MENU
klinika

Pesë anarkitë

Para dhe pas Fan Nolit…

23.06.2021 - 15:52

          “Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku, duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët e trupin…”

– Nga fjalimi i mbajtur nga FAN S. NOLI në Parlamentin Shqiptar, më 1924 –

 Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive:

FETARE. Katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

SOCIALE. Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë borgjezie. Këtu bujku më bej se beu, beu më bujk se bujku në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

MORALE. Këtu qeni s’njeh të zonë. Këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë dhe ngjyrë, dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

PATRIOTIKE. Këtu brenda një dite, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme, ose ata që janë puthur me andartët dhe i kanë ndihmuar të shenjtërojnë an’e mbanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë që njëri të jetë tradhëtor e të shikoj interesin e tij, sepse kështu do të jetë i sigurt, që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

IDEALEVE. Këtu idealet e shtrembra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buharës përfyten e përplasen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante, më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e këtyre kolltukofagëve, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë që mund t’i copëtosh, por jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon, se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë, ahere ai kapi me dorën e mëngjër, ia prenë dhe këtë, ahere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa ia prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri, do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku, duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët e trupin…