MENU
klinika

Orator! I përjetshëm!

Natus ad agendum semper aliquid dignum viro

22.09.2021 - 14:14

      “Sa më shumë ligje, aq më pak drejtësi”; politikan, avokat, filozof, orator… Ciceroni mishëroi mbrojtësin e kulturës romake, duke u bërë edhe protagonist. Në një epokë ndryshimesh të mëdha, ai njohu triumfe sa dhe humbje, por oratoria e bëri të përjetshëm.

Për shekuj, Ciceroni ka përfaqësuar ekselencën e latinizmit: oratori dhe avokati i pakrahasueshëm, divulgues i filozofisë dhe njëkohësisht i përkushtuar për kultivimin e frymës dhe pasurimit të kulturës së Romës.

Lindi në vitin 106 para Krishtit, në Arpino, një vend ende i lidhur me vlerat e atij qytetërimi fshatar, që kish përbërë themelet e forcës romake.

Marko Tulio Ciceroni rridhte nga një familje e sërës së mesme, e pranuar prej pak kohësh në cursus honorum: domethënë, me detyra publike. Ishte kështu, një homo novus, pra anëtari i parë i familjes së tij, që mbulonte një pozicion në hierarkinë politike dhe si i tillë, shihej me një farë vlerësimi nga aristokracia. Por, Ciceroni kishte në anën e tij, përvec aftësive intelektuale të lindura, edhe një arsimim shumë të mirë.

Në Romë kishte ndjekur leksionet e të drejtës që mbaheshin nga juristë të famshëm, duke marrë një arsim të shkëlqyer në gjuhën dhe poezinë greke, ashtu sikurse në filozofi. Pa diskutim, kultura e tij ishte e jashtëzakonshme, ashtu si ai vetë thoshte kur vetëshpallej një “njeri i plotësuar”, duke dhënë kështu prova për vetëvlerësimin shumë të lartë që kishte, gjë që e kishte treguar që në fillimet e karrierës. Sic rrëfen Plutarku, miqve që e këshillonin të ndërronte mbiemrin, për shkak se ai buronte nga një paraardhës i tij të cilin e vinin në lojë, Ciceroni u përgjigjej se do të luftonte “për ta bërë mbiemrin Ciceron më të famshëm se sa Scaurit dhe Catulit” (familje të fisnikërisë së lashtë romake).

Ciceroni u afirmua si avokat në vitin 80 para Krishtit, me mbrojtjen e Sesto Roscio Amerino, një qytetar i akuzuar për vrasje dhe i mbrojtur nga Quinto Ortensio Ortalo, oratori më i famshëm i kohës: triumfi i jashtëzakonshë e bëri të fitojë një farë popullariteti, që do të rritej, kur në vitin 75 para Krishtit, pas dy viteve në Greqi për të thelluar studimet, nisi karrierën politike, si kuestor në Sicili. Të habitur dhe të mrekulluar nga ndershmëria e administratës së tij, në vitin 70 para Krishtit, siçilianët i besuan një cështje kundër Gaio Licinio Verres, guvernator i ishullit, ky i akuzuar dhe fajtor për shumë dëme në komunitet.

Mbrojtës i të drejtës

Pasojat politike të çështjes ishin të qarta: akuzimi i Verres nënkuptonte kundërvënie ndaj superpushtetit të aristokracisë, që u bë gardh përreth të akuzuarit. Për ta mbrojtur u thirr sërish Ortensio, por sasia e provave të mbledhura nga Ciceroni ishte e tillë që Verre, duke kuptuar se nuk kishte rrugëdalje, shmangu dënimin duke zgjedhur mërgimin. Por, Ciceroni nuk u dorëzua dhe shkruajti edhe pesë kërkesa të tjera, ku përshkruante të gjitha dëmet e tij, duke zbuluar kështu një kuadër të tmerrshëm korrupsioni dhe mizorie, si dhe duke kujtuar, mes të tjerash, sesi Verre, duke injoruar ligjin që ndalonte dënimin e një qytetari romak, pa i dhënë të drejtën e apelimit, kishte kryqëzuar pa një proces, një qytetar romak, Gavio di Consa, “krimi” i vetëm i të cilit, kishte qenë se e kishte kritikuar. Një gjest, – do të shkruante Ciceroni, – me të cilin “ti Verre, ke torturuar e kryqëzuar jo një njeri, por kauzën e përbashkët të lirisë dhe atdheut”.

Ndonëse tashmë ishin të panevojshme për procesin (Verre kishte zgjedhur mërgimin), këto oracione të shpallura publikisht dhe të publikuara, e shumëfishuan famën e Ciceronit, i cili, tashmë në skenën politike dhe në të njëjtën kohë avokat i zgjedhur nga klientët më të mirë, vazhdoi cursus honorum, fillimisht si pretor dhe më pas, në vitin 64 para Krishtit, si konsull në vitin pasardhës, kohë kur u shënua episodi më i rëndësishëm i karrierës së tij politike: shtypja e komplotit të Catilinës.

Shpëtimtari i shtetit

Një fisnik me ide progresiste, pranë populares (domethënë fraksioni antisenatorial), Lucio Sergio Catilina kish tentuar të zgjidhej konsull, por ishte bllokuar me mjete të ndryshëm, në të vërtetë jo gjithmonë të ligjshëm. Dhe duke qenë se kish kuptuar se nuk mund t’i kapërcente ndryshe pengesat që ngriheshin ndaj qëllimeve të tij, kishte organizuar një grusht shteti, në të cilin ishin përfshirë disa aristokratë të varfëruar (mes simpantizantëve të tyre, në një fazë fillesatre, mendohet se ka qenë edhe Jul Cezari). Ciceroni u vu rastësisht në dijeni të planit dhe, në mënyrë të befasishme, në Senat, e denoncoi me një ashpërsi kaq të madhe, saqë e nxiti Catilinan që të largohej nga Roma dhe të shkonte tek bashkëkomplotistët e mbledhur në Etruria.

Tek Catilinariet, kishte thënë: “Di që kam bërë një rresht me armiq, një rresht të madh sa numri i komplotuesve – që e keni parë se është shumë i madh – por e konsideroj të poshtër, të ndyrë. Edhe nëse një ditë, e shtyrë nga urrejtja dhe marrëzia e ndokujt, ky grup do të jetë më i fortë se sa ndjenja e dinjitetit tuaj dhe të Shtetit, unë nuk do të pendohem kurrë, senatorë, për veprimet e mia dhe për vendimet që kam marrë. Vdekja, me të cilën ndoshta ata do të më kërcënojnë, një ditë do të na vijë të gjithëve. Ndërkohë, një kënaqësi të madhe, si ajo me të cilën më kanë nderuar dekretet tuaja, nuk është dhënë kurrë, askujt. Të tjerëve ndoshta ia keni dhënë për sipërmarrje ushtarake të lavdishme, por vetëm mua ma keni dhënë për shkak se kam shpëtuar Shtetin”.

Akuzuesi joelastik

Gjithmonë e më i vendosur, Ciceroni vazhdoi fushatën e tij duke arritur lartësimin në senatusconsultum ultimum, një dekret që jepte pushtet të përjetshëm në jetë dhe në vdekje, për konsujt në detyrë (mes të cilëve ishte Ciceroni), si dhe duke arritur njëkohësisht arrestimin dhe dënimin me vdekje të komplotuesve që kishin mbetur në Romë, të cilëve – përkundër një prej rregullave themelore të kushtetutës republikane (gjë për të cilën kish akuzuar Verren, se nuk e kishte respektuar) – nuk iu dha e drejta e apelimit para popullit të mbledhur në shesh.

Vetëm Jul Cesari i kërkoi Senatit që të mos lejonte këtë shkelje shumë të rëndë, por nuk u dëgjua: të dërguar në burgun Marmetino, komplotuesit u mbytën. Më janar 62 para Krishtit, Catilina, që ish bashkuar me komplotuesit e tjerë në Etruria, u mposht në Pistoia, ku vdiq si hero, bashkë me shumë prej të tijëve, teksa i rezistuan legjioneve deri në frymën e fundit.

Pak vite më vonë, u formua (në 60 para Krishtit) triumvirati i parë, një marrëveshje private që bashkonte gjeneralin më të famshëm të kohës, Pompein, kapitalistin më të madh të Romës, Kraksin dhe – i mbështetur nga populares – ambiciozin Jul Cezar, personaliteti i jashtëzakonshëm i të cilit shfaqet pikërisht nga ky moment në skenën botërore. I thirrur edhe ai të bëhet pjesë e grupit, Ciceroni refuzoi, nga frika mos armiqësohej me aristokratët konservatorë, me të cilët ishte shumë i lidhur. Dhe kjo i krijoi jo pak probleme: një armik i tij personal, Publico Codio, i zgjedhur tribun i plebejve (thuhet, se i nxitur nga Jul Cezari) kërkoi miratimin e një ligji, që ndëshkonte me vdekje magjistratin, i cili – ashtu si Ciceroni me komplotuesit e Catilinës – kishte dënuar me vdekje një person, pa i dhënë të drejtën e apelimit para popullit. Për të shmangur dënimin, Ciceroni u detyrua të mërgojë dhe shtëpia e tij u bastis nga bandat e Clodios, si dhe u sekuestrua – kjo, në vitin 58 para Krishtit.

Në anën e gabuar

Më pak se një vit më vonë – i thirrur me konsensusin e senatit dhe mbështetjen e Pompeit – siguroi rikthimin e banesës së tij, me anë të një kërkese ku mbronte politikisht veprimet e tij dhe kështu rinisi veprimtarinë si politikan e avokat, duke favorizuar afrimin e Pompeit me grupin e senatorëve. Por, loja e madhe e politikës ishte tashmë, shumë e rrezikshme: pas vdekjes në luftë të Kraksit, lufta për pushtet vinte kundër tanimë Pompein (i mbështetur nga Senati dhe nga Ciceroni) dhe Cezarin, i cili, pas rikthimit fitimtar nga Galia, doli fitimtar edhe në këtë përplasje. Ciceronit, i rreshtuar në anën e gabuar, iu kursye jeta falë bujarisë së Cezarit, i cili i lejoi që të qëndrojë në Romë (viti 47 para Krishtit), duke gjetur ngushëllim në filozofinë për dhimbjet, edhe ato personale, si për shembull vdekja e të bijës, Tulliola, e cila vdiq duke sjellë në jetë fëmijën e dytë.

Megjithatë, loja e madhe nuk kishte mbaruar.

Komploti kundër Jul Cezarit (44 para Krishtit), rivuri në lëvizje mekanizmin e përgjakshëm të luftrave civile, këtë herë mes Mark Antonit (në krye të cezarianëve) dhe Brutit dhe Kraksit, më pranë Senatit, me të cilët natyrisht u bashkua edhe Ciceroni, duke shprehur kundër Antonit një seri oracionesh publike shumë të forta. Megjithatë, brenda pak muajsh, Antoni ra në ujdi me të riun Oktavian (Augusti i ardhshëm), i përzgjedhur nga Cezari, si trashëgimtari i tij. Brutit dhe komplotuesve të tjerë iu desh të largohen në Greqi, për të riorganizuar forcat, ndërkohë që Antoni dhe Oktaviani formuan me Lepidin triumviratin e dytë, duke hartuar listat kundër armiqve kryesorë: mes të cilëve, në vendet e para, ishte Ciceroni. Ky u detyrua që strehohet në vilën e tij, në Formia. Ndërkohë që përpiqej të hipte në një varkë, u arrit nga një grup ushtarësh që udhëhiqej nga një farë Erennio, i cili nuk e pati aspak problem që ta vriste me shpatën e tij.

Me urdhër të Antonit, kufomës iu shkëputën koka dhe duart, që më pas u ekspozuan, pikërisht në Foro, vendin kur për shumë vite Ciceroni i ishte drejtuar popullit. Ishte 7 dhjetori i vitit 43 para Krishtit. Ciceroni kishte jetuar për 63 vite. Përvec se dëshmitar, ai ishte edhe një prej protagonistëve të kohës së tij, një periudhë vendimtare e historisë së Romës, gjatë të cilës përballoi me energji dhe kurajë rreziqet e situatës politike, ku po hynte Republika në fundin e historisë së saj. I mundur, e pagoi me jetë mbrojtjen e Republikës, fillimisht kundër Cezarit dhe më pas, Oktavianit e Mark Antonit.

Ndihej i lindur, siç u thoshte familjarëve tek Letrat, “për të bërë gjithmonë dicka që ishte e denjë, për një burrë të madh (natus ad agendum semper aliquid dignum viro).

Gjithsesi, talenti i tij politik nuk kishte ecur në një hap me ambiciet: ai nuk diti të kuptojë ose të pranojë, ndryshimin e kohërave.

Mendja e mprehtë e oratorit, nuk arriti ta kuptojë se Jul Cezari i kishte dhënë historisë së Romës, një zhvillim të pakthyeshëm, që res publica, kufijtë e të cilës shtriheshin tashmë nga Reni dhe nga Deti i Veriut, deri në rërat e Sirisë dhe të Egjiptit, nuk mund të qeverisej më nga një grusht familjesh aristokratike dhe se, shoqëria e madhe që ishte formuar në ato dekada plot trazira, kërkonte një drejtim politik krejt të ri.

Me luftën kundër Cezarit dhe ndjekësve të tij, fillimisht në krah të Pompeit e më pas, vrasësve të Cezarit – gjithnjë në anën e humbësve – Ciceroni, në fakt, po luftonte kundër historisë.

Thënie nga Ciceroni;

Të jesh injorant i asaj që ka ndodhur kur ti s’kishe lindur, do të thotë të mbetesh gjithmonë fëmijë.

Të folurit shkurt është magjia e vërtetë e elokuencës. Kjo vlen si për senatorin, ashtu edhe për oratorin.

Sa e sa gjëra të cilat nuk do t’i bënim kurrë për hir të vetvetes, i bëjmë për hir të miqve tanë.

Liria është pushteti natyral i njeriut për të bërë çfarë i pëlqen, për aq sa kohë ai nuk ndalet prej forcës së ligjit.

Nuk më vjen turp të tregoj se jam injorant për gjërat që nuk i di.

Nëse ke një kopsht dhe një bibliotekë, ke gjithçka që të duhet.

Sa më shumë ligje, aq më pak drejtësi.

Jo bashkëjetesa, por mirëkuptimi e përbën martesën.

Gënjeshtra, nuk është gjë tjetër veçse imitim i së vërtetës.

Çdo njeri mund të gabojë, por vetëm një idiot këmbëngul në gabimin e tij./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një Skënderbe... një Garibald

“Damis, këta shqiptarët tuaj janë luanë!”