Vjen si zgjedhje e regjisores, Elma Doresi.
Vepra me autor Hekuran Zhitin, pritet të jetë premierë në teatrin “Avdush Hasani” të Podujevës, ndërsa regjisorja ka nisur provat. Doresi shprehet se, zgjedh vepra shqipe, sepse i flasin realitetit.
“Zgjedh dramën shqipe, pra veprën shqiptare për disa arsye. Nëse nuk e zgjedhim ne, nuk ka kush ta zgjedhë; sepse kush më mirë se ato mund t’i flasin realitetit tonë; nuk e gjen dot as në YouTube dhe as në Google. Por dhe më pëlqejnë sfidat! (Nëse një vepër e huaj, fjala bie një vepër nga Rei Kuni është sukses, dramën shqipe e ke ti në dorë ta bësh sukses)”, – shprehet ajo.
Për regjisoren e njohur, që ka sjellë deri tani në skenë vepra të ndryshme që janë mirëpritur nga publiku, në aktivitetin e saj puna me dramën shqipe nuk ka qenë e lehtë. Por ajo thotë se puna e saj do të vijojë. “Dramaturgjia shqiptare duhet të inskenohet! Një gjë është ta lexosh (m’ka çu nona me la gojën – populli ) dhe një gjë tjetër është të punosh me të! Sigurisht, nuk është e lehtë, por nuk është as e pamundur! Jam përpjekur ta prek sa më shumë dramën shqipe dhe besoj se kam bërë shumë, por mund të bëj edhe më shumë”, thotë Doresi. Komedia “Nusja në thes” e autorit Hekuran Zhiti është një vepër e shkruar rreth 70 vite më parë. Në role janë aktorë nga Shqipëria dhe Kosova. Aktorët janë Besart Zeneli, Muhamet Zeka, Ryva Kajtazi, Sindi Çitaku, Gani Morina, Suela Konjari dhe Valina Muçolli. Skenograf Artan Hasani, kostumografe Edlira Qyshka, drejtor udhëheqës Agron Gërguri. Regjisorja Doresi bën me dije se premiera pritet në dhjetor dhe tregon se për komedinë mori pjesë në një konkurs në fillim të këtij viti, ku më pas u përzgjodh.
“Nusja në thes”, sipas Doresit, flet për etjen e lidërve për pushtet.
“Komedia i përshtatet realitetit shqiptar. Vepra flet për etjen e liderëve për pushtet dhe përfitime personale në kohën kur një popull mbretëron në një gjendje varfërie të skajshme”, – thotë ajo.
Ngjarjet zhvillohen diku në Myzeqenë e viteve 1920. ku prefekti, i cili. ishte vendosur për të zbatuar me përpikëri detyrat si qytetar në shërbim të popullit, vendoset në shërbim të vetvetes. duke abuzuar në dëm të popullit dhe duke kaluar çdo kufi të keqpërdorimeve.
Një prefekt që pasurohet dhe një popull që sa vjen dhe rrënohet më shumë.
Një etje për pushtet dhe… për të pasur gjithçka që e rrethon.
Një njeri, i cili nuk ngopet kurrë, sepse asgjë nuk i duket e mjaftueshme.
Kulmi arrin kur prefekti vendos të dërgojë për ushtarë sakatët dhe të përkrahë njerëzit me pushtet, sepse ata i mbushin xhepat. Në këtë errësirë dhe rrugë pa dalje, shpëtimi i vetëm është Hëna ose ndryshe Hakmarrja, një personazh sa mistik, aq edhe real, si vetë emri i saj. Hëna që sapo është kthyer nga Parisi, ku ka jetuar për vite me radhë, ndeshet me babëzinë e prefektit dhe varfërinë e popullit, prandaj vendos të hakmerret me të gjithë.
Sesa do t’ia dalë Hëna të ndalojë abuzimet e pushtetarit të kamur e të kalbur të Myzeqesë, mbetet për t’u parë.