Pas protestave të bizneseve turistike për lejimin e muzikës, qeveria ka vendosur të shtyjë fashën orare deri në orën 23:00. Ishte një postim në rrjete sociale nga Kryeministri Edi Rama ai që komunikoi vendimin, që më pas veçse u ligjërua nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Pa më të voglin hezitim e asnjë argument shtesë, duke dëshmuar hapur se kush i ka marrë vendimet gjatë gjithë kësaj kohe mbi pandeminë. “Komiteti i Ekspertëve, duke u bazuar në të dhënat e hetimit epidemiologjik për rastet e infektuara, duke u bazuar dhe në vijimësinë e procesit të vaksinimit, si dhe vaksinimin masiv si një nga elementët kryesorë të mbrojtjes nga infeksioni, propozon zgjatjen e orarit të lejuar të muzikës nga 22:00 që e kemi pasur, në orën 23:00. Ndërsa masat e tjera vazhdojnë të mbeten në fuqi, siç kanë qenë më parë dhe që kanë hyrë në fuqi në datën 1 korrik të vitit 2021”, deklaroi kryetarja, Mira Rakacolli. Kaq ka mjaftuar që operatorët turistikë në Vlorë të anulojnë protestën masive që kishin organizuar mbrëmjen e së hënës e në vazhdim.
“FITORJA E VOGËL”
Me ditë të tëra janë “lutur” për shtyrjen e orës policore dhe lejimin e muzikës, si pronarët e bar restoranteve të bregdetit, ashtu edhe ata në kryeqytet, deri mbrëmjen e djeshme kur protestat përshkallëzuan në dhunë. Çka detyruan të parin e qeverisë të tërhiqet duke lejuar 60 minuta më tepër atë që e cilëson zhurmë akustike. “Lungo mare s’ka muzikë, por ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen linja burimesh menjëherë. E drejta e atyre që duan zhurmë muzikore tërë natën nuk fiton dot mbi të drejtën e atyre që natën duan zhurmën e detit”, shkruan Rama në reagimin e tij mbi protestën në lungo mare përpara se të komunikojë vendimin, sipas tij të bërë me dije më herët. “Siç është lajmëruar, nga data 20 korrik muzika do të ndalet në 23:00 në çdo zonë turistike të banuar dhe kush do të kërcejë e të këndojë tërë natën po të dojë, le të organizohet në natyrë, në pika ku nuk shqetëson njeri, si në tërë botën e civilizuar turistike”.
Ndonëse masat shtrënguese kanë efekt 2-javor, asnjë e tillë, qoftë shtrënguese apo stanjacion nuk është komunikuar prej ditësh. Herën e fundit kur është mbledhur Komiteti i Ekspertëve ka qenë data 27 maj me një plan gradual lehtësimi masash. Nga 1 korriku shtyhej ora policore, por jo lejimi i muzikës, si dhe lejimi i një sërë organizimesh sportive e kulturore, me kapacitet të reduktuar. Mutacioni ‘Delta’, sinjalet e të cilit janë prezentë edhe në vendin tonë, e kanë komplikuar situatën.
Nën presionin e bizneseve që janë në kulmin e sezonit turistik, qeveria lejoi Komitetin të vulosë zgjatjen me një orë të muzikës në zonat bregdetare. Kjo ‘fitore e vogël’ bëri që bizneset turistike të ndalin protestat. “Përshëndesim vendimin e Kryeministrit për zgjatjen e orarit. Duhej bërë kjo gjë për të shmangur falimentimin e subjekteve. Ka qenë një vit shumë i vështirë, si për ne dhe qeverinë, e cila në asnjë moment nuk e ka mbështetur biznesin”, ka deklaruar kreu i operatorëve turistikë në Vlorë, Vasil Bedinaj. Masat ende në fuqi mbeten ora policore për qytetarët dhe bizneset 24:00—06:00, kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP-së e po ashtu edhe teatrot, shfaqjet artistike dhe kulturore, si edhe konferencat.