“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Si t’i kuptojmë rezultatet e analizave?
Mjeku: Kolesteroli
Ky rezultat merret nëpërmjet një testi gjaku të quajtur profili lipidik. Niveli i shëndetshëm i kolesterolit total për të rriturit është nën 200 mg/dL. Kolesteroli total përbëhet nga shuma e dy llojeve të yndyrave: kolesteroli “i keq” (LDL) dhe kolosteroli “i mirë” (HDL). Por edhe nëse rezultati juaj i kolesterolit total është normal, përsëri mund të ndodhë të keni shumë pak kolesterol të llojit të mirë dhe shumë nga kolesteroli i keq, gjë e cila mund të shkaktojë bllokime në enët e gjakut. Synoni të mbani kolesterolin LDL nën 100 mg/dL dhe HDL mbi 60 mg/dL.
Trigliceridet
Trigliceridet mund të shkaktojnë ngurtësime në arteriet tuaja. Niveli e lartë i triglicerideve është i lidhur me një risk të rritur të një morie problemesh të zemrës, si infarktet cerebrale apo sulmet në zemër, po ashtu edhe obeziteti dhe presioni i lartë i gjakut.
Rezultatet e mëposhtmje janë për të rritur të shëndetshëm pas 12 orësh esëll:
– Rezultate të dëshirueshme: Më pak se 150 mg/dL (1.7 mmol/L)
– Kufiri i lartë: 150 deri 199 mg/dL (1.7-2.2 mmol/L)
– Të larta: 200 deri në 499 mg/dL (2.3-5.6 mmol/L)
– Shumë të larta: Më shumë se 500 mg/dL (mbi 5.6 mmol/L)
Kush ka nevojë për një profil lipidik?
Të gjithë personat mbi 20 vjeç duhet të kryejnë një panel të plotë lipidesh çdo 4-6 vjet. Fëmijët duhet të kryejnë një profil të plotë lipidik një herë në moshën 9-11 vjeç dhe përsëri në moshën 17-21 vjeç. Kjo pjesërisht sepse kolesteroli dhe trigliceridet e larta mund të çojnë në ndërtimin e pllakave yndyrore tek fëmijët dhe adoleshentët. Mjeku juaj mund të kërkojë analiza më të shpeshta nëse jeni në rrezik për sëmundje të zemrës ose nëse jeni duke u trajtuar për kolesterol të lartë. Kolesteroli total i pranueshëm për shumicën e njerëzve nën 19 vjeç është 170 mg/dL.
Analiza për sheqerin në gjak
Quhet gjithashtu testi i glukozës. Nivelet e larta, ose hiperglicemia, mund të jenë shenjë e diabetit ose prediabetit. Nëse jeni i shëndetshëm, rezultati juaj duhet të jetë më pak se 100 mg/dL në gjendje esëll. Një rezultat prej 126 mg/dL ose më i lartë do të thotë që keni diabet. Në dy teste të tjera – toleranca ndaj glukozës dhe sheqeri i rastësishëm në gjak – një nivel prej 200 mg/dL ose më i lartë tregon diabet. Gjithashtu nivele shumë të ulëta të sheqerit në gjak mund të dëmtojnë trurin tuaj ose të shkaktojnë probleme të tjera shëndetësore.
A1c, ose Hemoglobina e glukozuar HbA1c
Kjo është një mënyrë më komplekse për të vlerësuar sheqerin në gjak sesa me një test të glukozës. A1c jep një panoramë më afatgjatë të sheqerit tuaj në gjak, gjatë 2-3 muajve të fundit. Kjo ka rëndësi sepse niveli i glukozës suaj mund të ndryshojë shumë gjatë ditës nëse keni diabet. A1c llogarit përqindjen e qelizave të kuqe të gjakut të veshura me sheqer. Një nivel i shëndetshëm është zakonisht nën 5.7%. Nëse keni diabet, mjeku juaj do t’ju rekomandojë ta mbani hemoglobinën e glukozuar nën 7%.
