MENU
klinika

Analiza

“Bukuroshja e fjetur” e BE nuk po zgjohet dot

13.07.2021 - 10:58

Pakti i Bashkimit Europian për bashkëpunimin ushtarak është quajtur si “Bukuroshja e Fjetur” dhe një raport progresi tregon se nisma aq shumë e lëvduar dhe mburrur e ka të vështirë që të zgjohet.

Programi i njohur me emrin PESCO (Permanent Structured Cooperation) bën bashkë 25 vende anëtare të BE-së që do të punojnë së bashku në grupe të vogla për 46 projekte. Projektet përfshijnë fusha nga mbrojtja tokësore, detare, ajrore, hapësinore e deri te ajo kibernetike dhe një gamë bashkëpunimi nga dronët te inteligjenca dhe vëzhgimet.

Por, tre vite e gjysmë pasi PESCO u njoftua me bujë të madhe nga udhëheqësit e BE-së, shumë prej këtyre projekteve janë ende në embrion dhe një numër i konsiderueshëm i tyre kanë djegur afatet e nisjes, sipas një raporti vjetor të siguruar nga Politico.

Dokumenti që është një përmbledhje e progresit në 46 projektet e PESCO-s është një kujtesë se pavarësisht bisedimeve nga disa udhëheqës të BE-së dhe zyrtarë të tjerë drejt asaj që e quajnë “autonomi strategjike”, që synon pavarësinë e bllokut në fushën e sigurisë nga NATO, përpjekjet për bashkëpunimin në fushën ushtarake kanë shumë pengesa.

Në raportin prej 115 faqesh, përgatitur nga sekretariati i PESCO-s dhe që i është dorëzuar 25 vendeve anëtare të këtij pakti muajin e kaluar, thuhet se vonesat janë raportuar për 15 projekte, ku janë shkelur të gjitha afatet kohore. Në gjashtë rast citohet pandemia e Covid si arsye, por në raste të tjera shkaqet nuk përmenden.

Raporti thekson se për 14 projekte është shtyrë pa afat nisja e zbatimit të tyre, ndërsa në gjashtë në gjashtë projekte që kishin datë konkrete për t’u përmbyllur, kjo është shtyrë po pa një datë e vit konkret.

Në të njëjtën kohë, për 8 projekte është përshpejtuar afati i nisjes së tyre, por raporti thekson se asnjë projekt nuk ka një datë përfundimi para afateve të vendosura gjatë nënshkrimit të paktit.

Diplomatët e BE e dinë që PESCO po has në disa vështirësi, por disa këmbëngulin se pakti është në fazën fillestare dhe ajo që ka më shumë rëndësi, sipas tyre, në këtë moment nuk është shpejtësia por ecja në drejtimin e duhur. “Ajo që ka rëndësi është që treni e la stacionin”, citon një diplomat të BE-së Politico.

Një tjetër diplomat thotë se disa nga projektet thjesht ishin të parakohshëm për BE dhe BE vetë është ende duke studiuar se cili do të jetë fati i këtyre projekteve.

Prej dekadash BE ka qenë e përçarë në lidhje me bashkëpunimin ushtarak. Disa vende argumentojnë se mbrojta duhet të qëndrojë një çështje e plotë e qeverive kombëtare, ndërsa disa në BE thonë se PESCO është një projekt paqësor që nuk duhet të ngatërrohet me sferën ushtarake. Disa pretendojnë çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes duhet të diskutohen në kuadër të NATO-s.

Avokatët e idesë së një bashkëpunimi më të madh ushtarak mes vendeve të BE-së thonë se Europa nuk mund të mbështetet gjithmonë te SHBA, apo NATO dhe se vendet e BE-së duhet të bashkëpunojnë në projekte të pavarura nga Uashingtoni dhe NATO. Largimi i Britanisë së Madhe nga BE, largoi një prej vendeve skeptike më të mëdha sa i takon këtij bashkëpunimi.

