MENU
klinika

Kështjella e magjepsur

Mbretëresha me shërbëtoret… që enden në përjetësi

21.10.2021 - 16:28

        Edhe nëse i afrohesh gjatë ditës kështjellës Stirling, të ngjall frikë.

Me kundërmimin e pluhurit të vjetër, lagështirës së gurit dhe barit nën vesë, pallati kullon magji nga çasti që dikush i shkel territorin. Imagjinoni të njëjtën ndjenjë, të njëjtat aroma, në errësirën e natës. Fushat përreth kështjellës janë të shkreta, zhurmat e vetme janë hapat e lehtë mbi gurët e fortë, që jehojnë në gjithë ndërtesën, sikur dikush, diku afër, po të ndjek. Në çdo cep shikon hije; s’ka diell që t’i dëbojë nga dritaret, s’ka pishtar t’i bëjë mënjanë si dikur. Gurët gërryen me kalimin e viteve, të ashpër dhe të ftohtë mes gishtave. Brenda tyre ka histori, të fshehura në plasat dhe të çarat, mirëpo tregimtarët e rrëfimeve kanë vdekur kohë më parë. Megjithatë, në errësirë, në jehonën e heshtjes, i vetëm në një dhomë të akullt me lagështirë, befas ndjeni një frymëmarrje të ftohtë në pjesën e pasme të qafës. E dimë fare mirë, që ndonëse tregimtarët kanë vdekur, ato nuk janë zhdukur. Kështjella Stirling ka një histori të gjatë si rezidenca mbretërore e mbretërve dhe mbretëreshave skocezë. Ishte selia e pushtetit në veri. Toka ku ngrihet kështjella ka kaluar në shumë duar, nga fiset vendase te mbretërit Mercia e Piktët në shekullin e 12-të, etj. Si e tillë, nuk është çudi që historia e saj është e mbushur me gjakderdhje, tradhti e thesare, kësisoj është terreni i përsosur që fantazmat dhe hijet të bëhen shtëpia e tyre e përjetshme./Konica.al

Thuhet se gruaja e njohur si “Zonja e gjelbër” endet nëpër sallat e kështjellës. Nga vendasit e rritur me gojëdhënat e kështjellës Stirling, tek udhërrëfyesit që ofrojnë turne fantazmash në Stirling, pohojnë se në kështjellë gëlojnë fantazma femrash të të gjitha nuancave të ylberit. Megjithatë, ”Zonja e gjelbër”, është më pak e frikshme, mbase për shkak të pamjes, e njohur për flokët e gjatë dhe fustanin e gjelbër, mbase për shkak të legjendës së vdekjes. Përpos gjithçkaje, thuhet se pamja e saj i frekuenton më shpesh sallat. Edhe pse nuk dihet me siguri identiteti i fantazmës, Zonja teorizohet si një nga dy personat: vajza e një komandanti ushtarak, viktimë e një marrëdhënieje të mallkuar që e çoi në vetëvrasje ose një shërbyese e gruas më të famshme të Skocisë (megjithëse përkohësisht), Marisë, mbretëreshë e Skocisë.

Në vitin 1562, Mbretëresha Mari u kthye nga Franca në Skoci, pasi burri francez, mbreti Francis, vdiq. Ajo qëndroi në kështjellën Stirling, shtëpinë ku ishte rritur, e rrethuar nga njerëz besnikë të Stirlingut që më tepër e vlerësonin, sesa e dënonin pozicionin mbretëror në ishujt britanikë. Njëra nga vajzat që kujdesej për mbretëreshën, besonte se kishte dhuntinë e parandjenjës dhe profetizoi se mbretëresha Mari ishte në rrezik të madh. Nuk dihet nëse Maria besonte në aftësitë parashikuese të vajzës, por legjenda thotë se ajo e lejoi vajzën të kujdesej për të ndërsa flinte. […] Në fakt, ajo çfarë ndodhi më pas mund të quhet thjesht një “aksident i frikshëm”.

Një natë, teksa vajza ruante Marinë, thuhet se u përhumb në gjumë. E lodhur nga mbikëqyrja e vazhdueshme, iu mbyllën sytë për një moment… dhe u zgjua për ta gjetur shtratin e mbretëreshës mes flakëve. Për ironi, zjarri u shkaktua nga qiriri që shërbyesja kishte ndezur për t’u siguruar, se, nëse mbretëresha zgjohej ndërsa ajo flinte, do të ngushëllohej nga drita. Dhoma ishte e mbushur me tym dhe zjarr, rrobat e mbretëreshës së pavetëdijshme kishin marrë flakë, vajza thirri për ndihmë. Edhe mbretëresha, edhe vajza e llahtarisur, u shpëtuan, por vetëm mbretëresha i mbijetoi ngjarjes traumatike. Vajza vdiq nga plagët dhe, përkundër përpjekjeve të saj fisnike, vetëm ngjyra e veshjes mbeti në kujtesë, pra me atë ngjyrë mbahet mend.

Disa thonë se ”Zonja e gjelbër” fanitet nëpër sallat e Stirlingut, nga faji që gati i shkaktoi vdekjen mbretëreshës. Të tjerë thonë se është thjesht një shpirt i humbur, i paaftë të largohet për shkak të traumës së vdekjes. Pavarësisht, duket se ajo nuk ka qëllim keqdashës ndaj të gjallëve, por frika e Zonjës ka të ngjarë të vijë nga besimi se ajo është një ogur fatkeqësie. Fantazma tjetër që besohet se endet në kështjellën Stirling është gruaja e quajtur “Pink Lady”. Në një nga hipotezat e përhapura thuhet se është Maria, mbretëresha e Skocisë, e cila ende përndjek dhomat e fëmijërisë së saj dhe strehëzat e vejushave./Konica.al/Kushërira e mbretëreshës Elizabeth I të Anglisë dhe nëna e mbretit James I të Anglisë dhe VI të Skocisë, jeta e Marisë ishte e mbushur me përbuzje, konflikte politike dhe përvoja buzëvdekjeje, që pa dyshim e tronditën deri në palcë. Mbase Maria, e cila vdiq në tehun e shpatës, me kokën mbështetur në bllokun e ekzekutimit, e kishte të vështirë të largohej nga vendi që ajo besonte se i takonte me të drejtë. Nëse ajo është vërtet ”Zonja rozë”, atëherë ”Zonja e gjelbër” sigurisht që është kujdesur mirë.

Nëse vizitoni kështjellën Stirling, mos i harroni këto fantazma, ndërsa endeni nëpër terrenin e tyre. Ato janë mësuar me njëra-tjetrën, kanë jetuar me ato mure për qindra vjet. Mund të jenë të padëmshme, thjesht duan të dëshirojnë t’ju tregojnë se kush janë, vetëm që të mos u harrohet emri. Nëse nuhatni erën e pluhurit, lagështirën e gurëve dhe barin me vesë të kështjellës që ngrihet në ultësirën skoceze, kushtojini vëmendje drejtimit të erës dhe rrjedhës së ajrit. Ka të ngjarë që fantazmat t’i keni pas shpine./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrëfimi i padëgjuar i Ledy Dianës

“Martesa me Charles, ferr që ditën e parë”

Princi Philip feston ditëlindjen e 99-të

“Bashkëshorti më i vjetër në historinë britanike”