfida e gatimit” dhe “Bukë e kripë e zemër”.

Prej pak kohësh Alfio është shkëputur nga ekrani, mirëpo kjo pauzë nuk do të zgjasë edhe shumë. I ftuar ditën e sotme në emisionin “Rudina”, Alfio zbuloi se ai do të shfaqet sërish së shpejti në ekranin e “Klan” me një program të ri. Siç mund ta merrni me mend, edhe ky projekt televiziv do të ketë të bëjë me gatimin, dashurinë e tij të madhe. Këtë herë Alfio do gatuajë në vende të veçanta si ujëvarat, liqenet etj, që jo vetëm do të promovojë thesare të fshehura, por edhe kuzhinën tradicionale shqiptare. Ai zbuloi se emisioni i ri nis në muajin korrik, në orën 16:00 në Tv Klan.

“Deri tani kam qenë shumë i ngarkuar me bizneset, por nuk i rri dot larg televizionit dhe nëse ka diçka që kam shumë dëshirë, është të bëj një projekt veror, të kënaqem unë duke e bërë, por të kënaqen edhe ata që e  shohin, sidomos nëse sjell diçka që mund të hyjë në funksion edhe të familjeve sepse do të jetë një emision me gatime në vendet më të bukura të Shqipërisë, afër një ujëvare, afër një lumi, afër një liqeni. Janë teknika gatimi të veçanta, që mund të përdoren pa patur mjete spektakolare kuzhine, por duke bërë një zjarr, një gropë, se ka teknika që gatuhet nën dhe duke ndezur një zjarr sipër”, tregoi Alfio, teksa shtoi se do të ketë 10 puntata dhe personazhe të njohur të ftuar.