MENU
klinika

Tetor poetësh...

Migjeni në madhështinë e fjalës

13.10.2021 - 17:52

       Tetori i Dritëroit, është edhe tetori i Migjenit – është shprehur Moikom Zeqo – sepse poetët janë peshorja e botës dhe universit.

Kjo datë që për çudi i tremb njerëzit, pra 13-ta, shënoi në letrat shqipe të shekullit të njëzetë, dy emra të mëdhenj: njëri i vargjeve të një melankolie therëse deri në revoltë, tjetri i tokës, i njeriut të thjeshtë që përplaset përditë me realitetin zakonshëm të vrazhdë, zhveshur prej çdo bukurie false.

MIGJENI, djalosh i shekullit të ri dhe DRITËROI – pasqyra e një kohe tjetër vështirësish të shoqërisë shqiptare, në mbarimshekull./Konica.al

Poet dhe prozator, Migjeni u bë përfaqësuesi më i shquar i letërsisë demokratiko-revolucionare të paraçlirimit.

Lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë – kohë kjo kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934; bashkëpunoi në revistat “Illyria”, “Bota e re” etj. Më 1936 krijimet e veta poetike i përmblodhi në librin ”Vargje të lira”, që censura nuk e la të qarkullojë. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali, për t’u kuruar nga sëmundja e mushkërive. Vdiq më 26.8.1938, në moshën 27-vjeçare në një sanatorium pranë Torinos, në Torre Peliçe.

La në dorëshkrim, një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Me bindje demokratike, revolucionare, poeti i ri filloi të brumoset që në bankat e shkollës, nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqipe po forcohej rryma demokratike; me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Në themel të krijmtarisë së Migjenit shpaloset aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet e pa frikën për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndanë veprën e tij.

Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”,”Shpirtënit shtegtarë”etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë («kalbësinave që kërkojnë shejtnim»). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto krijime me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

KANGA QË S’KUPTOHET

Melodisë kombëtare
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.

Kangë a vaj? Çëje? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen…
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t’i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t’i gozhduen?

Oh -jo! Kangajote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu’ e dergjë ndoshta do hesht e molisun…

Pasqyrimi i varfërisë së skajshme të masave zë vend qendror në krijimtarinë migjeniane; për shkrimtarin, kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë, humnera e vuajtjeve ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë në zgrip të jetës, të mjerë që jeta u kishte rezervuar vetëm thartësinë e skamjes, ndaj edhe flakur jashtë shoqërisë.

RECITAL’ MALSORIT

0, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
ta dij dhe ai se ç’domethanë i dobët –
n’agoni të përdihet si vigan i vramë.

Unë – lugat si hij’ e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instinktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

Mali hesht – dhe në heshtje qesh.
E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh.

“Poema e mjerimit”, më e shquara vepër e tij, ishte përshkrimi i tablosë gjallë dhe rrëqethëse të gjëllitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze.

Ndërsa në një varg, si “Zoti të dhashtë”. etj., poeti i ri fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli.

Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t’i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia – këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit, krijimtaria e të cilit, la gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.

Poeti dha kaq shumë, në sa pak kohë… i kishte caktuar fati!