Kërko një konsultë endokrinologu
Analiza e urinës
Urina mund t’ju tregojë shumë rreth shëndetit tuaj. Ngjyra, niveli i pH prania e ketoneve, baktereve dhe substancave të tjera mund të zbulojnë sëmundje dhe probleme të tjera. Një analizë e urinës është rutinë nëse jeni shtatzënë ose jeni duke u planifikuar për kirurgji. Arsye të tjera për ta realizuar atë përfshijnë: nëse mjeku juaj dyshon për një infeksion të traktit urinar (UTI) ose sëmundje të veshkave. Nëse në analizën tuaj të urinës del shumë sheqer, proteina ose qeliza të kuqe të gjakut, mjeku juaj mund të kërkojë më shumë teste.
Gjak komplet
Kjo është një analizë që kontrollon përbërësit e ndryshëm të gjakut, duke përfshirë qelizat e kuqe dhe të bardha. Kjo analizë jep një pamje të shëndetit tuaj të përgjithshëm. Rezultatet gjithashtu mund të ndihmojnë në diagnostikimin ose monitorimin e sëmundjeve dhe gjendjeve që përfshijnë qelizat tuaja të gjakut, të tilla si infeksionet, anemia apo tumoret.
Numri i qelizave të kuqe të gjakut
Këto qeliza mbajnë dhe transportojnë oksigjenin në të gjithë organizmin tuaj. Nëse keni pak qeliza të kuqe të gjakut, mund të jetë një shenjë që nuk po merrni mjaftueshëm elementë ushqyes, keni hemorragji të brendshme, ose keni probleme të palcës së kockave. Një numër i lartë mund të burojë nga sëmundjet e zemrës ose problemet e mushkërive, midis shkaqeve të tjera. Kufiri i përgjithshëm për shëndet të mirë është nga 4,5 milion deri në 5,9 milion qeliza në një mikrolitër gjaku tek burrat dhe 4,1 milion deri në 5,1 milion qeliza tek gratë.
Qelizat e bardha të gjakut
Këto qeliza vërshojnë në trupin tuaj kur zbulojnë patogjenë të dëmshëm. Pra, një numër i lartë i qelizave të bardha të gjakut mund të jetë një shenjë se jeni duke luftuar një infeksion, alergji, inflamacion apo edhe kancer. Një numër i ulët mund të nënkuptojë probleme të palcës kockore, një sistem imunitar të dobësuar nga gjendje si HIV, ose një dietë të varfër. Stresi dhe madje edhe ushtrimet e tepruara gjithashtu mund të çlirojnë qelizat e bardha të gjakut. Nivelet normale për të rriturit janë 3.4 – 9.6 × 109/L.
Hormoni stimulues i tiroides- TSH
Mjeku juaj mund ta rekomandojë këtë analizë nëse gjëndra juaj e tiroides është rritur ose ka noduse. Arsye të tjera përfshijnë një puls të shpejtë, rënie të pashpjegueshme të peshës ose shenja të tjera të një tiroideje tepër aktive. Nivelet e ulëta të hormoneve mund të nënkuptojnë edhe që tiroidja juaj është e ngadaltë. Simptomat përfshijnë shtim në peshë, lëkurë të fryrë dhe të thatë si dhe konstipacion. Disa medikamente, përfshirë multivitaminat dhe suplementet, mund të ndikojnë në rezultatet e testit tuaj. Kështu që tregojini mjekut tuaj për gjithçka që jeni duke marrë.
Trombocitet
Këto qeliza të gjakut ndihmojnë në shërimin e plagëve dhe ndalojnë gjakderdhjen. Por niveli i lartë i trombociteve mund të shkaktojë formimin e mpiksjeve të rrezikshme të gjakut në krahët dhe këmbët tuaja, të cilat mund të shkaktojnë sulme në zemër ose goditje në tru. Numri i ulët i trombociteve mund t’ju shkaktojë nxirje (mavijosje) të shpeshta të lëkurës, gjakrrjedhje nga mishrat e dhëmbëve, mukoza e hundës apo stomakut. Kjo mund të ndodhë për shkak të sëmundjeve së palcës së kockave, infeksioneve virale ose abuzimit me alkoolin, midis shkaqeve të tjera. Niveli normal i trombociteve është 150,000 deri 450,000 trombocite për mikrolitër gjaku.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.