MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Mitrushi i madh i Shqipërisë, Rama dhe Kurti

31.07.2021 - 14:20

       Mitrushin e kalbën në burg. Poet e shkrimtar, nga më të mëdhenjtë e kohës së tij e sa të jetë vendi, ishte dhe ekonomist i klasit të parë. Kishte drejtuar Bankë Kombëtare, këtu e në Rumani. E spiunuan tek Enveri, thonë. Nuk ka rëndësi kush, më tregoi Dritëroi dikur, paçka se e dinë të gjithë.

Po të heqim doganat dhe të barazojmë lekun me dinarin, kishte thënë Mitrushi, atëherë, Jugosllavia s’ka nevojë të na pushtojë ushtarakisht. Jemi të vetëpushtuar. Leku ynë është më i fortë se dinari, veç të tjerash dhe do na marrin mall e gjë pa para, çka u duk shpejt, pas paralajmërimit të tij, kur tërë pasuritë e Shqipërisë, mbushën pa para, tregun jugosllav…

Kjo histori të kujtohet vetvetiu, kur sheh takimin e Ramës, me Vuçiçin dhe Zaevin. E ndoshta edhe Kurtit, që është orator i klasit të parë dhe shembujt, zakonisht i merr nga fushë e historisë. Bashkë me të u bashkuan dhe një pjesë analistësh, këtej e matanë kufirit, deri në diasporën e largët.

Po a është tamam kështu dhe a jemi në rastin që përshkruan Mitrushi?

Në thelb, po të flitej për këtë lloj pushtimi, së pari, Shqipëria dhe Kosova, duhet të quheshin të pushtuara prej kohësh nga Serbia e sotme. Rruga e Kombit, duket se u shërbeu në pikëpamje tregtare, më shumë serbëve sesa kosovarëve. Mallrat e tyre vërshuan në supermaketet tona, pas atyre të Kosovës. Çfarë është e drejta, e ka të mbushur tregun ca më shumë se ne, me mallra të tilla. Thuhet se, importi me Serbinë, i Kosovës, është rreth 400 milionë në vit. Mbase më pak, mbase më shumë.

Dihet fati i Haradinajt, që deshi për këtë shkak, a arsye të tjera, t’i jepte fund kësaj historie. Ai humbi, po mbetet kurioziteti i madh, se çfarë strategjie ka Kurti vetë, për të penguar këtë “rrjedhje serbe”. Për atë që do të fliste keq për të, duhet të thoshe se, kujton “halën në sy” të tjetrit, domethënë të Ramës, duke harruar “trarin” e tij.

Apo ngaqë nuk ka fuqi, apo plan ta pengojë, na paralajmëron edhe ne matanë kufirit, se mund ta pësojmë si Kosova?

Të marrësh mësime nga Enveri, a pasuesit enveristë këtej e matanë kufirit, në këtë pikë, nuk ka ndonjë vlerë. Edhe pasi e nxori nga burgu Mitrushin dhe filloi të nëmte Jugosllavinë e Titos, Enveri shumicën e tregtisë, me të e bëri gjatë gjithë kohës. Kush nuk e beson, le të hapë letrat.

Sa vlen realisht, patriotizmi fals?

Kur kohë më parë, në një televizion të Mitrovicës, moderatori po më fliste për rrezikun serb, i thashë thjesht:

“Kosova që ka NATO-n këmbëkryq këtu, është vendi më i mbrojtur i botës, por po të pyes diçka: Sa është buxheti i Mitrovicës, sot, në krahasim me të para luftës?”

Kur ai m’u përgjigj, se ishte pesëfish më pak, i thashë se nga Mitrovica, duhej t’ia mbathnin jo vetëm serbët, po dhe shqiptarët. Përpiquni të bëni ndonjë zonë të lirë dhe do të shihni, se ka për të pasur më pak konflikte.

Miku im i vjetër, hebreu Rafaelo Fellah, ndoshta i vetmi hebre në botë, këshilltar i Arafatit palestinez, ndërtonte në Gaza e luftonte pa pushim, për krijimin e një zone të lirë. Dhe palestinezë e izraelitë, janë ende me thikë në gojë ndaj njëri-tjetrit, ngaqë veç të tjerash, e dëgjuan pak hebreun e vjetër.

Po ka dhe më afër, se rasti i përmendur. Në kohën e luftës me Bosnjën, kam parë vetë Karaxhiçin, kur në përgjigje ndaj gazetarit, që e pyeste se ç’do të bënin për ushqime atë vit, i tha pa iu dridhur qerpiku.

“Po ja, do bëjmë tregti me bosnjakët. Ne do t’u japim armë dhe ata, grurë…”

Natyrisht që Shqipëria dhe Kosova, duan kohë të shpëtojnë nga patriotizmi fals.

Ndoshta është më mirë, se t’u mburren militantëve të tyre në podiume, politikanët e dy vendeve duhet t’iu drejtohen Mitrushëve të tyre, që në fakt, nuk janë shumë, për të mos thënë se kanë humbur fare sot dhe t’i pyesin, si i bëhet në këto situata.

Ndryshe, Mitrushi i madh i Shqipërisë dhe sivëllai tij, Xhaferi, do të lëvizin përmbys mbi varr dhe do thonë:

Lëreni atë patriotizmin fals dhe drejtojuni atyre që kanë lapsa dhe penë nëpër duar. Në mos, do të jeni të pushtuar, pa e ditur fare se jeni të pushtuar, megjithëse i mallkoni nga mëngjesi në darkë, pushtuesit tuaj.

A më ndryshe, do t’i ngjani Enverit, që tërë ditën broçkulliste kundër Jugosllavisë, duke mallëngjyer militantët torollakë dhe tërë natën, bënte tregti me të.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin