“Broadway” do të mirëpresë përsëri dashamirësit këtë vjeshtë, ndërsa teatrot në qytetin e Nju Jorkut, do të rihapen me kapacitet të plotë, pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të përhapjes së covid-19.
Gjatë 18 muajve të fundit të mbylljes, stenda e biletave T-K-T-S në sheshin ”Times Square” të Nju Jorkut ka qenë bosh, por kjo do të ndryshojë.
“Me vjen shumë mirë që po kthehemi në sheshin “Times Square”. Stenda e biletave në “Times Square” mund të hapet tani dhe kjo është emocionuese”, – thotë Victoria Bailey, nga Fondi për Zhvillimin e Teatrit.
Sallat e famshme të shfaqjeve në “Broadway” u rihapen zyrtarisht të martën, me kapacitet të plotë. Për shumë njerëz, kthimi sinjalizon një ngritje të qytetit dhe fuqinë e artit për të bashkuar njerëzit, madje edhe në këtë fund të pasigurt, të mbylljes më të gjatë në historinë e teatrove në “Broadway”.
“Ajo që është vërtet emocionuese për mua është kthimi i njerëzve në punë, sepse kjo ka qenë e rëndë për njerëzit që sigurojnë jetesën nga shfaqjet artistike”, – shprehet, Bailey.
”The Broadway League”, një shoqatë tregtare që përfaqëson pronarët dhe producentët e teatrit, shpreson të joshë audiencën me një video me 99 klipe nga 99 shfaqje.
Në faqen e internetit ka informacione për shfaqjet dhe shpjegime mbi protokollet e sigurisë.
Spektatorëve do t’u kërkohet të tregojnë provën e vaksinimit, si dhe të mbajnë maska gjatë shfaqjeve.
“Në prapaskenë janë bërë shumë ndryshime, si përmirësimi ose ndryshimi i sistemeve të ajrit të kondicionuar, instalimi i filtrave të rinj dhe krijimi i shërbimeve të reja pa kontakt. Secila shfaqje do të ketë një menaxher të sigurisë për koronavirusin”, – tha për ”Zërin e Amerikës”, Charlotte St. Martin nga shoqata ”The Broadway League”.
Misioni i teatrit për të sjellë njerëzit së bashku është ajo që e gëzon producentin e shfaqjes “Mendimet e një njeriu me ngjyrë”,Brian Moreland. Shfaqja e tij do të debutojë këtë sezon.
“Hapja e teatrove në ”Broadway”, në këto komunitete, rikthimi në sallë i spektatorëve nga e gjithë bota, do të jetë brilante”, – thotë ai.
Ashtu si shumë interpretues, Luke Naphat kaloi pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke punuar nga shtëpia, por ishte optimist për rihapjen e teatrit, kur Zëri i Amerikës foli me të pranverën e kaluar.
“Të gjithë do të kthehen, më të fortë se më parë”, – tha ai.
Tani u rihap dhe Luke Naphat është shumë i kënaqur që provat për shfaqjen “Corner of Bitter and Sweet”, do të bëhen në teatër, së bashku me kolegët e tij.
“Të shohësh njerëzit dhe të këndosh nën shoqërinë e një instrumenti është një ndjenjë shumë e veçantë”,- thotë ai.
“Ne kemi kaluar shumë trauma si shoqëri dhe kemi nevojë të shërohemi. Mendoj se teatri është pjesë e këtij procesi shërues”, – thotë Victoria Bailey.
Kjo do të ndihet menjëherë, sapo të hapen perdet e shfaqjes së parë, në “Broadway”./VOA/