MENU
klinika

Nga “Financial Times”

Pse vetizolimi i Kinës përbën shqetësim global

11.11.2021 - 09:29

I ftuari më i rëndësishëm i samitit të klimës COP26, nuk mori pjesë në të. Si president i Kinës, Xi Jinping, drejton një vend që lëshon në atmosferë më shumë dioksid karboni sesa SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian të marra së bashku.

Por në dallim nga liderët e tjerë botërorë, Xi nuk mbajti një fjalim në samitin e klimës. Në vend të tij, ai paraqiti një deklaratë me shkrim prej më pak se 500 fjalësh, dhe që u publikua në faqen e internetit të konferencës.

Qëndrimi shpërfillës i Xi ndaj bisedimeve mbi klimën, mund të duket në pamje të parë një fyerje për pjesën tjetër të botës. Por refuzimi i liderit kinez për të shkuar në Gllasgou për samitin e COP26 – apo edhe në samitin e G20-ës në Romë para tij – është pjesë e një modeli më të gjerë të izolimit kombëtar të Kinës.

Në kundërpërgjigje ndaj pandemisë së Covid-19, Kina ka instaluar një nga sistemet më të rrepta në botë të kontrolleve kufitare dhe karantinave. Të huajt apo shtetasit kinezë që hyjnë në vend, duhet të kalojnë nëpër një karantinë të rreptë për të paktën 2 javësh.

Kontrolle shtesë zbatohen për ta nëse hyjnë në Pekin, ku banon edhe udhëheqja e vendit.

Në fakt ky sistem e ka bërë të pamundur për të huajt që ta vizitojnë Kinën, përveçse nëse qëndrojnë aty për disa muaj, apo edhe që shumica e kinezëve të udhëtojnë jashtë vendit.

Vetë Xi nuk është larguar nga Kina prej gati 2 vjetësh. Hera e fundit që ai takoi personalisht një udhëheqës të huaj, ishte në një takim me presidentin e Pakistanit në Pekin në marsin e vitit 2020. Samiti i ardhshëm i presidentit Xi me homologun e tij amerikan Joe Biden, do të mbahet përmes video-konferencës.

Kur pjesa më e madhe e globit ndodhej nën izolim, natyra ekstreme e masave të Kinës dukej si më pak e jashtëzakonshme. Por tani që pjesa më e madhe e botës, po i kthehet diçkaje të përafërt me normalitetin, izolimi i Kinës po shihet si gjithnjë e më anormal.

Dhe efektet e këtij izolimi në biznesin ndërkombëtar, janë tashmë të dukshme. Kina vazhdon që të tregtojë dhe investojë nëpër botë. Por lidhjet e saj të biznesit po prishen. Dhomat e huaja të tregtisë në Kinë, raportojnë se drejtuesit e bizneseve ndërkombëtare po largohen nga vendi, dhe nuk po zëvendësohen nga të tjerë.

Roli i Hong Kongut si një qendër globale biznesi, ka marrë një goditje të fortë. Udhëheqja e Kinës mund t’i mirëpresë disa nga këto zhvillime. Yu Jie, bashkëpunëtor në think-tankun “Chatham House” me seli në Londër, deklaron se pandemia i ka dhënë mundësi Xi-së që të përshpejtojë rrugëtimin që kishte nisur tashmë:atë drejt vetëbesimit kombëtar.

Kjo politikë ka filluar shumë përpara pandemisë, me fushatën “Made in China 2025”, e cila promovoi teknologjinë dhe prodhimin vendas. Por me ardhjen e Covid-19, theksi i vendosur tek vetë-mjaftueshmëria ekonomike, është shndërruar tanimë në një kthesë shumë më të gjerë.

Dhe ajo do të ketë pasoja të rrezikshme për Kinën dhe botën. Rritja e jashtëzakonshme ekonomike e Kinës gjatë 40 viteve të fundit, u shkaktua nga përqafimi që i bëri Deng Xiaoping “reformimit dhe hapjes” në vitet 1980.

Deng e pa se izolimi i shkaktuar nga Revolucionit Kulturor të Maos, e kishte zhytur vendin në varfëri dhe prapambetje. Ai ishte mjaftueshëm i përulur dhe modest, për të kuptuar se Kina mund të mësonte nga bota e jashtme. Por gjendja aktuale në Kinë është shumë e ndryshme.

Rana Mitter, profesoreshë e historisë kineze në Univeristetinn e Oksfordit, vë në dukje rrezikun se “kufijtë e mbyllur do të çojnë në mendje të mbyllura”. Pas 40 vitesh rritjeje të shpejtë ekonomike, Kina ka shumë besim tek vetja.

Mediat kineze e portretizojnë Perëndimin, dhe SHBA-në në veçanti, si në një rënie të pandalshme. Qeveria kineze beson se vendi është shumë përpara në disa teknologji kyçe të së ardhmes, si teknologjia e gjelbër dhe Inteligjenca Artificiale.

Pekini mund të besojë se tani bota ka më shumë nevojë për Kinën, sesa Kina ka nevojë për botën. Ndërkohë, vënia nën kontroll e pandemisë, është ngatërruar enkas me legjitimitetin politik të Xi Jingping dhe Partisë Komuniste.

Numri zyrtar i vdekjeve nga Covid-19 në Kinë është nën 5.000, krahasuar me 750.000 të vdekur në SHBA. Qeveria e Xi argumenton se teksa SHBA-ja tallet me të drejtat e njeriut, Partia Komuniste Kineze e ka mbrojtur në fakt popullin e saj.

Por politikat zero-Covid të Kinës, rrezikojnë tani të shndërrohen në një kurth të rrezikshëm për të. Ndërsa bota e jashtme po kalon drejt jetës me nivele të ulëta të sëmundjes, për Kinën kontakti me të huajt mund të duket edhe më i rrezikshëm.

Kjo ka çuar tek vendosja e një theksi të ri në kufizimin e ndërveprimit me botën e jashtme.

Edhe lehtësimi i kontrolleve të brendshme në Kinë është i vështirë, pasi varianti Delta ka çuar në shpërthime të vogla epidemike në 2/3 e provincave të vendit.

Mbyllja e këtyre vatrave, inkurajon tendencat më të këqija të kontrollit të Partisë Komuniste, e cila po e përdor teknologjinë për të monitoruar gjithnjë e më nga afër qytetarët. Në një rast, më shumë se 30.000 njerëz u mbyllën brenda “Disneyland Shangai” dhe u testuan një për një, pas zbulimit të një rasti të vetëm me Covid-19.

Këto lloj politikash drakoniane, po shkaktojnë që tani një debat publik në Kinë. Por kontrollet nuk kanë të ngjarë që të lehtësohen së shpejti. Këtë javë Partia Komuniste po zhvillon një takim, i cili po përgatit terrenin në mënyrë që Xi ta zgjasë periudhën e tij të qëndrimit në pushtet nëpërmjet kongresit të rëndësishëm të partisë që do të mbahet në nëntorin e vitit 2022.

Kinezët nuk do të duan që të ndërmarrin asnjë rrezik politik përpara këtij evenimenti. Pas kongresit, Kina do të hyjë në dimrin e radhës, kur rastet me këtë sëmundje mund të rriten. Për pasojë, shumë ekspertë mendojnë se politika e Kinës për zero-Covid, dhe kufijtë e mbyllur që shkojnë paralelisht me të – do të shtrihet të paktën deri në vitin 2023.

Deri në atë fazë, Kina do të jetë në izolim të vetë-imponuar prej më shumë se 3 vjetësh. Si rezultati i saj, ka të ngjarë të vuajë si ekonomia kineze por edhe ajo botërore, dhe po ashtu edhe bashkëpunimi global.

Megjithatë, efekti më i madh dhe më i prekshëm negativ, mund të jetë tek populli kinez. Është shumë më e lehtë të besosh se të huajt janë të rrezikshëm dhe dekadentë, në rast se nuk i takon asnjëherë ata. Por kur Kina të rihapet më në fund, bota mund të përballet me një vend shumë të ndryshuar./ Nga Gideon Rachman