Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, është një nga më të vizituarit në Shqipëri.
Përuruar më 1 nëntor të vitit 1982, në kështjellën e Krujës, ky muze ka edhe karakterin e një memoriali, që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira që vizitohen kronologjikisht, sipas ngjarjeve.
Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbrit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV.
Në këtë muze ekspozohen mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavijone të tilla, si ai i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Po aty, ekspozohen objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj.
Tanimë, teknologjia na e sjell më afër edhe lashtësinë, madje e përzien me përditshmërinë tonë: Muzeumet e Krujës vijnë falas, për t’i vizituar online përmes aplikacionit “Muzeumet e Krujës”.
“Kudo që të jeni, muzeumet e Krujës, këtij qyteti me simbolika të forta kombëtare, i keni vetëm një klikim larg. Një ftesë për t’i shijuar nga afër. Shkarkoni falas aplikacionin “Muzeumet e Krujës” për platformat Android dhe iOS”, – vjen lajmërimi nga ministria e Kulturës.
📌Android👇🏻
https://play.google.com/store/apps/details…
📌iOS👇🏻
https://apps.apple.com/us/app/muzeumet-e-krujes/id1566164930
Tashmë, prej disa kohësh, shumë muze në vend janë po përdorin aplikacione për t’u mundësuar vizitorëve të njihen me thesaret brenda tyre përmes internetit, një mundësi kjo, e nxitur edhe nga masat kufizuese, dhe mënyrën e re të jetesës që imponoi pandemia.
Ky shërbim vjen pa asnjë lloj pagese dhe gjithashtu, jo vetëm për ata që jetojnë brenda, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.