MENU
klinika

Siguroi operacionin

Gjesti human, shiti medaljen për një fëmijë

18.08.2021 - 11:46

Të kesh një medalje nga Lojërat Olimpike është padyshim ëndrra e çdo sportisti. Por polakja Maria Andrejczyk, fituese e medaljes së argjendtë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” në garën e hedhjes së shtizës, ka nxjerrë në shitje medaljen e fituar pak ditë më parë.

Paratë e grumbulluara do të financojnë ndërhyrjen kirurgjikale të një fëmije 8-muajsh, të cilën ajo nuk e njeh. Nga shitja e medaljes ajo grumbulloi 130 mijë euro, gjysma e shumës që nevojitet për këtë operacion (280 mijë euro). Sportistja 25-vjeçare, u shpreh:

“Nuk m’u desh shumë kohë të vendosja. Ishte hera e parë që bëja një gjë të tillë. Vogëlushi Miloszek ka një problem të rëndë në zemër dhe i duhet ndihmja e ndërhyrjes kirurgjikale. Për këtë arsye vendosa të nxjerr në ankand medaljen e argjendit”.

Maria Andrejzcyk ka arritur të mposhtë sëmundjen e kancerit në kockë, me të cilën u diagnostikua në vitin 2018. Në Olimpiadën e Rios ajo u klasifikua në vendin e katërt, ndërsa këtë herë u ngjit në podium.