MENU
klinika

Në krye të listës dalin 3 emra

Gara për drejtuesin e ri të NATO: Kush janë pretendentët kryesorë

21.07.2021 - 08:30

Nga David M.Herszenhorn “Politico.eu”

Aleatët e NATO-s janëduke analizuar zyrtarë të ndryshëm në vendet e tyre, në kërkim të pasardhësit të Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg. Stoltenberg, ish-kryeministër i Norvegjisë, ka shërbyer në këtë post që nga tetori i vitit 2014.

Aleatët ia zgjatën mandatin deri në shtator 2022, duke lënë më shumë se një vit kohë për të caktuar zëvendësin e tij. Në selinë qendrore të aleancës, sapo kanë nisur diskutimet zyrtare mbi këtë çështje, dhe pasardhësi i Stoltenberg pritet të prezantohet në një samit të udhëheqësve të NATO-s në Madrid, në fund të pranverës ose në fillim të verës të vitit të ardhshëm.

Por spekulimet në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera janë tashmë të shfrenuara. Disa zyrtarë, diplomatë dhe analistë thonë se pas 72 vjetësh është koha që aleanca të emërojë për herë të parë në krye një grua. Të tjerë thonë se duke pasur parasysh përballjen e vazhdueshme me Rusinë, zgjedhja e një evropiano-lindore do t’i dërgonte Moskës një sinjal të rëndësishëm.

Nëse bën bashkë këto 2 kritere, atëherë në krye të listës dalin 3 emra:ish-presidentet Kolinda Grabar-Kitarović e Kroacisë dhe Dalia Grybauskaitė e Lituanisë; dhe presidentja aktuale e Estoneisë Kersti Kaljulaid.

Grabar-Kitarović, që ishte presidentja e parë femër e Kroacisë në vitet 2015-2020, ka avantazhin që ka punuar në selinë e NATO-s, si ndihmës sekretare e përgjithshme për diplomacinë publike në vitet 2011-2014.

Kritikët thonë se Grabar-Kitarović, që e ndërtoi karrierën e saj politike si një konservatore e qendrës së djathtë, e njollosi veten kur bashkëpunoi me të djathtën ekstreme kroate gjatë fushatës së dështuar të rizgjedhjes në zgjedhjet e vitit 2019, përballë ish-kryeministrit të qendrës së majtë, Zoran Milanovic.

Por Grabar-Kitarović mburret me një nga CV-të më mbresëlënëse midis shefave të mundshëm të ardhshëm të NATO-s. Ajo ka qenë dhe ministre e Kroacisë për Evropën dhe Ministre e Jashtme. Ajo ka pasur një rol të madh në proceset e suksesshme të anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO.

Po ashtu ajo ka qenë ambasadore e Kroacisë në SHBA gjatë viteve 2008-2011, duke krijuar marrëdhënie të forta në Uashington, të cilat do të kenë një ndikim thelbësor në vendimin përfundimtar të NATO-s për zëvendësin e Stoltenberg.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer në vitet 2004-2009, ka qenë më herët ish-ministër i Jashtëm i Holandës. De Hoop Scheffer u pasua në këtë post nga ish-kryeministri danez Anders Fogh Rasmussen.

Disa zyrtarë të brendshëm të NATO-s, thanë se është e vështirë të imagjinohet që aleatët e NATO-s të zgjedhin dikë që nuk ka shërbyer në poste të larta si kryetar shteti ose qeverie. Kjo preferencë për një ish-udhëheqës kombëtar, ka çuar në spekulimet e kohëve të fundit në lidhje me ish-kryeministren britanike Theresa May si një kandidate të mundshme.

Edhe Mark Sedwill, që ka qenë sekretar i kabinetit dhe këshilltar i sigurisë kombëtar nën zonjën Mey dhe për pak kohë nën kryeministrin aktuale Boris Johnson, është përmendur si një kandidat i mundshëm.

Një ish-ambasador me ndikim në NATO, tha se ekziston një pritshmëri e përgjithshme, se Britania do të synojë të ketë postin e Sekretarit të Përgjithshëm, si një mënyrë për të demonstruar ndikimin e saj të vazhdueshëm në Evropë pas Brexit.

Por diplomatët thonë se kualifikimet do të jenë shumë më të rëndësishme sesa kombësia, dhe theksi do të vihet tek aftësitë udhëheqëse, menaxhuese dhe ato komunikative. Kjo mund të përjashtojë zonjën May, aftësitë menaxheriale dhe komunikuese të të cilës gjatë procesit të Brexit u kritikuan shumë.

Ndërkohë Sedwill nuk ka qenë asnjëherë Ministër i Jashtëm apo i Mbrojtjes, dy poste që shihen si një kërkesë minimale për çdo shef të NATO-s. SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, shihen tradicionalisht si aleatët më me ndikim në procesin e përzgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm.

Por në kushtet kur vendet e BE-së që formojnë një shumicë dërrmuese të aleatëve të

NATO-s – 21 nga 30 anëtarë – Britania pas Brexit mund ta ketë të vështirë që të grumbullojë mbështetje për një post kaq të spikatur. Dhe disa vende të BE-së, sidomos Italia, besojnë se janë të afta për ta marrë postin e lartë të NATO-s.

Federica Mogherini, një ish-ministre e Jashtme e Italisë dhe ish-shefe e politikës së jashtme të BE-së, ka shprehur më herët interes. Por diplomatët thanë se ajo nuk do të kishte mbështetjen e Uashingtonit, dhe se Enrico Letta, ish-kryeministër i Italisë në vitet 2013- 2014, do të ishte një kandidat italian më i mundshëm.

“Britanikët janë shumë të interesuar të kenë një rol të fortë në Bruksel. Italianët do të thonë se është radha e tyre. Edhe evropiano-lindorët thonë të njëjtën gjë”- shprehet një ish zyrtar i lartë i NATO-s. Ndër zyrtarët e tjerë të Evropës Perëndimore që po përmenden janë kryeministrin holandez Mark Rutte, që aktualisht po punon për të formuar një koalicion të ri qeveritar, dhe Ministrja e Jashtme e Belgjikës Sophie Wilmès, që më herët ka qenë kryeministre e përkohshme e vendit.

Disa analistë mbi NATO-n,thonë se zgjedhja e një sekretari të përgjithshëm nga vendet baltike, sidomos Grybauskaite nga Lituania, mund të shihet si një gjest tepër armiqësor ndaj Moskës, në një kohë kur presidenti amerikan Joe Biden, po përpiqet të stabilizojë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit.

Një faktor tjetër që do të ndikojë, është nëse vendi i origjinës së një kandidati të caktuar po përmbush synimin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së në mbrojtje. Kjo mund të rrisë shanset e Kaljulaid, presidentes aktuale të Estonisë.

Rumania është një tjetër aleate e NATO-s që plotëson pragun2 për qind, duke i dhënë shanse presidentit Klaus Iohannis. Franca nuk do të ofrojë kandidaturën e saj por do të përdorë veton, thanë disa zyrtarë të NATO-s, dhe kjo gjë përjashton çdo shans që Turqia të pretendojë një post të tillë.