MENU
klinika

Hani këto ushqime

Jo vetëm krem dhe vaj, për të patur ngjyrë çokollatë

04.08.2021 - 08:56

E dini që përveç një vaji të mirë dhe cilësor, ekzistojnë edhe disa ushqime që mund t’ju ndihmojnë të nxiheni më shpejt kur jeni në plazh? Pikërisht siç e lexoni. Sekreti nuk qëndron vetëm tek orët e kaluara nën dielli, kremi apo vaji nxirës, por edhe te ajo që keni në tryezë.

Për të pasur një nxirje intensive dhe uniforme konsumi të gjitha frutat dhe perimet që përmbajnë beta-karoten. Së pari, ato të kuqe ose portokalli: domate, karota, kajsi, speca të kuq, pjepër etj. Por gjithashtu, perimet me gjethe jeshile, duke përfshirë spinaqin, brokolin, lakrën, majdanozin. Ne nuk i shohim pigmentet, por ata janë aty, ruhen thellë. Beta-karotenët janë antioksidantë të fuqishëm. Kur përqendrimi i tyre në trup është i lartë, këto pigmente shkojnë së pari në mëlçi, në yndyrë dhe lëkurë. Është pikërisht ky fenomen që i jep lëkurës nuancë bronzi.

Sakaq për të rritur rezistencën e lëkurës që të nxihet pa u djegur, konsumoni vezë, gjalpë, qumësht dhe peshk yndyror për vitaminën A; manaferrat, fruta të kuqe, agrume dhe speca për vitaminën C; si dhe vajra vegjetale: vaj ulliri, arra, fara dhe drithëra për vitaminën E.
Vitaminat A, C, E, mineralet dhe antioksidantët, si seleni, luftojnë kundër radikaleve të lira të krijuara nga rrezet e diellit të dëmshme për qelizat e lëkurës.