MENU
klinika

Si do të luajnë kuqezinjtë

Historiku, nuk i kemi shënuar asnjëherë Hungarisë

05.09.2021 - 12:10

Kombëtarja shqiptare do të luajë sot ndeshjen e pestë në Grupin I, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2022. Prej orës 18:00, do të startojë Shqipëri-Hungari, në “Elbasan Arena”.

Të dyja kombëtaret vijnë pas humbjesh të rënda, duke pësuar nga 4 gola, respektivisht ndaj Polonisë dhe Anglisë. Pra, iu nevojitet autokritika dhe kthesa e shpejtë, nëse duan të vijojnë luftën për vendin e dytë në grup.

Trajneri Edy Reja tha dje se nuk vlen asnjë rezultat tjetër, veç fitores. Pra, o sot, o kurrë për kuqezinjtë! Tri mungesa të rëndësishme për kombëtaren tonë: Hysaj, Bare dhe Manaj. Pritet debutimi i Nedim Bajramit, rikthimi në formacionin startues i Myrto Uzunit, ndërsa për vendin e Hysajt ka balotazh mes Dokës dhe Roshit.

Këtë sfidë mjaft të rëndësishme e gjykon një treshe arbitrash nga Holanda: Danny Makkelie, Hessel Steegstra dhe Jan de Vries. Duhet theksuar se kuqezinjtë nuk kanë shënuar dot asnjë gol deri më tani në portën e hungarezëve. Pra, kushdo që e tund sonte rrjetën e kundërshtarit, shënon gol historik.

Vetëkuptohet se edhe bilanci është mjaft negativ me Hungarinë, e cila na ka shkaktuar humbjen më të thellë në histori: 12-0, edhe psë bëhet fjalë për një ndeshje një miqësore të zhvilluar më 24 shtator 1950. Në total janë zhvilluar 6 mes dy kombëtareve, ku kemi marrë vetëm një barazim 0-0. Golaverazhi është edhe më negativ: 19-0.

Bilanci me Hungarinë:

20.08.1947: Hungari-Shqipëri 3-0 (Balkan Cup)

23.05.1948: Shqipëri-Hungari 0-0 (Balkan Cup)

24.09.1950: Hungari-Shqipëri 12-0 (miqësore)

11.10.2008: Hungari-Shqipëri 2-0 (FIFA World Cup)

28.03.2009: Shqipëri-Hungari 0-1 (FIFA World Cup)

04.06.2014: Hungari-Shqipëri 1-0 (miqësore)