MENU
klinika

Vjena!

Të çmendur, obezë, të shëmtuar: Tre gjenitë!

06.08.2021 - 11:46

         Kur flasim për muzikën klasike, mendja na shkon te muzika e kulturës krahasuar me atë variete dhe pop. Në realitet, “periudha klasike” përfaqëson dekadat që lidhin periudhën baroke dhe romantike, nga vdekja e Johan Sebastian Bah në 1750 deri në 1820. Vjena ishte asokohe epiqendra e kësaj periudhe të lulëzuar, pasi kishte brenda mureve të saj tre mjeshtërit e mëdhenj të klasicizmit: Hajdn, Moxart dhe Bethoven./Konica.al

Joseph Haydn (1732-1809)

Mbase emri i Haydn është pak më pak i njohur, se ai i dy bashkëkohësve, megjithatë në shekullin e 18-të, ai ishte muzikanti më i admiruar i kohës. Simfonitë e tij luheshin kudo, edhe pse iu desh të punonte shumë për të kapërcyer pengesat që i dilnin. Mirëpo, siç thotë edhe Stendali, Haydn mendoi më shumë të kënaqej duke bërë muzikë, sesa t’i jepte vetes mundësinë për të fituar një rang shoqëror. Kënaqësia është padyshim fjala kyçe e muzikës së tij, çka dëshmohet nga andante, një prej simfonive më të famshme, një lëvizje që bëri turin e botës për tiktaket e gëzueshme dhe që i dha simfonisë Nr. 101 pseudonimin “ora”.

Haydn mishëron klasicizmin vjenez në të gjithë madhështinë, me karrierën që përfshin periudhën nga fundi i barokut deri në fillimet e romantizmit. Në katalogun e tij numërohen më shumë se 1,100 opuse të regjistruara dhe themi me plot gojën, se ai është babai i simfonisë dhe kuartetit me tela. Kur vjen puna për të zgjedhur një hit nga veprat e Haydn, e kemi vështirë të zgjedhim. Haydn shqetësohej shumë për fatin e muzikantëve dhe veproi vullnetarisht si zëdhënës i artistëve pranë familjes princërore. Për pseudonimin Papa Haydn i detyrohemi Moxartit, për mirësinë dhe dashamirësinë e njohur të plakut të nderuar.

Wolfgang Amadeus Mozart (1756-1791)

Haydn dhe Moxart ishin miq. Dy gjenitë e vlerësonin, e admironin dhe nuk harronin kurrë ta lavdëronin njëri-tjetrin. Kur përfundoi një koncert i Moxartit, Haydn iu afrua Leopoldit, babait të kompozitorit dhe parashikoi: “Ju them para Zotit, për fjalën e nderit, djali juaj është kompozitori më i madh që njoh, personalisht ose në emër, ai ka shije dhe, për më tepër, shkencën më të madhe të kompozimit”. Moxarti e konsideronte të dashurin Papa Haydn si një at të vërtetë shpirtëror. “Vetëm ai ka sekretin të më bëjë të qesh dhe të më prekë thellë në shpirt”, – thoshte.

I talentuari

Moxarti, së bashku me Haydn, është kompozitori emblematik i klasicizmit par excellence. Fëmijë mrekulli, ai la një numër të konsiderueshëm kryeveprash. Nëse Haydn kishte nevojë për kohë për t’u afirmuar dhe për të përmirësuar punën, Moxarti ishte i talentuar dhe e arriti suksesin në moshë fare të re. Krijimtaria e jashtëzakonshme dhe vdekja e parakohshme e magjepsën vërtet publikun, aq sa krijuan mite të shumta rreth tij. Filmi i Milos Forman “Amadeus” është shembulli i përsosur, ku zbulojmë portretin e një kompozitori joserioz, kapriçioz, rivali kryesor i të cilit ishte kompozitori italian Salieri. Sigurisht, Moxart kishte bërë shumë armiq brenda fisnikërisë, ose për shkak të borxheve, por Salieri nuk ishte një prej tyre. Kompozitori italian ishte vetëm pak xheloz për talentin e tij, veçse kjo nuk e ndaloi Salierin të merrte pjesë në funeralin e Moxartit.

