Pamjet e publikuara së fundmi, sjellin veçanërisht, pamjet brenda avionit ushtarak amerikan, të mbushur me qindra afganë që kërkonin të arratiseshin nga vendi, për t’i shpëtuar regjimit të talebanëve.
Sipas “Defense One”, në avion ishin të paktën 640 afganë, edhe pse avioni është llogaritur të mbajë të paktën 150 ushtarë dhe 77 mijë kg në total.
Raportohet se deri më tani, nga Kabuli janë larguar dy avionë të tillë, C-17, pasi operacioni i zhvendosjes u ndërpre, për shkak të dyndjes së madhe të njerëzve. Një ditë më parë u publikuan pamje dramatike nga jashtë avionit: turma njerëzish që vraponin për “të zënë një vend”, ndërsa u raportua edhe për disa viktima,.. të paktën 2, ranë nga avioni në fluturim.
Qindra afganë të tjerë qëndrojnë rreth mureve të aeroportit “Hamid Karzai” dhe përpiqen të kalojnë, për t’u larguar nga vendi, që është në kontrollin e plotë të talebanëve për pak ditë dhe pa asnjë rezistencë nga forcat afgane të sigurisë.
Presidenti amerikan Joe Biden, i qëndroi vendimit për tërheqjen e trupave, por 3,500 ushtarë janë rivendosur në Kabul, për të ndihmuar gjatë ikjes masive.