I njohur ndryshe me emrin Kolë Idromeno, ai do të ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. “Piktori i Popullit” ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, më 1919.
Më 12 dhjetor të vitit 1939 u nda nga jeta artisti Nikollë Idromeno. U lind më 15 gusht 1860 në Shkodër.
Është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX-XX. Në vitin 1883 realizoi tablonë “Motra Tone” që është dhe vepra e parë e rëndësishme realiste në pikturën shqiptare të periudhës së Rilindjes dhe Pavarësisë.
Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrotën.
Një nga veprat më të dalluara të Koli Idromenos është “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në këtë pikturë ai kujton largimin e parardhësve të tij nga Parga drejt Himarës.
Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku nga Postriba”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Kolë Idromeno ka një meritë të madhe në prizmin e pikturës. Risitë që ai pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke filluar me realizmin e nga laicizmi, i përfaqësuar si te “Motra Tone” deri te “Plaku nga Postriba”.
Ai u bë i njohur edhe si arktitekt. “Dugajt’ e reja” në Shkodër është një rrugë e projektuar prej tij, por dhe shumë ndërtesa të qytetit dhe rrugë qëndrore janë punuar nga dora e Koli Idromenos.
Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, e tërhiqte mjaft fotografia, që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Në studio, në atë kohë punonte si ndihmës një djalosh zadrimor, Mati Kodheli, me të cilin Kola u miqësua shpejt, por për një kohë të shkurtër, sepse më 1881, ai vdes.
Ishte kjo periudha që do të ngjizej miqësia mes familjeve Marubi dhe Idromeno, që vazhdoi për një kohë të gjatë. Kol Idromeno i firmoste veprat e tij, si Nikolla Idromeno.
Më 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit; pra, për Idromenon nuk diskutohet vetëm në rrafshin artistik. Ai qe edhe një patrioti i madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë.
Idromenot vinin nga Parga, asokohe në Vilajetin e Janinës, prej ku u larguan në kohën e Ali pashë Tepelenës, për t’u vendosur në Korfuz. Popi Andrea Idromeno ishte mësues në Korfuz, ku përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e ”Ungjillit sipas Matheut” dhe ”Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pop Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, që kishte lindur në Korfuz.
Më 1856, Arseni u shpërngul në Shkodër, ku ushtroi zanatin e tij si marangoz e drugdhendës, si dhe projektuesit autodidakt e zbatuesit të ndërtimeve private në qytet, si shtëpitë e familjes Lukaj te Arra Madhe, Rokacollëve në Serreq, ndërtesa e Kryqit të Kuq, liceu Illyricum dhe shtëpia e vet në Gjuhadol. Dy vite më pas u martua me një vajzë shkodrane, Dranden ose Rozën e Filip Saraçit, më 5 dhjetor 1858.
Biografia
U lind në Shkodër më 15 gusht 1860, një vit pas së motrës, Tones. I vendosin dy emra të dytë: Rrok (si ditë emri) dhe Spiridon. Nisi shkollën fillore më 1867, shkollë e mbështetur nga Kisha Katolike, ku mësimet jepeshin italisht dhe shqip nga kleri si dhe mësues të tjerë. Ndër bashkënxënësit e tij në këtë shkollë ishte edhe poeti i ardhshëm Filip Shiroka, me të cilin do të kishte miqësi të gjatë e letërkëmbim të vazhdueshëm. Përpos klerit, vizatim i dha Pietro Marubi; Kohës kur ende nuk kishte mbaruar klasën e katërt i përkasin vizatimet e hershme Krye fëmije, Malësorja dhe Gomari n’udhë. Në vitet 1871-1875 iu përkushtua akuarelave të parë E vorfna, Baresha, Fshatarja, kompozimi i tij i parë mendohet të jetë Pusija, më pas Netë kazanash dhe Dymdhetë luftarë të Pargës në lundër. Marubi ndikoi te Arseni që ta niste në Akademinë e Arteve në Venedik më 1875,ndërsa Mati Kodheli studjonte për fotografi në Trieste. Duke mos duruar mësimdhënien formale të akademisë, hoqi dorë pas gjashtë muajsh dhe nisi punë në studion e një piktori venecian.
Pasi u kthyen në vendlindje më 1878, me Matinë iu bashkuan Daulles së Palokë Kurtit, ku Idromeno ishte trombist dhe hynë çirak te ”Dritëshkronja” e Marubit. Miku dhe kolegu i tij ndërroi jetë më 1881, vendin e tij si çirak e zuri i vëllai, Keli. Më 1883 hapi studion e vet të fotografisë me kamera të importuara nga kompania ”Pathé” në Francë, emërtuar ”Dritëshkronja Idromeno”.
Më 1884 Idromeno u martua me Gjyzepinën e Gaspër Muzhanit, në llasë e quajtur Cina. Më 20 korrik 1886 u lindi një djalë, Zefi, i cili vetëm pas dy vjetëve më 15 korrik 1888, ndërroi jetë. Pas dy vjetëve do t’i ndërronte jetë edhe e motra, Tonja dhe Idromenoja mori në përkujdesí vajzën e saj të mitur, Orsolinën.
Gjatë viteve 1902-1906 si mësues në shkollën italiane të artizanatit, pikasi e afroi në rrethin e vet të pikturës dhe përkrahu piktorin e ardhshëm, Simon Rrota. Më 1904 ndihmoi në pajimin e shkollës së Mati Logorecit. Më 1911 hartoi programin e karnevaleve të organizuar nga klubi «Gjuha shqipe». Në gusht të 1912 nënshkroi një kontratë me kompaninë austro-hungareze Joseph Stauber, për të importuar pajisje kinematografike dhe u bë njeriu i parë që hapi kinemanë e parë rudimentare ku u shfaqën pamjet e para filmike. Gjatë viteve 1912-1920, pasi përshtati një mjedis poshtë shtëpisë së tij në Gjuhadol një sallë për shfaqje filmash, hapi atë që atëkohë si në vendet e tjera quhej kinemaja, një theatër elektrik.
Vepra
Fotografia
Me hapjen e Dritëshkronjës së tij, Idromeno në Salnamenë (vjetarin) e vilajetit ishte regjistruar si fotograf. Duke zënë një vend mes Marubit, Kodhelit, Kristo Shulit, Petro Korçarit, etj. Në botimet ndërkombëtare emri dhe puna e tij u shquan e bënë të ishte fotografin e parë, duke u përmendur para mjeshtrit të vet Marubit.
Piktura
Pas vizatimeve dhe akuareleve të para, Idromeno kur ishte vetëm 23 vjeç punoi portretin e të motrës që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, ”Motrën Tone”. Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar. Portret të cilin do ta riprodhonte me të njëjtën pozë, drejtim të syve, të njëjtat dritëhije më 1922-23, të veshur allafranga. Më 1898 u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest. Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.
Skenografia dhe butaforia
Si skenograf punoi siparin e parë me dekor, një grup fëmijësh duke u argëtuar me lojën popullore të boçave. Më 1902 skenën e një pylli nga natyra e alpeve. Të mëvonshme janë skenat «Limani i Durrësit», «Dhoma me qoshk», «Dhomë shkodrane» etj. Përgatiti po ashtu mjaft objekte butaforie për teatrin amator të kohës, si armë zjarri, shpata, heshta, përkrenare, mburoja, punoi edhe shtatore me aftësitë e tij si skulptor. Njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë, punoi dekorin skenik «Festa e vetëqeverimit të Shqipnisë» për një shfaqje që u dha në qytet.
Arkitektura
Bazat e inxhinierisë dhe arkitekturës i mori nga i ati dhe Marubi, të dy autodidaktë; më 1907 Idromeno bën projektin për një fabrikë, ndërsa më 1912 e nënshkruan një dokument me titullin e inxhinierit. Mendohet se planet e para të zbatuara prej tij nisën që pas tërmetit të 1905 që e dëmtoi shumë qytetin. Më 1908 ndërtoi shtëpinë e familjes Mazi, ku në mjedisin e poshtëm projektoi një sallon mbledhjesh e shfaqesh të klubit «Gjuha shqipe» dhe në katin e epërm për banim. Më 1925-1926 iu ngarkua zbatimi i planit për ndërtimin e vilës së Presidentit të Republikës Ahmet Zogu në Shirokë. Më pas, projektoi një fabrikë lëkurësh, ide që zbatoi më 1927. Më 1928 bashkëprojektoi dhe zbatoi centralin elektrik që po ndërtoi nga shoqëria italiane SESA. Në vitet ’30 projektoi dhe zbatoi planin e ndërtesës së Bankës së Shtetit me disa modifikime të mëvonshme, kafen “Adriatik” më 1932, kafe “Park” më 1935 dhe po këtë vit zbatoi edhe planin e kinemasë “Rozafat”.