PESCO është përpjekja e BE për të përmirësuar kapacitetet ushtarake, por pa detyruar që të gjitha vendet anëtare që të bëhen pjesë e kësaj ideje dhe shmangia e dublimit të rolit të NATO-s, një shqetësim madhor sidomos i vendeve të Europës Lindore që përballë Rusisë e shohin aleancën e Atlantikut dhe SHBA si garancinë e tyre më të madhe.

“Bukuroshja” e Juncker

Ish-Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ishte një prej avokatëve më të zëshëm të PESCO-s gjatë viteve që drejtoi Komisionin. Gjatë një fjalimi në qershor të 2017-s, ai tha se kishte ardhur koha që BE të aktivizonte një klauzolë të Traktatit të Lizbonës, që u lejonte vendeve anëtare që ndanin të njëjtin mendim për të çuar çështjet e ushtarake dhe të mbrojtjes në një nivel tjetër.
“Është koha që të zgjojmë bukuroshen e fjetur”, deklaronte ai.

Por, progres-raporti tregon se në shumë raste “Bukuroshja e Fjetur” as që i ka hapur sytë. 21 projekte janë ende në fazë ideje, që do të thotë ende në fazë studimi e zhvillimi. 17 të tjera janë në fazën e “inkubimit” dhe vetëm 8 projekte janë në fazën e parafundit dhe asnjë projekt nuk është në fazën përfundimtare.

Gjatë vitit të kaluar, tetë projektet avancuan në fazën e dytë, katër avancuan nga faza e dytë në fazën e tretë. Raporti thekson se për 20 projekte qeveritë nënshkruese të PESCO-s nuk kanë dhënë asnjë qindarkë mbështetje financiare. Megjithatë, jo të gjithë projektet kërkojnë nga qeveritë e vendeve anëtare që të hapin portofolet e tyre dhe disa, siç është nisma e stërvitjeve të përbashkëta periodike planifikojnë që të mbështeten nga fondet e BE.

FILE PHOTO: EU foreign policy chief Josep Borrell addresses the European Parliament in Strasbourg, France, February 11, 2020. REUTERS/Vincent Kessler/File Photo

Raporti tregon se ndonjëherë zyrtarët e BE e patën të vështirë që të bënin një vlerësim të saktë të realizimit të një projekti. EUFOR Crisis Response Operation Core, një projekt i udhëhequr nga Gjermania që synon të përmirësojë përgjigjen e BE ndaj krizave dhe lehtësojë mobilizimin përballë gjendjeve të emergjencës, ironikisht nuk ka një datë përfundimi.

Në një projekt tjetër të udhëhequr nga Franca, me objektiv që të ndihmojë vendet anëtare të BE që të shfrytëzojnë bazat ushtarake të njëra-tjetrës pa pengesa është në telashe serioze. Raporti thotë se projekti kërkon vëmendje dhe vëzhgim të veçantë, se asnjë financim nuk është dhënë deri më tani dhe nuk ka as datë zbatimi dhe as datë përfundimi.

Raporti thotë se ka interes të ulët nga anëtaret e PESCO-s për këtë projekt pasi ato janë të angazhuara në këtë drejtim në kuadër të NATO-s. Raporti thotë se koordinatorët po mendojnë mbylljen e këtij projekti, ose përdorimin e punës së kryer deri më tani për projekte të tjera në këtë fushë.

Megjithatë, ka disa zhvillime pozitive. Si shembull, në fushën kibernetike një projekt i udhëhequr nga Lituania për të krijuar një mekanizëm të përbashkët u testua në vitin 2020. Raporti thotë se po ngrihet një konsorcium për të mbështetur këtë projekt dhe vitin e ardhshëm pret që ky mekanizëm të jetë plotësisht funksional.

Një tjetër projekt që pritet të përmbyllet shpejt është edhe ai i udhëhequr nga Gjermania për ngritjen e një komande mjekësore europiane. Në një dokument tjetër me 39 faqe, shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrel shprehet me optimizëm.

“Pavarësisht projekteve, prirja e përgjithshme është pozitive. Shumica e projekteve të PESCO po ecin përpara. Mbetet me rëndësi që vende anëtare të vijojnë përpjejet për të pasur progres të vazhdueshëm në këtë drejtim”, thotë Borrell.

Politico – Shqip