Legjenda

Shpesh Moxarti shpesh frymëzohej nga jeta e tij private. [… ] Nëse Moxarti në ditët e fundit dergjej në shtrat, kjo nuk erdhi për shkak të lodhjes. Ai u detyrua të qëndrojë në shtrat, sepse ishte bërë obez. I gjatë 1,52 cm, tashmë e kishte vështirë që të ngrihej. Ndër 140 shkaqet e vdekjes, të përcaktuara nga specialistët, më e besueshme do të ishte vdekja e lidhur me ethet reumatizmale ose insuficencë renale. Kjo është shumë më pak romantike, sesa vdekja nga helmimi, e transmetuar përgjatë shekujve. Shuar në moshën 35-vjeçare, Moxarti mbetet një nga gjenitë më të mëdhenj të muzikës klasike, duke na lënë kryevepra të të gjitha zhanreve, ku eksploron virtuozitetin dhe emocionet njerëzore.

Ludwig van Beethoven (1770-1827)

Muzika e Moxartit pati goxha ndikim tek mjeshtri i tretë i madh i klasicizmit, Bethoveni. Thuhet se u takuan në Vjenë në 1787, por nuk ka dëshmi të këtij takimi. Bethoveni e vlerësonte artistin e madh dhe kompozoi shumë seri ndryshimesh në temat e Moxartit. Bethoveni pati mundësinë të zbulonte dhe studionte veprat e Moxart që në rini, madje luajti koncertet e tij me Orkestrën e Oborrit të Bonit.

Gjeniu

Jo pak vepra të Bethovein mbajnë gjurmë të ndikimit të Moxartit. Bethoveni kopjoi një pasazh nga Simfonia Nr. 40 e Moxartit në një nga libretet e skicave dhe e përdori për të kompozuar simfoninë e tij të 5-të. Mirëpo, Bethoveni nuk vonoi të krijonte personalitetin e vet dhe gjenia shkëlqente në gjithçka kompozonte. Bethoveni e konsideroi Sonatën Nr 23 fa minor, si arritjen e tij më të madhe mes pesë të fundit. Në çdo rast, ajo i përshtatet më së miri portretit që kemi krijuar për Bethovenin. Nëse përdorim shprehjen e shkrimtarit Romain Rolland: “është si një përrua zjarri në një shtrat graniti”./Konica.al

Simfonitë

Nëse pianoja ishte fusha e parapëlqyer e Bethovenit, vepra simfonike është padyshim më popullorja dhe suksesi nuk do i zbehet për shekuj. Një botë ndan simfoninë e parë, homazhin e fundit të shekullit të 18-të, nga ajo e 9-të e përfunduar pas një pune të tejzgjatur. Gjatë simfonive, orkestra pasurohet, gjuha zgjerohet, format shpërthejnë, ndërsa ngjyrat orkestrale shumohen. Nga tre kompozitorët vjenezë, Bethoven është padyshim ai që la trashëgiminë më të guximshme dhe më universale. E tillë është simfonia e 9-të, kori final i së cilës përdoret aktualisht si himni i Bashkimit Evropian.

Një artist i trazuar

Bethoveni mishëron figurën e artistit të keqkuptuar, në kapërcyell të klasicizmit të Haydn e Moxartit dhe romantizmit të shekullit të ardhshëm. I shurdhër, i trazuar, ai ofron imazhin tipik të një gjeniu të vetmuar dhe të zemëruar.  Ai kompozoi si për argëtimin e fisnikëve, ashtu edhe për koncerte bamirësie, por edhe për brezat që do të vinin.

Njëlloj si Moxarti, edhe Bethoveni ishte shtatshkurtër dhe me sa duket, jo shumë i bukur. Veçanërisht nëse do t’u besojmë shkrimeve të Bettina Brentanos, e cila shënon: “Bethoveni është i shkurtër, zeshkan, plot me vraga lije në fytyrë […] flokë të zeza, shumë të gjata, të hedhura nga pas […] rrobat i janë grisur, duket një zhelan i vërtetë”. Njëherazi diva pranon, se ajo është hipnotizuar vërtet nga kompozitori.

Finalja e koncertit të tij për violinë dhe orkestër Opus 61 është vepër e shkruar nën ndikimin e një dashurie pasionante për të bukurën Terezë dë Brunsuik. Me gëzim të dukshëm, ai vetem mahnit me gjallërinë dhe humorin e tij…

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN