MENU
klinika

Gati për ndeshjet e shtatorit

“Air Albania” shtrohet me tapetin e ri

18.08.2021 - 14:57

Fusha e stadiumit “Air Albania” rezultoi një dështim që në ndeshjen e parë hapëse me Francën. Problematikat e shumta të shfaqura e detyruan Federatën Shqiptare të Futbollit të bënte një investim të rëndësishëm, që shkon në rreth 1 milion euro.

Ndriçimi i dobët natyral në një pjesë të stadiumit dhe mungesa e ajrimit bënë që tapeti të mos ofronte kushtet më të mira për të luajtur. Kështu u vendos që të shtrohet një tapet i ri hibrid, që pretendohet të mos shfaqë të njëjtat probleme si më parë.

Puna ka nisur dhe momentalisht është shtruar rreth 25% e tapetit. Me shumë mundësi brenda pak ditësh do të përfundojë shtrimi i plotë, në mënyrë që kombëtarja të mund të luajë aty ndeshjet e 5 dhe 8 shtatorit kundër Hungarisë dhe San Marinos.

Vitin e ardhshëm në maj, “Air Albania” do të presë finalen e Conference League dhe prandaj pritet që këtë sezon të mos ketë intensitet ndeshjesh nga kampionati shqiptar. Vetëm Dinamo ka prenotuar gjithë vitin nga ekipet kryeqytetase.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN