MENU
klinika

Spikasin Hysaj e Gjimshiti

Asist dhe titullarë, shqiptarët e Serie A e nisin mirë

22.08.2021 - 11:42

Futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë në Serie A e nisën mirë. Vëmendja kryesore ishte tek Empoli-Lazio, teksa 3 u futën në fushë si titullarë dhe 2 ishin në stol.

Nedim Bajrami dha asistin e golit të parë për skuadrën e Empolit, ndërsa Ardian Ismajli duket se do të jetë titullar i padiskutueshëm për skuadrën toskane, pasi edhe në Kupën e Italisë luajti 90 minuta. Për Empolin në stol ishte Kristjan Asllani, ndërsa për Lazion, Thomas Strakosha.

Ajo që ra më shumë në sy ishte paraqitja mbresëlënëse e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, teksa ka zhvilluar një super ndeshje. Një debutim me Lazion pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Empolit. Sipas asaj që tregon faqja e njohur e statistikave “Sofascore”, Hysaj është vlerësuar me notën 7.6.

Mbrojtësi i Shqipërisë luajti përgjatë gjithë 90 minutëshit teksa ka arritur të fitojë të 6-ta duelet me kundërshtarët, të kapë topin 4 herë dhe duke mos u dribluar asnjëherë, duke bërë kështu një debutim tepër pozitiv për Hysajn.

Ndërsa Berat Gjimshiti e ka nisur sezonin në Serinë A me një fitore ndaj Torinos. Mbrojtësi shqiptar ishte i padiskutueshëm në rreshtimin e skuadrës dhe me paraqitjen e tij u mundua të mbante sa më larg sulmuesit e rrezikshëm të torinezëve.

Një paraqitje që i ka siguruar notën 6.7, pasi ai ka qenë mjaft i saktë duke fituar 9 nga 12 duelet në këtë sfidë, me tre largime topi e 79% saktësi në pasimet e tij. Statistika shumë të mira duke llogaritur se në këtë ndeshje u detyrua të luante në një pozicion që nuk është edhe aq optimal për të, si i djathtë në mbrojtjen me 3 të Atalantës. Në stol për Torinon ishte portieri Etrit Berisha.