MENU
klinika

Manastiri Rubik

I çel dyert kisha e Shëlbuesit

21.12.2021 - 15:45

        Kisha e Manastirit të Rubikut, është gati të hapë dyert këtë prag Krishtlindjesh, pas rikonstruksionit nga programi “EU4Culture”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, bën të ditur se kjo kishë është e një rëndësie të veçantë për trashëgiminë e Shqipërisë.

“E keni vënë re Kishën e Manastirit të Rubikut. E vendosur mbi shkëmb. me pamje nga lumi Fanë? Pas rikonstruksionit nga programi “EU4Culture”, kisha e një rëndësie të veçantë për trashëgiminë e Shqipërisë është gati të hapë dyert këtë prag Krishtlindjesh”, shprehet delegacioni i BE, duke publikuar edhe foto nga Kisha e rikonstruktuar e Manastirit të Rubikut.

Kisha e Manastirit të Rubikut, një monument françeskan, ndodhet mbi një kep shkëmbi me pamje nga lumi piktoresk i Fanit. Fillimisht u themelua në vitin 1166, si një nga katër Kuvendet Benediktine në rajonin e Mirditës.

Kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeohistorik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të stilit tipik romanik, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Nëpërmjet mbështetjes së programit “EU4Culture”, arkitektura dhe historia e rëndësishme e kishës dhe afresket e rralla, do ta nxisin turizmin kombëtar dhe ndërkombëtar për ta shijuar këtë monument kulture.

Kisha e Shëlbuesit tejet të Shenjtë në Rubik është shumë e lashtë dhe shpeshherë e restauruar. Dikur, aty ishte kuvendi Benediktin. Në kishë ende ekzistojnë afreske të vjetra të kohës së tyre.

Në vitin 1754 kishën e restauroi Fra Michele Giuliano, i Prov. së Napolit, e në vitin 1836 Fra Mateu Radoš nga Prov. e Bosnjës. Hospicin e riparonin Fra Bonaventura nga Acquaviva (në v. 1843) dhe Fra Dario Buccarelli (në v. 1856).

Në vitin 1886, atje u tërhoq Fra Anastasio Vincenzoni. Ai dhe Komisari, Fra Augustin Zubac, me ndihmën e Austro-Hungarisë, në vitin 1897 e ripërtërinë kishën dhe rindërtuan kuvendin, kështu që më 17. 04. 1898 në të u hap Noviciati i parë në atdhé, i cili mbeti atje deri në vitin 1921. (Pastaj deri në vitin 1946 Noviciati kaloi në Troshan.)


Pas mbylljes së kishave (në vitin 1967) kisha, kuvendi dhe rrethi i tyre u bënë zonë ushtarake. Me kthimin e lirisë së fesë në vitin 1991 u hap rruga deri në kishë, por ushtria qëndroi aty deri në kohën e rrëmujës së madhe në Shqipëri, në vitin 1997.

Famullinë e Rubikut, zakonisht e kanë shërbyer fretërit e Laçit: më së shumti Fra Ferdo Boban dhe Fra Vlatko Soldo (të dy nga Hercegovina). Në kohë të fundit (në vitin 2013) Provinca ia dorëzoi Rubikun ipeshkvit për 10 vjet e pastaj, prapë do të jetë në kujdesin e fretërve.

Klerikët e famullive dhe abacive të Mirditës, qenë jo vetëm misionarë apostolikë të katolicizmit, po dhe hulumtues të zellshëm të vlerave arkeologjike, historike, etnologjike, folklorike, gjuhësore të trevës. Institucionet e kultit ku ata shërbyen mes një populli me sakrifica të çfarëdollojshme qenë jo vetëm tempuj të besimit, por u shndërruan dhe në tempuj të dijes, shkencës, kulturës, letërsisë etj. Në famullitë e largëta të maleve mes librave liturgjikë, Biblës, ungjijve dhe kanonikëve fetarë gjeje abetare, gramatika e fjalorë të shqipes, dorëshkrime për të drejtën dokësore, folklorin etj.

Shumë prej mësuesve të shkollave shqipe të krahinës ishin priftërinj, ata shpinin përpara traditën e shquar që e kishte zanafillën me Gjon Gazullin, Pal Engjëllin, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Lekë Matrangën e Pjetër Bogdanin./Konica.al