MENU
klinika

"Kërcënim për demokracinë"

Fitoi çmimin “Nobel”, gazetarja hedh akuza të forta ndaj Facebook

09.10.2021 - 22:26

Gazetarja Maria Ressa, së cilës javën e kaluar iu dha çmimi Nobel për paqen ka akuzuar rrjetin social Facebook se nuk po arrin ta ndalojë dezinformimin. The Guardian shkruan se Ressa është shprehur se Facebook është një kërcënim për demokracinë pasi po tregohet “i njëanshëm ndaj fakteve”.

Gazetarja tha se algoritmet e Facebook i japin përparësi përhapjes së gënjeshtrave të mbushura me zemërim dhe urrejtje e jo lajmeve të bazuara në fakte.

“Facebook është bërë shpërndarësi më i madh i lajmeve në botë , megjithatë është i njëanshëm, kundër fakteve, kundër gazetarisë… Nëse nuk keni fakte, nuk mund të keni të vërteta, nuk mund të keni besim. Nëse nuk keni asnjë nga këto, nuk keni demokraci,”- tha ajo ndër të tjera.

Ressa, e cila bashkë-themeloi uebfaqen e lajmeve Rappler, fitoi çmimin Nobel të Premten për punën e saj në “mbrojtjen e lirisë së shprehjes”, së bashku me gazetarin rus Dmitry Muratov.

Kjo deklaratë e Ressa erdhi disa ditë pasi ish-punonjësja Frances Haugen pretendoi se kompania Facebook merrte fitime nga individë të ndryshëm dhe jo vetëm. Haugen shtonte se Facebook po drejton përdoruesit e rinj drejt përmbajtjes dëmtuese. Ajo gjithashtu sugjeroi që mosha minimale për llogaritë e mediave sociale të rritet nga 13 në 17 vjeç. Politikanët britanikë po ngrenë gjithashtu shqetësime në lidhje me aftësinë e Facebook për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtja e dëmshme.

Julian Knight, kryetar i Tory i komitetit dixhital, kulturës, medias dhe sportit, i bëri thirrje Facebook -ut të demonstrojë se ishte në gjendje të zbatonte edhe rregullat e tij ekzistuese.