MENU
klinika

"Der bomber"

Dashuria e pamundur e Gerd Mullerit… në Tiranë

16.08.2021 - 14:08

        Gerd Muller, ish-sulmuesi dhe simbol i Bayern Munich dhe kombëtares gjermane, ndërroi jetë mëngjesin e ditës së djeshme, në moshën 75 -vjeçare, i prekur nga sëmundja e alzhaimerit. Pak muaj më parë, bashkëshortja e tij, Uschi, në një intervistë për mediet gjermane, pohoi me keqardhje, se i mbiquajturi “der bomber” po i afrohet fundit.

“Ai qëndron në shtrat gati 24 orë në ditë, ka vetëm momente të rralla zgjimi. Është bukur, kur hap pak sytë. Ndonjëherë, mundet të thotë “po” ose ‘jo”, duke lëvizur qerpikët. Gerdi fle, duke pritur fundin.” – ishte mesazhi nga Uschi, bashkëshortes gjermane.

Megjithatë, ish-fituesi i Topit të Artë në vitin 1970, ka dhe një histori dashurie me Shqipërinë. Një histori e pabesushme: ishte dhjetori i viti 1967, kur Gjermania mbërriti në Shqipëri, për të luajtur eleminatoret e europianit “Itali 1968”. Gjermania e asaj kohe, do të mbetej jashtë, pas barazimit 0-0.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, përfaqësuesja e Gjermanisë ishte akomoduar në vendin më luksoz për kohën, atë të hotelit “Dajti”. Këtu nis dhe historia e dashurisë së Mullerit me një punonjëse të hotelit, që kronikat e mëvonshme, e paraqesin me emrin Hojna. Një episod i jashtëzakonshëm për kohën. Fjalët e pëshpëritjet mes rinisë kryeqytetase u përhapën shpejt dhe ndjenja mes dy të rinjve, doli rrugëve të Tiranës.

Rastësia është mbret i botës e katër vite më vonë, Shqipëria do të luane dhe një herë ndaj Gjermanisë Perëndimore. Takimi luhej për kualifikueset e Europianit “Belgjikë 1972”. Gjermania akomodohet edhe një herë në hotel “Dajti”, ndërsa në atë ndeshje Muller shënoi golin e vetëm të takimit, ndoshta mund të ketë qenë i frymëzuar nën shoqërinë e Hojnës, ndoshta…

Muller e ka të pamundur të kthehet në Shqipëri, si vizitor i thjeshtë, hyrja në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë ishte një privilegj vetëm për ata persona që kishin motive diplomatike. Këtu përfundojnë edhe kontaktet e sulmuesit gjerman me punonjësen e “Dajtit”, që kishte fituar zemrën e sulmuesit më të fortë në Europë.

Megjithatë, shpresa nuk shuhet dhe në vitin 1985, “Flamurtari” i Vlorës fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Kupave dhe shorti e vë përballë finlandezëve të HJK Helsinki. Pak ditë pas shortit në zyrat e klubit finlandez, mbërrin një kërkesë e veçantë. Gerd Muller kërkon të bashkohet me skuadrën, pavarësisht se kishte katër vjet që kishte varur këpucët në gozhdë.

“Dua një kontratë, vetëm për një ndeshje. Vij me ju, në Shqipëri, për t’u takuar me të dashurën time…”. Është Gerd Muller. Kërkesa e ish-kampionit pritet me habi nga drejtuesit e klubit finlandez, por që refuzohet.

Pavarësisht se, në Shqipëri kishte filluar të frynte era e ndryshimit (diktatori Hoxha, ishte ndarë nga jeta në prill të atij viti) situata ishte e përafërt me atë të vitit 1971, kur Muller kishte shkelur për herë të fundit, në tokën shqiptare.

Kërkesa refuzohet dhe tratativa Muller ­HJK dokumentohet nga gazeta finlandeze ”Iltalehti”. Të paktën deri pas ndërrimit të regjimeve, Gerd Muller e pati të pamundur të hiqte fiksimin e tij të vjetër, takimin me Hojnën e hotel Dajtit./SS