“Besohet se kultura mund të gjendet vetëm në artet e bukura. Jo. Vërtet ajo ëshë kulturë, por është edhe gatimi, moda, edukimi, shkenca, feja, folklori, mjedisi, mënyra e të dashuruarit, me pak fjalë, gjithçka që njerëzit shtojnë ose heqin për të përmirësuar ose dëmtuar natyrën”.
Kush nuk e ka lexuar kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, apo “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”? Romancier, tregimtar, gazetar dhe aktivist politik, nobelisti i njohur në rrethin shoqëror si “Gabo”, mban firmën e një prej veprave më domethënëse dhe më të njohura të shekullit të 20-të.
Gabo shkroi romane që bënë histori, si “Njëqind vjet vetmi”, “Dashuria në kohërat e kolerës”, “Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë”, “Jeto për ta treguar”, etj. Ishte njeri mendjemprehtë dhe tejet i angazhuar, i cili arriti të dallohej për stilin e lehtë, argëtues dhe transgresiv, por edhe për aftësinë për t’i shndërruar dëshirat e veta dhe ato të lexuesve në faqe të mrekullueshme./Konica.al
Lexues në mbarë botën çmojnë aftësinë mjeshtërore të kombinimit të elementeve magjike me mjediset më realiste socio-kulturore, tipar që e lejoi të bëhej një nga autorët më të njohur të realizmit magjik. Në tregime e novela, Markesi bashkon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen në një mënyrë krejt të jashtëzakonshme. Nga pikëpamja narrative romanet janë jo vetëm magjepsëse, por edhe prekëse, gjykuar nga reflektimi mbi ndjenjat e një shoqërie të ngërthyer mrekullisht mes faqeve, me aftësinë e jashtëzakonshme për të zotëruar konceptin e kohës dhe vdekjes. Librat rrëfejnë histori, ku koha po ndryshon: ata udhëtojnë nga e tashmja në të kaluarën dhe anasjelltas, në një linjë narrative bindëse dhe tërësisht të rrjedhshme.
Krijimtaria e tij është pasqyrimi i realitetit kulturoro-social të Kolumbisë dhe gjithë Amerikës Latine të atyre viteve.
Suksesi dhe cilësia letrare ishin të atilla, që në vitin 1982, iu akordua çmimi më prestigjioz ndërkombëtar, çmimi “Nobel” për letërsinë. Edhe pse njihet lidhja e tij me realizmin magjik, ai shkroi ese të shumta ndikuar nga tema realiste.
Krijimtaria e Markesit është cilësuar si e përjetshme dhe e karakterizuar nga një angazhim i dendur shoqëror.
Po ashtu, rol të rëndësishëm në letërsinë artistike luajti dhe politika. Pra, nuk është rastësi që të shkruarit përfaqësonte mjetin për të shprehur mendimet në kontekste narrative. Markes arriti ta trajtonte rëndësinë që kishte për të angazhimi social dhe politik, si një çështje vendimtare në jetën e vendit dhe popullit të tij. Falë realizmit magjik (e natyrshmja brenda të magjishmes dhe e magjishmja në të natyrshmen), universi i Gabos i përket një sërë gjeneratave kolumbiane. Në veprat përçohet nostalgji, ndier prej distancës mes realitetit dhe kësaj “bote fantastike”. Megjithëse nobelisti e përshkruante gazetarinë si “profesionin më të mirë në botë”, ai u shqua edhe si admirues i revolucionit kuban dhe mbrojtës i viktimave të diktaturave ushtarake të Amerikës së Jugut.
Në një farë mënyre ishte i magjepsur nga fuqia, gjë e cila i mundësoi të takohej jo vetëm me Fidel Kastron, por edhe me Bill Klintonin, Fransua Miteranin… Nuk kërkoi asnjëherë pushtet politik, pasi gjithmonë e përkufizoi veten si shkrimtar, gjithsesi i pëlqente të qëndronte pranë njerëzve të pushtetshëm. “Vjeshta e Patriarkut” (1975) është shembulli i epokës revolucionare, mënyra e tij për të mos u pajtuar me diktatorët që sunduan Amerikën Latine gjatë viteve 1950. Krijimtaria është e mbushur me ngjarje dhe personazhe të mrekullueshme dhe magjepsëse: dashuria dhe çmenduria, luftrat, politikat, ëndrrat dhe vdekja. Gjithçka që kishte shkruar, e dinte ose e kishte dëgjuar para se të mbushte 8 vjeç. Gabo qe shembull i përkushtimit politik dhe social, përkushtim i pasqyruar edhe në punën e tij të shkëlqyer./Konica.al
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Nobel”, ai u shpreh: “Përballë shtypjes, plaçkitjes dhe braktisjes, përgjigja jonë është jeta. As përmbytjet, as murtajat, as zitë e bukës, as kataklizmat, madje as luftrat e përjetshme përgjatë shekujve nuk kanë qenë në gjendje të zbehin triumfin këmbëngulës të jetës mbi vdekjen”./Konica.al