MENU
klinika

Tatimet, në sitë bizneset e reja

Paralajmërimi për kompanitë e regjistruara në 2021

11.08.2021 - 19:21

Tatimet I janë drejtuar me një thirrje zyrtare kompanive të regjistruara në vitin 2021 të përmbushin kushtet që vendos procesi I fiskalimit, duke u kujtuar se ato janë shumë më të ulëta për këtë kategori se për të tjerat.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon të sjellë në vëmendjen e tatimpaguesve, detyrimet ligjore që ju lindin nga ligji Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, i njohur si Fiskalizimi.

Për t’u Fiskalizuar çdo subjekt duhet të ketë 5 element të domosdoshëm: Certifikata Elektronike, e cila merret tek AKSHI, duke aplikuar përmes kredencialeve nga e-Albania. Software i Fiskalizimit. Një pajisje elektronike, tablet, telefon etj. Lidhje të thjeshtë me internet. Printer jofiskal.

Që prej datës 1 Janar 2021, kur nisi zyrtarisht faza e parë e kësaj reforme, për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike (B2C), të gjithë tatimpaguesve u është dhënë mundësia për t’u Fiskalizuar përpara afateve të përcaktuara në Ligj.

Më datë 1 Korrik 2021 nisi efekti ligjor për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve (B2B), ndërsa për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit (B2C), pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 Shtator 2021.

Për një biznes që regjistrohet për herë të parë, kosto fillestare e Fiskalizimit është më e ulët në krahasim me koston e sistemit aktual të pajisjeve Fiskale.

Nga ana tjetër, për t’i ardhur në ndihmë biznesit duke i dhënë kohën e duhur për të kuptuar dhe implementuar këtë reformë të rëndësishme, kujtojmë se gjobat për mos aplikimin sipas efekteve ligjore të Fiskalizimit, janë falur deri në 1 Janar 2022, thekson në njoftim administrate tatimore.

Sipas të dhënave zytare, deri në këtë fazë të vitit numërohen mbi 17 mijë biznese të Fiskalizuara dhe mbi 11 milionë fatura të lëshuara conform legjislacionit të ri tatimor.